“Nuk derdhet uji i pistë,
kur nuk ke ujë të pastër!”, ka thënë Konrad Adenauer në vitin 1952 në një debat
publik me 14 redaktorë të gazetave gjermane, kur është thënë se në Ministrinë e
Jashtme, janë punësuar edhe nëpunës, që i kanë shërbyer Hitlerit. Pra,
pragmatizmit gjerman për të ndërtuar shtet si duhet, i duheshin njerëzit e
dijshëm, jo vetëm kundërshtarët e fashizmit.
Në Kosovë u veprua në
mënyrë staliniste. Logjikohej në mënyrë komuniste dhe për ta zvogëluar konkurrencën, kur nuk
mjaftonte shpifja apo imagjinata, atëherë kryemëkat merrej anëtarësia në Lidhjen
Komuniste të Jugosllavisë. Kësaj daulle i ka rënë fort Adem Demaçi, Rexhep
Qosja dhe me pasion dhe përkushtim të madh, Ibrahim Kelmendi.
Këtyre tre personaliteteve,
nuk u ka interesuar dija e njeriut, që duhet të drejtojë shtet, por pastërtia
sipas botëkuptimit të tyre komunist. Demaçi ishte adhurues i Enverit. Qosja
është adhurues i Enverit. Kelmendi ka braktisur ideologjinë komuniste, por të të
menduarit dogmatik i ka mbetur besnik. Thënë shkurt, këta përdorën krejt dijen
e tyre dhe ndikimin në derdhjen e ujit, të pistë sipas tyre dhe sot Kosova gati
dy dekada pas luftës, nuk ka sa duhet as rrymë, as ujë!
Sidoqoftë pishtarët, që
mbajtën gjallë patriotizmin në ish -Jugosllavi
ishin: Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ukshin Hoti, Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova.
Ka edhe shumë të tjerë, por ata janë në krye për nga ndikimi, qoftë
intelektual, qoftë frymëzues, qoftë mobilizues.
Adem Demaçi mbeti
atdhetar deri në vdekje dhe pas çlirimit polarizoi, përçau shumë dhe e pati të
vështirë të shkëputet nga të gjykuarit komunist duke ndarë njerëzit në heronj
dhe tradhtarë. Në vend se të thërriste për pajtim kombëtar dhe të festohej
fitorja, parapëlqeu anësinë. Pas luftës dëmtoi veten dhe kohezionin nacional:
nga urrejtja e madhe kundër Rugovës.
Rexhep Qosja deri te
mbarimi i luftës ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh, pastaj
aktivisht mori pjesë në fragmentim dhe përçarje. Në vend se të thërriste për
pajtim kombëtar dhe festimin e fitores, ndihmoi në sekuestrimin e saj nga ata,
që sot i qorton për “shtetin blegtoral”
dhe për zhvatje masovike të ekonomisë
nacionale. Qosja do të mbetet në histori edhe për simpatinë ndaj autokratik
turk Erdogan dhe pranimin e pa rezervë dhe pa kundërshtime sulmin e tij në
shoqërinë shqiptare. Qosja pas luftës dëmtoi veten dhe kohezionin nacional: nga
urrejtja e madhe për Rugovën.
Ukshin Hoti ishte atdhetar
deri në vdekje dhe nuk ndryshoi! Qe intelektuali më i përgatitur politikisht,
por e shpërfillën brenda, prandaj jashtë nuk u mor askush me shpëtimin e tij. Adem
Jashari mbeti atdhetar deri në vdekje dhe tronditi ndërgjegjen e kombit!
Ibrahim Rugova ishte
atdhetar modern, europian, jo folklorik. Ai nuk dinte të gjykojë në mënyrë
komuniste, si Demaçi dhe Qosja. Ai nuk ishte në kërkim të armiqve, por të miqve,
as brenda, as jashtë. Deri në shpërthimin e luftës përfaqësoi denjësisht
Kosovën dhe krijoi një empati të madhe te vendet perëndimore, por edhe në botë.
Të gjithë miqtë që ka sot Kosova, janë meritë e tij, me përjashtim të
Erdoganit, nëse mund të quhet mik aleati i ngushtë i Putinit dhe Vuçiqit! Në epokën
e Ibrahim Rugovës, bota na vështronte dhe përjetonte si viktimë, por pas luftës
ishte më shumë simbol, ishte një hije dhe më tepër famë, se sa pushtet real.
Dëmtoi veten pas shpërthimit të luftës.
UÇK mbeti atdhetare deri
në dëbimin e Serbisë. Pas çlirimit nxitoi me nervozë për të përvetësuar të
gjitha meritat dhe krejt pushtetin. „Mos
e prek, UÇK!”,
mund të lexohej nëpër dyer të banesave në vitin 2000 në Prishtinë. Sot jemi aty
ku jemi! Gjendje me të cilën janë të kënaqur ish komandantët e UÇK-ës dhe ku njëri prej tyre quan Kosovën
Zvicër të Ballkanit, i dyti qorton rininë, se nuk paskan dëshirë të punojnë,
kurse tjetri pranon se Kosova kishte ushtri me 60.000 ushtarë! Tani u mbetet
arkeologëve të zbulojnë vetëm kazermat e asaj armate!
Ato personalitete më
lartë janë më meritorët për lirinë, por të mbijetuarit, si Demaçi dhe Qosja edhe
për gjendjen e mjerë pas luftës, sepse kontribuuan aktivisht në krijimin e
kaosit dhe hedhjen e synimeve kryesore, ndërtimin e shtetit me dije, në rend të
tretë. Çdo gjë u shndërrua në tallava
diskurs. Asgjë dhe askush nuk mbeti me dinjitet: çdokush mund të shpallej tradhtar,
çdokush atdhetar. Po ripërsëritej periudha e pas Luftës së Dytë Botërore, kur
partizanët gjysmanalfabetë ndanin popullin në të mirë dhe në të ligë dhe pasi
dëbuan fashizmin, nisën me arrestimin dhe vrasjen e pjesëtarëve të popullit të
vet, që mendonin ndryshe nga të armatosurit e djeshëm.
Pasi SHBA me UÇK-në dhe aleatët çliroi Kosovën, Kosova nuk brengosej
për krijimin e shtetit të së drejtës, por nisi vjedhja e saj, thua se vendin e kishin
marrë përkohësisht me qira nga Serbia dhe duhej të vidhnin sa më shumë, sa më shpejt
para se të kthehej ajo. Sot komandantët kryesor janë të pasur!
U hodh populli në komë
dhe njëzet vite pas luftës, nuk ka ende sa duhet rrymë dhe paratë që fiton
Erdogani në Kosovë dhe paratë që fitonte Serbia në Kosovë, i investojnë për ta
shpërfytyruar vendin dhe për ta shndërruar Kosovën në koloni jo vetëm serbe,
por edhe turke. Aleanca e ngushtë Putin-Erdogan
ishte projekti i ri për Kosovën dhe, si edhe në histori, ata gjenin gjuhë dhe
interesa të përbashkëta, fundi i fundit, si edhe tani për ushtrinë.
Liria kërkon përgjegjësi.
Përgjegjësi dhe dije. Në komunizëm mendonte partia për popullin, në demokraci
mendon individi pikë së pari për shoqërinë dhe pastaj për vetveten. Demokracia
ofron mundësi për përparim dhe duke mbrojtur vlerat e saja, mbrojmë
individualisht të drejtat tona. Në komunizëm kur mbrohej sistemi, ruhej pezullimi
i lirisë individuale dhe kolektive. Populli u manipulua, u përça dhe
politikanët i silleshin dhe i sillen si kurva, sa herë afrohen zgjedhjet, për t’ia
nisur vjedhjes dhe punësimit të të afërmeve, sapo të marrin pushtetin.
Sot jemi aty ku jemi dhe
kemi humbur simpatinë e Europës dhe në kohën e komandantëve, nuk vështrohemi më
si viktima, por si kriminelë, prandaj krahinës së vogël, me aq banorë sa një
qytet mesatar, që e vet e çliruan, nuk i heqin vizat dhe e kanë mbyllur si të sëmurin
në psikiatri. Thjesht Europa me 512 milionë banorë, ka frikë nga disa mijëra
shqiptarë, që do të emigronin. Frikën ua kemi imponuar ne me shtetin gati
mafioz dhe tallava!
Rehabilitimi i armikut fillon
me negociata, gjersa mbetjet e mijërave vetave gjenden diku nëpër gropa anonime
në Serbi. Duke mos kërkuar ato, pozicioni i kundërshtarit përforcohej.
Rehabilitimi i Serbisë u bë me shpërfilljen e 20.000 grave të dhunuara dhe
mungesa e këmbënguljes për dëmshpërblim, çfarë do të dobësonte pozicionin e kundërshtarit.
Pranuan negociata thua se po bëheshin pas një loje futbolli. Krimineli dhe
viktima përpiqeshin të përmirësonin raportet në mes vete, gjersa i pari
tërbohej edhe për një simbol shqiponje! Bëheshin negociata gjersa në mënyrë
agresive sulmohej shteti i Kosovës dhe investohej për të tërhequr apo penguar njohjet!
Taksat prej dhjetë për
qind, u interpretuan si synim për pastrim etnik. Taksat prej njëqind për qind,
u interpretuan si dëshirë për pastrim etnik. Themelimi i ushtrisë, interpretohet
si synim për pastrim etnik, edhe pse serbet e Kosovës nuk i shqetëson njeri. Ai
pezmatim flet për zhgënjimin e qeverisë serbe, pse Kosova nuk po ndërtohet
vetëm sipas dëshirës së racës superiore serbe, që ua kishte mundësuar Thaçi.
Pas çlirimit të Kosovës,
nisi okupimi ndryshe: në një anë Serbia dominonte tregun, pra ekonominë, në
anën tjetër u rishfaq osmanizmi, program i së cilit ishte rikthimi i në një
mënyrë tjetër i perandorisë së shuar dhe në vend të investimeve nëpër spitale,
rrugë, shkolla, universitete, në Kosovë nisi ndërtimi i xhamive dhe sot Kosova
ka më shumë xhami, se sa ka pasur gjatë pushtimit pesëshekullor osman. Xhamitë
duhet të ndërtohen kudo që populli ndjen dhe shpreh dëshirë, por jo kur dhe ku ndjen
nevojë miku i Putinit, Erdogani.
Kur psikopati shqiptar
fiton pushtet, ai nuk zgjedh as aleatin, as mikun, por vetëm ata që i shërbejnë
përforcimit të karrierës. Tek ata nuk shquhen interesat nacionale, por ato personale.
Edi Rama disa herë voton kundër SHBA-ve në
OKB, edhe pse mik real tjetër kombi shqiptar në botë nuk ka! Ky dhe Thaçi para
Erdoganit trishtohen dhe çdo kërkesë e tij, është dekret sulltani.
Sikur të kishim ruajtur
ujin e pistë të Adenauerit dhe ta venim në përdorim për interesa nacionale, nuk
do t’i kishim sot bujqit nëpër Kuvende, por ata nëpër ara dhe të dijshmit me
pushtet! Sot nuk do të kishim folur për viza, por për aderim, madje ndoshta
edhe tashmë të anëtarësuar në Europë. Sot ata që na çliruan, na refuzojnë! Me
njerëzit me merita, që i përkrahën Demaçi dhe Qosja, sot gjendemi para
arrestimit të atyre që rrezikuan jetën për atdheun. Disa prej tyre meritojnë mirënjohje
dhe përmendore, por jo pushtet politik, sepse u mungon dija dhe Kuvendi është shndërruar
në një lamë çobanësh. Ja pse nuk derdhet uji i pistë, kur nuk ke mjaftueshëm ujë
të pastër! Nuk e kishte as Gjermania, e ne, aq më pak!
----------------------------------------
Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.
Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre. Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.
Kuptimi i jetës te amazon *, Kuptimi jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon
Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu
Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Shtatë parimet e dashurisë, Hijedritat e jetës, Die Asylbewerber, komedi gjermanisht
* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.
** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen