28.12.2017

Rama pranoi Kosovën si tokë të shenjtë serbe, dritare, bota sot

Asnjë pushtim në botë nuk është anuluar me rezoluta. Asnjë qytet në botë nuk është kryeqytet i dy shteteve. Boni ishte kryeqytet i RFGJ-së. Berlini i RDGJ-së... Qeveria shqiptare votoi për Jerusalemin lindor si kryeqytet palestinez për shkak se nga arabët është pushtuar në shekullin shtatë dhe aty janë ndërtuar xhami. Në shekullin shtatë kanë ardhur edhe sllavët në Ballkan dhe në Kosovë kanë ndërtuar kisha apo i kanë marrë të huajat. Sipas analogjisë, atëherë Rama do të pranonte sovranitetin serb në Kosovë! Meqenëse natyra e çështjes ishte e njëjtë me Kosovën, Qeveria shqiptare edhe sikur të mbetej e vetmja me SHBA-të, duhej ta kundërshtonte rezolutën për shkak të interesave nacionale.
Në Jerusalem zoti desh bëri kurban Isakun. Aty thuhet se është varrosur Adami. Mbreti David jetoi në atë qytet. Salomoni ndërtoi tempujt e parë. Krishti ushtroi veprimtarinë e vet në Jerusalem. Muhameti lidhi kalin e vet aty dhe me një shkallë u ngjit drejt qiellit. Kuptimi i emrit të qytetit në hebraisht Yerushalayim është qytet i paqes, i cili nuk është bërë kurrë. Ai gjatë historisë së vet 3000 vjeçare është pushtuar 18 herë. Sot Jerusalemi ka 1204 sinagoga, 158 kisha dhe 73 xhami. Në vitin 1967, gjatë luftës gjashtë ditëshe, Izraeli fiton luftën dhe qysh atëherë qyteti gjendet në sovranitetin e tij. Këto ishin disa informata nga shtypi gjerman.

Diplomatët palestinez sa herë vijnë në Beograd përsërisin se Kosova është territor i Serbisë. Çfarë përligj votën shqiptare pro Palestinës, kur politika e tyre është pro ruse dhe do të mbetet e tillë sepse Amerika është dhe mbetet me Izraelin? Meqenëse ne nuk do të bëhemi më pro rus, atëherë me palestinezët vështirë të gjejmë pikëtakime. Çfarë fitohet me përkrahjen e saj dhe çfarë me votën kundër SHBA-ve? Këtë duhej ta kishte parasysh Edi Rama!

Qeveria shqiptare votoi për Jerusalemin lindor si kryeqytet palestinez për shkak se nga arabët është pushtuar në shekullin shtatë dhe aty janë ndërtuar xhami. Në shekullin shtatë kanë ardhur edhe sllavët në Ballkan dhe në Kosovë kanë ndërtuar kisha apo i kanë marrë të huajat. Sipas analogjisë, atëherë Rama do të pranonte sovranitetin serb në Kosovë! Meqenëse natyra e çështjes ishte e njëjtë me Kosovën, Qeveria shqiptare edhe sikur të mbetej e vetmja me SHBA-të, duhej ta kundërshtonte rezolutën për shkak të interesave nacionale.

Strukja pas votës së disa vendeve perëndimore, është hipokrizi e theksuar. Shqipëria nuk votoi vetëm si ato vende, por votoi edhe si Serbia, edhe si Rusia! Do të kishin mjaftuar vetëm këto dy vende për të kuptuar se pozicionimi jonë është kundër interesave shqiptare. Votimi ishte një fitore për aleancën ruso-turke në ndërtim dhe konsolidim. Vota e shteteve të Evropës Perëndimore ishte kundër radikalizmit të Trumpit duke dashur të mbrojnë demokracinë.

Përkrahësit e votës gjoja mbrojnë sovranitetin dhe votën eventuale pro SHBA-ve quajnë nënshtrim prej skllavi, por njëkohësisht, kërkojnë, rekomandojnë dhe mburren me nënshtrimin ndaj Evropës, që nuk ka fuqi ekzekutive në arenën ndërkombëtare dhe për të cilën sot Kosova dhe Shqipëria, do t’ishin copëtuar nga serbet e grekët disa herë!

Nëse i bën një njeriu mirë, pret prej tij mirënjohje dhe mbështetje në rast nevoje. Kështu funksionojnë marrëdhëniet në mes njerëzve. Shtetet udhëhiqen nga njerëzit. Nëse një vend mbështet çështjen tënde nacionale, politike ndërkombëtare, është logjike që edhe ai pret mirënjohje, nëse jo, në rastin më të keq, pret abstenim, por kurrë jo votë kundër tij. Të bëhesh kundër atij që të ndihmoi, për të cilin ke akoma nevojë, nuk bëhet as në jetën private.

Nëse nesër Kosova aplikon për UNESCO apo ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare, nuk presim prej shteteve mike, të votojnë kundër nesh. Miqësia si në mes njerëzve, ashtu edhe aleancat në mes shteteve, bazohen në përkrahje dhe respekt të ndërsjellë. Miku mund edhe të gabojë, por pikërisht kur gabon, tregohet miqësia me të, jo me braktisje.

Nuk është në pyetje Trump, është në pyetje SHBA. Trump është vetëm një personalitet me çrregullime në kalim e sipër, por fakti i pakundërshtueshëm, është se SHBA nuk do të tërhiqet nga ai vendim i marrë, sepse nuk është në natyrën e superfuqive të pendohen dhe t’i nënshtrohen vullnetit, ose diktatit të jashtëm.
Mbështetja e votës u bë kryesisht nga kriptodemokrat, që shajnë komunizmin, duke menduar në mënyrë të përkryer siç do të kishte menduar edhe Enver Hoxha. Ata në fjalorin e tyre përdorën fjalë dhe ofendime përjashtuese komuniste. Ata thonë se qeveria shqiptare iu paska bashkëngjitur vendeve evropianë, si Francës, Gjermanisë dhe Anglisë. Fakt është se ato vende që kanë kundërshtuar nuk kanë aq nevojë për SHBA-të sa kemi ne.

Ne nuk mund të krahasohemi me ato shtete, as për nga fuqia ekonomike, as për nga ajo ushtarake, as për nga ankorimi i demokracisë dhe shtetit ligjor. Ne nuk kemi aleatë siç kanë sllavët dhe i vetmi aleat i vërtetë i joni, është SHBA. Evropa nuk është një faktor politik, por një bashkësi ekonomike pa ndikim të madh në arenën ndërkombëtare, sepse vendet kryesore të saj, gjenden nën çadrën e NATO-s, pra të SHBA-ve.

Ekzaltimi vinte edhe nga radikalët islamikë dhe rusofilët. Ata minimizonin apo shpërfillnin pasojat që mund të sjellë një qëndrim i tillë me një Trump tekanjoz dhe pa parime politike. Ata dinë shumë mirë se mbështesin rrënimin e një aleancë me SHBA, por këtë e fshehin pas sovranitetit, siç bënte edhe Enver Hoxha.

Natyrisht se vendimit i janë gëzuar edhe Putini, Vuçiqi dhe Erdogani. Natyrisht se atë fakt nesër serbet do ta përdorin si argument për të dëshmuar mosmirënjohjen dhe tradhtinë shqiptare. Aprovuesit nuk lodhen shumë nëse mbetemi edhe pa përkrahjen e SHBA- ve, sepse ata gjoja adhurojnë sovranitetin e vendit dhe Evropën. Ata në fakt nuk adhurojnë, por vetëm rrënojnë sepse u ka ardhur dita, u është ofruar mundësia me pseudologjitë e tyre t’i drejtohen popullit dhe luajnë me interesat nacionale.

Popullit palestinez i dërguan një mesazh kolektiv për t’u sakrifikuar tutje deri në realizimin e ëndrrës së tyre, ose deri në zhdukje. Të gjithë ato shtete që moralisht mbështetën aspiratat palestineze, asnjëri prej tyre nuk do të rrezikonte asnjë ushtar të vetin për të ndihmuar në realizimin e asaj që ata botërisht konsiderojnë të drejtë. Nuk e kanë bërë nga viti 1967, e nuk do ta bëjnë as nesër.

Qëllimi nuk ishte Palestina, por izolimi i Trumpit dhe palestinezët u përdorën si kurban, edhe atë, nga Erdogani, i cili kremton si fitore humbjen e sigurt të Jerusalemit lindor! Me mbështetje verbale kanë motivuar luftën palestineze, madje përkrahësit e palestinezëve, as që do të guxonin ta ndihmojnë me armë Palestinën. Erdoganit iu desh një fitore jashtë, për të ngulfatur akuzat për korrupsion brenda. Si iu desh edhe Trumpit, edhe Putinit!

Se nuk fitohet lufta dëshmojnë edhe titujt e gazetave turke përkthyer në shtypin gjerman: “Erdogani kërcënon SHBA-t!” Nëntitulli, “me prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin!”

Ata që i qasen sovranitetit shqiptar, kanë nostalgji për linjën e Enver Hoxhës. Edhe ai do të kishte votuar si Edi Rama! Tragjike është se me diskurs dhe logjikë komuniste luftohet mendimi i lirë. Mospajtimi u quajt edhe histeri, pra sëmundje nervore, çrregullim psikik, ose veprimtari e shfrenuar.
Përkrahësit e votës ndjejnë krenari tribale. Franca ka arsyet e veta. Edhe Anglia dhe Gjermania, por natyrisht se arsyet e veta i ka edhe Erdogani, padyshim edhe Trumpi i çoroditur. Sidoqoftë, të gjithë së bashku, ndërsyen dhe motivuan vazhdimin e luftës.

Solidariteti verbal, sa për krekosje, për përdorim të brendshëm, do të rrisë vetëm tensionin dhe numrin e njerëzve të vdekur, por asnjë vend votues, nuk do të bëjë asgjë konkrete! Vota ishte fodullëk vetëm, për interesa të veçanta, jo për të ndihmuar Palestinën. Të fitojë Palestina, domethënë të humbë Amerika dhe Izraeli. Ata që kanë halucionacione, imagjinojnë një ditë të tillë. Politika nuk është arenë dëshirash, por gjithmonë shprehje e forcës! Nuk thoshte kot Napoleoni se zoti është gjithmonë në anën e atij që ka topat më të mirë!

Nëse në fletërrufetë e mbështetësve disa sharje zëvendësohen me vokabularin e Enveri, atëherë aty shfaqet pa keqkuptime mendësia komuniste në gjykim, përsiatje dhe në ekskomunikim. “Histerinë” Enveri do ta kishte quajtur kundërrevolucion, “naivitetin dhe filistinët”, do t’i kishte etiketuar si armiq të klasës punëtore, mikroborgjezë dhe spiunë të shërbimeve të huaja.

Tmerr është kur si adhurues të demokracisë, profilizohen njerëzit që të menduarit dhe të gjykuarit e kanë me metoda tipike komuniste. Ata nuk njohin dinjitetin e njeriut, ata nuk njohin lirinë dhe të drejtën e mendimit ata njohin stigmatizimin, gozhdimin dhe përjashtimin nga partia si i papërshtatshëm! Ata gjoja janë shkëputur nga komunizmi, por e kanë në shpirt dhe në artikulimin e tyre mund të ndryshojnë fjalët, por jo logjikën, metodën dhe rezonimin! Ata nuk kundërshtojnë mendime me argumente, ata prodhojnë kundërshtarë me ofendime, siç bënte partia!

Keine Kommentare: