15.02.2019

Dekalogu i Enverit dhe Hashimit




1. Unë jam Enver Hoxha, Zoti yt i vërtetë, edhe atë, qysh nga dita kur mora vendimin për të shfronësuar perëndinë imagjinare. Ti nuk duhet të kesh, nuk do të kesh dhe nuk guxosh as të ëndërrosh Zot tjetër pos meje.
2. Mos adhuro asgjë, që gjendet këtu poshtë, ose atje lart në qiell! Mos u përkul para tyre dhe as do t`u shërbesh, sepse unë, Shoku Enver, Zoti yt, jam idhnak, smirak, i ashpër, që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt, shkurt derisa sa të jetë gjallë shoku Sali!  
3. Mos përdor emrin e shokut Enver kot, sepse Enver Hoxha, do të ndëshkojë çdo spiun të imperializmit anglo-amerikan dhe çdo revizionist, që ndikon për t’u ngacmuar nga lemza!
4. Mbaj mend Ditëlindjen e shokut Enver dhe Ditëvdekjen e perëndisë, për të shenjtëruar që të dyja dhe mos harro kurrë falënderimin! Kujtoje çdo ditë dhe shenjtëroje Partinë e Punës! Sepse për gjashtë ditë zoti krijoi qiejt dhe tokën, kurse Shoku Enver, Zoti i Ri, për një ditë shpalli të pavlefshëm atë, i cili ka shkruar tri libra për disa dekada, ose shekuj, por që mori në qafë klasën punëtore!
5. Adhuro Enverin dhe PPSH-në, së cilës më vonë do t’i hiqet një “P” dhe një “S” në mënyrë që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Enveri, Zoti yt, po t’i jep për përdorim të përkohshëm.
6. Mos vrit kurrë pa urdhër të Partisë!
7. Mos tradhto Partinë se të lëshon toka!
8. Mos vidh proletariatin se të ha dreqi!
9. Mos thuaj kurrë një fjalë kundër Zotit të Ri se të pret balli plumbin mu në lule sipas vendimit tim dhe të Komitetit Qendror!
10. Mos ëndërro kurrë karrigen e Shokut Enver; se të varros proletariati në pikë të ditës, ose në pikë të natës! Zoti imagjinar ndëshkonte pas vdekjes, unë që përjashtova atë, ndëshkoj për së gjalli!
~~~
1. Unë jam Hashimi, Prijësi yt, që të çliroi nga Serbia, nga shtëpia e skllavërisë. Nuk do të keni  Prijës tjetër pos meje. Ju në demokraci do të keni të drejtë të votoni. Unë do të kem të drejtë të caktojë numëruesit e mirë të votave! Siç dimë të numërojmë edhe veteranët!
2. Mos adhuro asnjë njeri, që gjendet këtu poshtë. As Ramushin, as Albinin, as Isën, as Pacollin! Mos u përkul para tyre dhe as do t`u shërbesh, sepse unë, Hashimi, Prijësi yt, jam një xheloz, hakmarrës dhe të përgatis mërgimin edhe pa vizë. Pyete prokurorin!
3. Mos e përdor emrin e Hashimit, Prijësit tënd kot, sepse Hashimi nuk do të lërë të pandëshkuar atë, që keqpërdor emrin e tij. Në pyetje është koha. Një ditë do t’i shohësh të gjithë në Hagë!
4. Mbaj mend ditën e Çlirimit për ta shenjtëruar dhe mos harro kurrë Hashimin! Kujtoje çdo ditë dhe shenjtëroje! Sepse për gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, kurse Hashimi, me një ide, çliroi një popull! Ju mëtojeni, por Liria është e imja! Ua solla unë! Qepeni!
5. Ndero PDK-në në mënyrë që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Hashimi, Prijësi yt, të ka dhënë me qira derisa të hiqen vizat.
6. Mos lakmo paratë e shtetit dhe mos i rrit rrogën vetes, se pasojnë grevat!
7. Mos tradhto kurrë Partinë time, se nuk fiton asgjë. Rilexo urdhëresën e parë!
8. Mos vidh, por merr: as heroinën nga stacioni i policisë, as kanabisin, as paratë e shtetit! Vjedhja është e turpshme, marrja kërkon dije, kontrata, marrëveshje, rregull, pedanteri dhe disiplinën!
9. Mos bëj kurrë dëshmi kundër komandantëve dhe mos kërcëno kurrë ata! Vetëm Hashimi din se kush duhet të shkojë në “pushime” në Holandë!
10. Mos dëshiro shtëpitë e liderëve tu; as gratë e tyre, as makinat, as pozitat, as gomarët, as doktoratat, as asgjë tjetër, që është pronë e tyre, që e kanë përvetësuar me frikë e djersë,  sepse Hashimi, Prijësi yt, dëshiron paqe, përndryshe ndëshkon si fati kobzi; të mallkon, të trishton dhe për inat tëndin, nuk e anekson as Luginën!

Keine Kommentare: