Është gjynah të kritikohen! E sollën Kosovën në atë
gjendje sa të rrezikojnë raportet me SHBA-të. Qysh kur Thaçi u bë Kryeministër,
Kosova ka numëruar disa dështime, që kanë ndikuar në rehabilitimin e Serbisë. Edhe
me veprimet e fundit.
Filloi bisedimet me të pa asnjë kusht dhe ndihmoi Serbinë
në afrimin me BE-në. Nënshkroi Autonomi Serbe për dhjetë katunde. Ushtroi
trysni ditë e natë, derisa detyroi Kuvendin të aprovojë ligjin për Gjykatën e
Posaçme. Tani pendohet, mobilizon njerëz kundër asaj që dje e kërkoi me zjarrmi
dhe trysni. Përgjegjësia? Nuk e njeh! Nuk tërhiqet, nuk jep dorëheqje dhe
manipulon Kuvendin për të korrigjuar gabimet e veta! Ai i shiti Erdoganit
ndërmarrjet pa konkurse publike dhe në mënyrë sekrete. Ai i hapi tregun e
Kosovës Serbisë, sa me fitimet nga Kosova, financohet propaganda serbe kundër
Kosovës.
Pse është gjynah të kritikohen ata që kërcënohen edhe
me riaktivizimin e UÇK-ës kundër amerikanëve? Është gjynah se ata janë tepër të
padijshëm. Ata dëshirojnë ta frikësojnë dhe shantazhojnë Amerikën me
aktivizimin e armatës së veteranëve. Atyre u pëlqen vetja, u ka hyrë vetja në
huj! Ata quajnë veten çlirimtarë! Të kritikohen ata, është si kur kritikohet
një njeri me të meta fizike! Mençuria e tyre nuk ia kalon një fëmije të
shkollës fillore. Ata edhe do të luftonin kundër Amerikës sepse janë pasuruar
shumë dhe dëshirojnë t’i konsumojnë ato para! Ata nuk kuptojnë kritika
konstruktive, ata kuptojnë interesa vetjake dhe pasurim. Ata pa këshilla, pa
rekomandime të ambasadorëve, gazojnë, siç gazuan edhe muajve të fundit.
Thaçi në krizë ekzistenciale, por ndihma i vjen nga
Vuçiqi, duke thënë se bisedimet me të, ishin shumë të vështira dhe se Thaçi
lufton për popullin e vet, edhe pse nga negociatat, ka fituar vazhdimisht
Serbia. Injoranca e ngritur në klasë politike, i dhuroi Serbisë edhe një
fitore, sa iu refuzua viza kryeministrit, i cili për të lidhur koalicionin sa
më fuqishëm, u rriti rrogat të gjithëve, dhe shtypi perëndimor njofton se
kryeministria serbe fiton 1200 euro, i Kosovës 3.000.
Nëse shikohen mirë fenomenet e shfaqur në shoqërinë
kosovare, atëherë shihet se Thaçi bëri çdo gjë për karrierën e vet dhe për
votues. Lejoi çdo gjë duke shpresuar vota. Toleroi edhe islamizmin radikal për
vota, edhe universitete injorantësh për vota, spitale me korrupsion, akademi sharlatanësh
për vota, për vota prodhuan edhe një armatë veteranësh të cilëve u japin paga
mujore. Për vota nuk lejuan as funksionimin e ligjit sa në Kosovë janë ndërtuar
350.000 objekte pa leje! Në Kosovë nuk ekziston shteti, por klane fisnore!
Vëllai i Kryeministrit kërcënohet me aktivizimin e “veteranëve”
të korruptuar, që nuk kanë qenë kurrë në UÇK! Kryeministri korruptoi partnerët
e koalicionit dhe u rriti rrogat 72 zëvendësministrave dhe ministrave. Kjo
ishte mënyra, që kuptojnë shoqëritë tribale për të përforcuar dhe zgjatur
sadopak jetën një koalicioni heterogjen në bindje dhe synime. Ky është
koalicion për zhvatje të Kosovës dhe për të pamundësuar ndëshkimin e
krimineleve! Në përpjekje të vazhdueshme deri në rrënim të shtetit për ta
shpëtuar Hashim Thaçin, sepse ky i fundit kishte menduar se ka themeluar
Gjykatë vetëm për shokët e vet, por jo edhe për vete!
Ky koalicioni udhëhiqet nga njeriu që i refuzohet viza
Çliruesit të Kosovës dhe Mbrojtësit të shtetit të Kosovës! Gjykata e Posaçme
mund të jetë edhe e padrejtë, por padrejtësitë e pasluftës, deri edhe te rrogat
e qeverise, kanë ndikuar që shqiptaret t'i gëzohen asaj gjykate më shumë se
Serbia. Jo pse populli i urrente, por sepse ata i hakmerreshin popullit dhe e
sollën në grahmën e fundit. Dhe, populli thotë, kungulli nuk mbetet gjithmonë
mbi ujë! Nuk është turp të akuzohesh për krime, turp është nëse të dëshmohet
krimi. Nuk është turp kur akuzohesh, mund të mos jesh fajtor, por turpi më i
madh është kur populli jot i gëzohet arrestimit tënd!
Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga LB, atëherë këtu mund të porosisni romanin: Ngjyrat e dashurisë ose përmbledhjen me poezi: Hiedritat e jetës.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen