12.12.2018

Kosova në rrezik, gazetaexpress


Fitore e madhe është për Serbinë, kur nga gjykata marrin thirrje komandantët e UÇK-ës! Serbia shtiret tani si viktimë e vërtetë! Pasojat e kësaj fitore, Kosova do t’i ndiejë viteve të ardhshme.

Komandantët, që kanë pushtet politikë, duhet tani të kërkojnë kthimin e eshtrave të 3.000 të vrarëve të sekuestruar nga Millosheviqi dhe nxënësit e tij të sotshëm dhe të insistojnë në gjykimin e dhunuesve të 20.000 grave, por edhe të bëjnë një kërkesë zyrtare me të cilën pretendohet dëmshpërblim për dëmet materiale. Negociatat duhet të vazhdojnë pasi të kërkohet ndjesë dhe pasi të paguhet dëmi i shkaktuar. Duke shpërfillur tragjedinë, që shkaktoi Serbia, pozicioni i saj në negociata, është përforcuar tepër shumë! Serbia nga e akuzuara, është shndërruar në akuzuese! Me ndihmën e Thaçit, pa asnjë dyshim! Nga obsesioni i sëmurë për të qenë i pari kudo!
Shteti i Kosovës duhet të kundërveprojë dhe drejtojë gishtin drejt shtetit kriminel serb, sepse nëse thirren dhjetë apo më shumë komandantë, Kosova do të marrë një goditje të rëndë dhe çnjohjet e shtetit, do të rriten dhe mund të arrijmë te numri, që votoi për anëtarësim në Interpol, 76! Në këtë gjendje anulimi i vizave as mund të merret me mend!  Numri 76 tregon tendencën, por edhe rezultatet e politikës serbe, që financohej nga konsumatori kosovar.

Dy tri vitet e ardhshme, (gjatë këtyre proceseve në Hagë), do të jenë rrënuese për imazhin e  Kosovës. Edhe sot, shumë prej atyre që na mbështesin, nuk e bëjnë pse e meriton kjo elitë politike, por për shkak të parimeve të veta, ose pse nuk mund të tërhiqen, ose pse nuk duan të shpërblejnë Serbinë, respektivisht Rusinë. Me rritjen e ndikimit të së djathtës nacionaliste në Europë, dëmi do të marrë forma më konkrete. Ajo është kryesisht pro serbe. Nëse vazhdon kështu, as numri 76 nuk do të jetë më i sigurt!

Skena politike duhet të ndryshojë dhe shteti të drejtohet nga njerëzit me dije, jo nga të padijshmit me merita! Për kontributin mirënjohje dhe pensione, por vetëm për dije, pozita me përgjegjësi! Kosova nga injoranca politike nuk mund të dëmtohej më shumë dhe për këtë, duhet përgjegjësi! Shtetet e partizanëve nuk mbijetuan as 50 vite, sepse sundoheshin nga meritorët, jo nga të dijshmit. Në shtetin e sotshëm të Kosovës, nuk kemi as akademi, as shkolla, as universitete, as administratë si duhet! Dëmet e kësaj injorance të sotshme, do t’i ndjejë populli gjatë këtij shekulli!

Ndërtimi i Republikës duhet të rinisë nga fillimi. Kjo që kemi sot është idiokraci dhe kleptokraci, që burgos Burdushin, por që milionerët e korruptuar, i ka në pozita kryesore të vendit dhe kanë arritur të sekuestrojnë shtetin, si Millosheviqi eshtrat e shqiptarëve të vrarë: kanë burgosur popullin, e kanë shkëputur nga Europa dhe e mbajnë në jetë me premtime!

Ata nuk mund të qortohen pse nuk dinë. Ata kanë dëshirë, por jo aftësi!
Ata kanë zaptuar pushtetin, jo duke u bazuar në dijen e vitit 2018, por në guximin e vitit 99.
Ata kishin guxim, kur duhej guximi, por nuk kanë dije, kur duhet dija!
Ata ishin trima për të dëbuar armikun, por kanë ndërtuar administratë më të dobët, se sa kishte ndërtuar armiku.
Ata sot nuk dinë si ndërtohet shteti i së drejtës, por dinë shumë mirë, si të pasurohen vet!
Ata aprovojnë ligje, por nëpër gjykata dhe prokurori, punësojnë njerëz që pengojnë zbatimin.
Ata vjedhin ekonominë e vendit si edhe armiku.
Ata punësojnë fisin e vet, si në vende pa shtet, që jetojnë me norma fisnore.
Ata nuk ndjejnë më dashuri ndaj atdheut, por vetëm ndaj karrigeve.
Ata dje ishin të gatshëm të sakrifikojnë jetën për atdhe, sot flijojnë fytyrën dhe bythën për pozitë!
Komandantët pa pushtet, ushtarët që ishin të gatshëm të flijohen, sot shohin si shembet vepra e tyre fisnike nga disa komandantë me pushtet politik!
Ata që vjedhin ekonominë e popullit, nuk mund të kontribuojnë për mirëqenien e popullit!
Ata që durojnë vjedhjen, bëhet viktima me profesion.
Viktimat nuk dalin në rrugë për ta rrëzuar elitën kleptokratike!
Ata që presin që të korruptuarit të luftojnë korrupsionin, atëherë mund të presin edhe shërimin nga kanceri, kur qelizat kanceroze nisin vetshkatërrimin. Nuk është në programin e atyre qelizave të dëmtojnë vetveten, por trupin nga i cili dhe në të cilin jetojnë. As në programin e të korruptuarve nuk është përparimi i vendit, ku jetojnë, por pasurimi i vetvetes!

Fajet nuk i kanë vetëm hajnat, që akoma janë të lirë, por edhe populli që i voton, që i duron dhe i cili pret nga varfanjakët e djeshëm, milionerë të sotshëm, përparim!


Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Lutfi Haziri... dhe çdo individ tjetër që është pjesëtar i kësaj Qeverie dhe Presidence sot, merr pjesë aktive në dëmtimin e shtetit! Ata “politikanë” janë pasuruar, kanë kryer misionin e tyre dhe pos punësimit të të afërmeve të vet, nuk mund t’i ofrojnë asgjë tjetër Kosovës, pos imazhit katastrofal! Ata dinë të shesin premtime dhe pallavra, por asgjë më shumë! Të gjithë ata, në një vend me shtet të së drejtës, do të gjendeshin në burg. Te ne kanë pozita të rëndësishme dhe nuk burgoset kush ka kryer vepër penale, por vetëm kush nuk ka mbrojtje nga elita politike!
-----------------------------------

Nëse e çmon punën që bëhet në këtë blog dhe dëshiron të tregosh mirënjohjen, atëherë mund ta bësh edhe duke blerë një apo disa libra:

  Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë


Keine Kommentare: