26.10.2025

Urime pacifizmin LDK , Bota sot

Kryesia e LDK-së mbrojti agresionin, vulgarizimin dhe mungesën elementare të edukatës së deputetit. Ajo qëndron pas tij dhe pas veprës penale.

Po të ishte Prokuroria realisht e pavarur në Kosovë, do ta merrte në pyetje kryesinë për mbështetje dhe motivim të dhunës, të veprave penale dhe të vetëgjyqësisë — nga një parti që e quante veten pacifiste. Institucionale.
Në video shihet qartë që qytetari i thotë “rrenc”. Çdo njeri që ka premtuar diçka dhe nuk e ka realizuar është “rrenc”, dhe nuk besoj se
ekziston politikan që nuk ka gënjyer. Politikanët votohen në bazë të premtimeve.

Fjala “rrenc” është shprehje e mendimit të lirë. Nuk është fyerje — sa herë dëgjohet kjo fjalë nëpër familje! Madje, kur diçka na duket e pabesueshme, edhe një miku, vëllai apo motre i themi: “po rren”.

Por pas asaj videoje dolën edhe intelektualë që gabimin e gjenin aty ku u pëlqente.

Aty vërehej dhe dëshmohej se e kishin humbur autonominë e mendimit; ishin shkrirë në një parti dhe nuk dallonin nga turma agresive, militante dhe paedukatë, e cila krenohej me pezullimin e Kodit Penal dhe me vetëgjyqësinë.

Domethënë, deputetit i lejohet të gjykojë me grusht, në prani të bashkëshortes së qytetarit; dhe, ndërsa ai po largohej, nuk e shau vetëm qytetarin, por edhe nënën dhe bashkëshorten e tij, të cilat nuk po shkëmbenin asnjë fjalë me të. LDK e përshëndeti këtë sjellje.

Dhe pastaj u përpoq ta frikësonte qytetarin, ta intimidojë, duke i thënë: “Unë të mbys” — pra: “Unë do të të vras”.
LDK e mbështeti pa asnjë rezervë.

Kjo do të thotë se, sipas saj, një deputet i LDK-së duhet të kërcënojë qytetarë me vdekje kur dikush demaskon një pjesëtar të saj.

Meqenëse LDK, lidhur me Asociacionin dhe me Gjykatën e Posaçme, ka gënjyer publikisht, vetëm për këto dy fakte nuk mund t’i mohohet asnjë qytetari e drejta ta quajë partinë e Isa Mustafës “rrence”.

Edhe pse dhunuesi u pendua, kryesia i jep guxim të vazhdojë. Për ta, ai është “burrë” — produkt i një partie që e quan veten pacifiste.

Sipas kësaj logjike, qytetarët duhet t’i riedukojë deputeti edhe me dhunë; nuk duhet t’i lodhë gjykatat, sepse gjykimet i bën vetë — në rrugë, në shesh, në Kuvend. Për shembull: “Ta çifsha nonën e tradhtarit!” LDK-ja e Isa Mustafës.

Shih ti ironinë ose karmën: ajo që refuzonte luftën aktive, selinë e ka në Rrugën UÇK 2B. E marr me mend me çfarë kënaqësie futen nëpër ato zyra “pacifistët!”

Sidoqoftë, zhgënjyese ishte mënyra se si disa intelektualë, të cilët i konsideroja humanistë, u rreshtuan në mbrojtje të dhunës, të dhunuesit dhe të vetëgjyqësisë, domethënë të shkeljes së shtetit ligjor dhe të rrënimit të tij.

Ata e zhbënë vetveten jo vetëm shtetin, për të mbrojtur një akt barbar nga një politikan.

Ai akt dhune nuk pritej të mbështetej nga Kryesia e LDK-së, por ajo e trajtoi deputetin dhunues si viktimë dhe qytetarin si agresor — vetëm për një mendim.

Ngjarja nxori në pah një imazh zhgënjyes: disa intelektualë, që i mendoja si të pavarur, u shndërruan në shërbëtorë të verbër të partisë; një pamje që ngjall vetëm keqardhje.

Truri i tyre ishte bërë koloni e partisë. Drejtësia dhe shteti ligjor nuk u interesojnë; përkundrazi, ata mbështesin, e përligjin dhe promovojnë vetëgjyqësinë si normë. Si kryesia e LDK-së.

Ky është një degradim total: moralisht të rrënuar, intelektualisht të zbrazur dhe, si pasojë, politikisht të padrejtë. Me njerëz të tillë nuk ndërtohet shtet juridik, por shtet partiak, ku fondet publike vidhen me miratimin e prokurorisë dhe gjykatës.

Megjithatë, LDK mbështeti dhunën fizike, e arsyetoi dhe e motivoi atë. Fatkeqësisht, nga ideologjia e Ibrahim Rugovës i kanë ngelur vetëm tri shkronja; nga rugovizmi u kalua në musfafizëm– dhe gjithçka po shkon drejt entropisë.

PS. Kam qenë përkthyes në një seancë në Gjermani, ku një shqiptar u dënua me 2,800 euro plus shpenzimet e gjykatës për goditje me grusht në fytyrë. Fjala „rrenc“ nuk është vepër penale; kërcënimi me vrasje dhe goditja, po. LDK i konsideron të drejta.


Imazhi me Copilot

Keine Kommentare: