30.12.2017

Ramushi u njoftua me kabinetin, Dritare net, bota sot

Kryeministri mori me qira një sallë të madhe për mbledhje, ku zakonisht organizohen dëfrime të shfrenuara, në mënyrë që të ketë vend për ministrat, zëvendësministrat, zëvendëszëvendësministrat, pesë zëvendëskryeministrat, 15 këshilltarët e kryeministrit, këshilltarët e ministrave dhe këshilltarët e zëvendësve dhe të zëvendëszëvendësministrave.

Përveç tyre ftoi edhe brigadën e parë të shoferëve të qeverisë dhe zëvendësit e tyre. Në orën 10:00 salla u mbush dhe pritej hyrja e gjeneralmajorit. Duke ecur drejt katedrës, ai nxori revolen nga brezi dhe shtiu disa herë. Disa copa nga tavani ranë në dysheme. Qindra qeveritarë dhe këshilltarë, të trishtuar dhe në panik, u hodhën gërmuq nën banka.
Rambo u ndal duke pritur ringritjen dhe rishfaqjen e kabinetit. Asnjëri nuk lëvizej. As gëk, as mëk! Heshtje burgu! Këshilltari numër një, i paautorizuar, doli para mikrofonit dhe luti të frikësuarit të mos tuten, sepse kryeministrit i ka mbetur shprehi nga lufta me ec me revole si Isa Boletini, por jo si Al Capone, siç mendojnë disa spiunë të Serbisë. “E pastaj”, vazhdoi ai, "ju dini se Kosova është në rrezik nga specialja dhe Kryeministri e ndjen për detyrë me luftue për atdheun dhe në çdo çast me qenë i gatshëm me mbrojt." Megjithëkëtë asnjëri nuk braktisi strehimoren. Pasi foli edhe këshilltari numër dy, tre, pesë, shtatë, nëntë dhe kur i 15-i u tha se janë tucana, nisën t’i nxjerrin kokat me droje dhe u ulën njëri pas tjetrit. Kryeministri falënderoi 15-shin, bëri një hap drejt foltores dhe nisi ligjërimin:

"Të dashtun ministra, zavendsa, zavendsa të zavendsave, këshillana, zavendsa të kshillanave, ju shofera dhe ju shofera të shoferave, ju përshëndes! Mos u tutni! Deshta viç me ju kallxu se une jam shef i juv dhe 88.000 nëpunsave t’Kosovës. Kta tre muj keni punu shumë mirë dhe mbramë nuk um ka zan xhumi hiç. Nuk i bisha n’fije si me ju falenerue. Tu menue vet me veti, për juve, për veti dhe pasi u dërmova tu u konsulltu me këshillanat, vendosa për kto niçin ditë me ja rrit rrogën postit t’ kryeministrisë për 100%, jo mue, postit, por edhe krejt juve! Nëse punojmë n’niçin ditët e ardhshme si deri tash, atëherë i rriti edhe 100%! Ju lutem, une kam luftue dhe nuk muj me pas rrogën si Isa Mustafa. Asht marre për venin.”

Pesë zëvendëskryeministrat dhe 15 këshilltarët e tij u ngritën në këmbë, pas tyre krejt kabineti dhe duartrokitën duke kënduar:
 “Oj Kosovë oj Nano jonë
Na t’dojmë si gjithmonë
Rroftë Kosova e Ramushi
I meçëm kalavesh rrushi!
"Ramush o Qeveri 
Rroftë lezeti ri!"

Pas disa minutave pushoi kënga dhe brohoria, kurse kryeministri vazhdoi kuvendimin: "Ju faleneroj ministra dhe zavendsa! Uluni, uluni! Kolegë t'dashtun dhe ju kshillana. Mos menoni se me kto rroga damtojmë buxhetin e Kosovës. Kush fol ashtu, ai rren. Qeveria jonë ka burime tjera financiare!

Nëse dikush ju thotë se po damtoni shtetin, atëherë thuni se 350.000 objekte poplli jonë i ka ndërtu pa leje dhe askujt nuk ia prishim qefin. Shteti i Kosovës nuk ban me ju përzi votusit dhe m’i shti huntë në puntë e tija. Ai mun me nreç shpi, ku të dojë dhe kur të dojë. Unë i fala edhe 60 milion borxhe që i kanë Kosovës biznismenat. Ata kanë puntorë në firmat e veta. Ju duni me menue se zgjedhjet tjera mujn mu ba sa çel e mbyll sytë!

Pse i fala biznismenve? I fala se pata qef! Për pikë t’qefit! Na nuk dojmë me nreç shtet që i merr pare popllit, por shtet që i jep qytetarit e katunarit, shtet që na jep edhe neve. Unë e kam për detyrë me nreç jetën e votuesve. Tjerët i kanë pas rrogat ma t'vogla se na, por janë myt tu vjedh. Na nuk dojna me vjedh tinza, por i marrmi publikisht se i meritojmë! Unë si gjeneralmajor, si çlirimtar, si njeri që ka studju n’ Amerikën, si njeri që di me fol katër gjuhë: anglishten, frëngjishten, serbishten dhe shipen, nuk muj me pas rrogën si Isa Mustafa. Asht maskarallëk për Kosovën, që nuk hahet.

Kolegë të dashtun, unë kam kshillan që tash fiton 1.000 euro, e si gazetar, ka fitu ma shumë se 2.000. Kjo kallxon se në Qeverinë teme për atdhe njerëzit punojnë për xhysën e rrogës. Nga dashnia e madhe për Kosovën!

Qeveritarë t’dashtun, kjo kjo që do t’them tash asht sekrete dhe viç n’mes neve! Rrogat i rrita edhe pse asht vështirë me mbijetue katër vjet si Qeveri. Ndoshta na ërrxon Vuçiqi, apo partia e çyçanave që tutet prej hijes vet. Kshtu për dy vjet i marmi pagat për katër dhe mujmi me çel biznese, kur jesmi pa punë. Pra, interesi juv dhe i kshillanave asht mu munue sa ma shumë me mijetue ky koalicion, me fol sa ma mirë për kit qeveri. Me shkrujt sa ma shumë se kemi zbrit bajagi shumë papunsinë n' Kosovë. Edhe atyne 88.000 vetave që punojnë n’administratë, mujmmi m’u caktu zavendsa, kshtu i kemi edhe 88.000 votusë t’punsum. Mos harroni edhe shoferat, por qeveritarë t'dashtun, tash e kuptoni pse aq pak kanë punu qeveritë para neve, se kanë pas pak zavendsa, pak zavendsa të zavendsave, por edhe kshillana kanë pas beli pak. Na duhet m’i impresu votuesit...”

Kryeministri mbajti një fjalim të gjatë dhe çdo 5 minuta një këshilltar niste duartrokitjen dhe pas tij, salla ushtonte. Pas u djersit shumë, kryeministri humbi fillin dhe mbeti i shtangur. Këshilltari i parë u ngrit dhe piskati: "Tani kryeministri do me kalu në temën e dytë dhe do me fol për rehatimin e juve, për zyrat..." Haradinaj i hodhi një vështrim sallës dhe afroi kokën përsëri pranë mikrofonit:

"Po! Falemnerës këshillan numër ni se gati harrova temën dy. Po, e vërtetë, i kam 71 zavendsa n’qeveri. Xhysa nuk di nga i kanë dajtë e nga tezet. Bile nuk jav di as emnat. Sot kisha harru m’i thirr nja 12. Nuk i kam zgedh une, m’i kanë çu partitë dhe unë u desht viç m’i punsu.

Të dashtun kolegë, tu u menue se ku me ju xhet zyra, mora ket venim: zavendsat e ministrit t’zhvillim rajonal, do të çohen në ni kolibe n’Çakorr dhe në Bllacë. Nuk kemi zyra për krejt n’Prishtinë. Zavendsat e ministrit t'punve te mrenshme mujn me nejt te shpija dhe kur ministri ka pushim, ata vin dhe njani ulet n'karrigen e tina, tjetri ulet pas derës, ose punojnë vetëm t’shtunave dhe të dielave.

Zavensat e ministrit punve t'jashtme dhe t'integrimit, do t'lypin azil n'Perenim, kshtu integrohen meniren në Evropë dhe kur ni ministër jonë shkon jashtë, mun me flet te ata e mos damtue buxhetin e Kosovës me hotele. Zavensat e ministrit t’bujqsisë, do ta kenë zyrën në nji stallë. Nuk na duhet krejt ktu, por duhet mu kan afër votuesit, afër bujkit, afër lopve. Zavendsat e ministrit të midisit, duhet çdo ditë me pastru Prishtinën, me mledh bërllogin që e çet votusi nëpër rrugë. Kështu i kallxojmë qytetarit dhe katunarit, se po punojmë për venin. Zavendsat e ministrit të drejtësisë, duhet vetëm m'u lajmëru në mjes në punë dhe le t’shkojnë n’shpi. Ne nuk kemi telashe me drejtësinë. Me kshyr holl e holl, neve kjo ministri nuk na duhet hiç. Edhe ministria e shacave duhe me vepru jashtë Kosovës.

Për ata që dojnë me punu nga katër veta n'zyrë, kshillanat e mi po shkrujnë ni rregullore. Unë due rreglla. Aty ku jini dy, tre apo katër në zyrë, njani i ban kafe ministrit, tjetri i bën masazh dhe i treti nën tavolinë, i ban çka i pëlqen ministrit. Kemi edhe disa homoseksualca n’qeveri, se na nuk jena homofoba. Kur ministri asht n’udhtim, atëherë zavendsi ulet n’venin e tina, kurse zavenszavendsi, ban masazh apo vepron ner tavolinë.

Zavendsat e ministrit të ekonomisë, do t’çohen me punu kameriera n'hotelin e Pacollit, kshtu i shërbejnë votusit. Kshillanat kanë për detyrë me menue se ministrat dhe zavendsat, nuk kanë kohë se duhet me punue për Kosovën. Nejse, kolegë t’dashtun,  ata ju njoftojnë shpejt me uacup për zyrat tjera. Ato parime t’larpërmenme, duni mi respketu. Edhe ni gja mos harroni! Ndalohet me nu fotografitë e zavendsave në webfaqen e Qeverisë. Na e dina sa jena, e pse jena! As biografitë mos i shkruni, se disa nuk kanë çka me shkrujt. Kjo vlen edhe për kshillanat se disa i kanë zgedh sipas bukurisë. Siç thash, kimi edhe ministra që ju kryhet betha!

Du m'i than edhe dy fjalë për kryetarin, por mos ia nxirrni bishtin me kallxu jashtë. Ai ka çit nënshkrim për  themelimin e gjykatës, e tash po thotë se na kanë mashtru. Nuk na kanë mashtru neve, por ai ka pas ymyt se i burgos 59 dhe vet shpëton. Tash po thotë se edhe me demarkacionin na kanë mashtru. Nuk na kanë mashtru neve, por e ka nënshkru kryetari. Nesër ka me than na mashtrun edhe për Republikën Serbe në Kosovë, por teveqeli e ka nënshkru vet. Unë e di se kush asht xharpni, kush zhapini! Ai njeh vetëm sistemin adiministrativ: “Moucateque”, por tash ka me mar vesh edhe disciplinën teme administrative “perpikeff!” 

Shumë ministra në sallë kërkuan informata rreth të këtyre degëve të reja në shkencat administrative. Kryeministri me kënaqësi dhe krenari shpjegoi dy parimet vendimmarrëse të zbuluara dhe zbatuara me fanatizëm në Kosovë.

Ai tha se “moucatteque” është zbulim i Hashimit, që shqip domethanë “mu ka tekë”, gjermanisht “Mukatäk, si folje, “mukatäkieren.” “Moucatteque”, në frëngjisht, si folje “moucatttequer”, italisht mucattecare, është kur provon me ba diçka, dhe, edhe pse ti si protagonist e din se nuk realizohet, e pretendon me këmbëngulje. Kështu pastaj hedh fajin te ata që nuk t’nimojnë, ose që nuk pajtohen. Me sistemin administrativ “moucatteque” mund të fitohen shumë votues. Pra shpërndan shpresa si shumë i meçëm, votusi nin lezet dhe ti pastaj thu, unë deshta, por nuk më lanë.

“Perpikeff”, italisht “Perpiqueffo”, frengjisht “perpiqueff”, gjermanisht “perpiköff” asht sistemi jem administrativ, që e kam zbulu, kur bana master n’Amerikë, por e përkreva kur mbarova juridikun në Prishtinë. Ai domethanë me marr një vendim sipas qefit dhe për qef! Ja një shembull nga një pyetje e gazetares Jeta Xharra: “Pse i fale biznismenve 60 milionë?”, ishte pyetja. Përgjigja ime: “Për pikë t’qefit, mu tekë!” Domethanë si togfjalësh shkencor “Perpikeff and Moucatteque!” Siç shihet me zbatimin e ‘moucatteque’ dhe ‘perpikeff’, Kosova bëhet shteti më modern në botë, por ni gja mos harroni: Ato mun m’i zbatu n’andiministratë viç ai që ka rreziku jetën për Kosovën: Hashimi, Kadrija dhe unë.

Kolegë t’ dashtun du m’i fol edhe dy fjalë për specialitetin e Gjykatës. Unë menoj se ajo do m’i burgos maspari nja 58 veta, e në fun Hashimin dhe Veselin, por detyra jonë asht me nreç ktu ni speciale. Gjykatsat i kena, edhe prokurorat, dëshmitaranat janë nga Kosova dhe nuk harxhohet shumë Holanda, se te na kushton ma lirë. Pastaj juristat tonë janë shkollu n’fakultetet ma t’reja t’Evropës, n’Kosovë. Janë prodhim vendorë! Kjo nuk asht hajgare! Pastaj n’Kosovë mun edhe mu amnistu, jashtë venit asht goxha vështirë. Nuk mahet i gjalli në burg për t’vramin! Ka edhe disa ide me pengue specialitetin e Gjykatës tu mobilizu veteranat dhe me rrethu Bondsteelin! Nuk di çfarë vendimi merr Hashimi. Po presim!

Për kravatat e faleneroj shumë popllin e Kosovës, por mu n'duhen edhe mercedeska, pizhama, kpucë, çorapa. Nuk mun kryeministri me hec viç me kravata e cipridan cullak! E tone, unë e vari ni n'çafë, jo 200! Unë thash kmisha e kravata vetëm si metafurë letrare, se për ato kom boll pare, po rroga ishte shumë e vogël sa met ardh marre me shkue n’punë. Pastaj edhe zoja e parë e venit ka nevojë për do cingli mingla!

Qeveritarë t’dashtun ni gazetare m’pyti pse e punsova dhandrin. I thash se edhe aj asht qytetar i Kosovës. Edhe ai kërkojke punë. Edhe ju duni me kshyr e me rehatu dikan pi familjes sa nuk bahet vonë! Edhe ai veprim i jem ishte veprim shkencor që bazohej në “mouqatteque dhe perpikeff!

Ngoni ktu, ata në Perënim marrin si kshillana profesorë universiteti, filozofë t'mdhaj, sociologë me emën, njerz të pasun, unë marr zhelana, t’braktisun. Ky asht akt social! Ne i marmi për sevap, gazetarët, ose të papuntë! Kshillani nuk duhet mu kan ma i meçëm se kryeministri se politika bahet tollovi.

Pas tri orëve Rambo përfundoi. Kshillani numër ni shpërndau raportin mbi sukseset e qeverisë në 100 ditët e para dhe kërkoi prej tyre të shkruajnë çdo ditë se çfarë kanë punuar dhe çfarë kanë realizuar, por edhe të mos pushojnë duke shkruar elozhe për kryeministrin. Për sukseset e 200 ditëve, duhet të shkruhen së paku nja 3.000 faqe! Të parët braktisën sallën shoferët dhe zëvendësit, pas tyre kryeministri, ministrat dhe vazhdoi mbetja tjetër, kopjet dhe surrogatët.


Keine Kommentare: