Pse vrasim gra, ishte pyetja e zonjës Xhunga në debatin “Dritare
me Rudinën”
Ne burrat
rrahim, keqtrajtojmë, ofendojmë dhe mund të vrasim gra në rend të parë, sepse
ato veprime, ose disa prej tyre, i kemi mësuar në shtëpi. Ato, ose ndonjëra
prej tyre është përligjur, por edhe pse jemi të bindur se mirëpriten dhe duartrokiten
nga plebenjtë, si akte normale, si të domosdoshme. Aty këtu shkuarja në burg
fëmijës i është dhënë si zgjidhje, pas një ndodhie, që familja dhe rrethi, vlerësojnë
si cenim nderi. Familjet patriarkale shkuarjen në burg konsiderojnë ruajtje të fytyrës
dhe se ekzekutimi i bashkëshortes, është burrëri. E në të vërtetë, sot humbet
fytyra me rrahje, me keqtrajtim, me ofendim, kurse vrasja, është veprim kulmor shtazarak!
Kur pranojmë
të arriturat e qytetërimit tonë, dinjitetin e njeriut, atëherë nuk mund të merren
me mend shkallëzimet, ngritjet, ose zbritjet. Të njëjtin dinjitet ka kryetari i
shtetit, si edhe pastruesi. Në një farë mënyre koncepti NDER merret me prostituimin
e njeriut, sepse ai nder mund edhe të zhbëhet, degradohet, eliminohet,
rikthehet, rivendoset apo zvogëlohet dhe zmadhohet. Dinjiteti jo! Dinjitet ka
njeriu. Gruaja dhe fëmija janë njerëz dhe posedojnë po atë dinjitet si dhe
burri. Atë mbron kushtetuta.
Gruas i
ngarkohen detyra të rënda në jetë dhe ka dy provime tepër të gjata dhe shumë të
mundishme: ajo duhet t’i kalojë ata sipas pritshmërisë së burrave, që urrejnë
gratë, ose që kanë frikë dhe paragjykime irracionale ndaj tyre. Provimi i parë
është në rolin e motrës. Ajo duhet të sillet si pret babai, vëllai, vëllezërit,
herë-herë edhe xhaxhai dhe daja, kushërinjtë, pra fisi i tërë dhe një vepër e
saj, një mardhënie seksuale para martesës, që në shoqërinë e sotshme, është
plotësisht normale, mund të prodhojë një tragjedi dhe të cenojë nderin e një
fisi të tërë, ku ndjehen të gjithë të damkosur, të ndytë, pa fytyrë, thua se
dikush kishte kërcyer pjesëtarët e krejt atij klani.
Gruas i
imponohet me forcë një vetëkontrollimi i rëndë, sa edhe një gjest i
pakujdesshme, një buzëqeshje e pakujdesshme, mund ta shndërrojë në kurvë. Cilësimi aq i lehtë me “kurvë”, ka përvetësuar
burri i tmerruar nga komplekset e veta. Ai është i sëmurë, por nuk e ka sëmurë
veten, e kanë prishur në shtëpi, e kanë
bërë defekt, ia kanë shkatërruar sedrën në familje, kanë dëmtuar respektin ndaj
vetvetes dhe besimin në vetvete gjatë socializimi të parë. Në vendin ku duhej
ai të edukohej, ka mësuar të rrahë, jo
të përqafojë, të shajë, jo të
puthë, të nënshtrojë, jo të përkëdhelë,
të dhunojë, jo të dashurojë.
Meqenëse me
edukatën fisnore patriarkale jemi prishur shumë burra dhe shndërruar në idiotë
narcistë, paranoidë dhe hedonistë, ne, burrat e prishur, të dëmtuar në gjykim
dhe botëkuptim, kemi shpërfytyruar edhe gratë. Ato gra kanë humbur identitetin
e tyre femëror dhe janë mashkullorizuar dhe mendojnë, veprojnë, sillen,
shpjegojnë dhe marrin vendime, si presin prej tyre burrat, jo siç u thotë
mendja e tyre prej nënës. Ato edhe sot diskriminojnë bijat e veta! Ato janë
“burrneshat” e këtij shekulli!
Vajza, pasi ta
ketë kaluar me sukses provimin e bijës dhe motrës së pagojë, futet në provimin
e dytë të bashkëshortësisë, i cila mund të zgjasë deri sa të bëhet gjyshe. Në
rolin e bashkëshortes kujdestaria dhe mbikëqyrja mund të jetë shumë më të ashpra
se te i ati. Ajo edhe aty do të mbikëqyret dhe interpretohet, do të modelohet,
madje edhe do të lihet vet në shtëpi dhe burri, do të punojë jashtë vendit duke
mos ndjerë asnjë mungesë për të, sepse ai atje plotëson nevojën themelore për
seks, kurse gruaja, duhet të sillet si një motër nderi, si qenie aseksuale!
Pasi të ketë
kaluar këtë provim, bëhet gjyshe. Tani kalon në rolin social të viktimës dhe
keqardhja me keqtrajtimin e saj në dy rolet e mëparshme, vërehet tek fëmijët e
saj të rritur, por që shpesh vazhdojnë me gratë e veta, siç u bë me nënat e
tyre. Edukatë tjetër nuk njohin! Nuk lexojnë! Nuk mësojnë! Popujt që kanë
aftësi të shtypin gra, mund të pushtohen lehtë sepse qysh në familje janë të
shpërbërë dhe humbin shumë energji, jo për të përparuar, për t’u arsimuar, por
për të dominuar apo për t ‘ikur dominimit. Aty fëmija është thjeshtë viktimë
dhe agresorë janë PRINDËRIT, me abuzime, të cilat nuk bëhen as te kafshët ndaj
të vegjëlve të vet!
Burrat me qëndrime
primitive janë të robëruar diku në mesjetë dhe në epokën e sotshme, janë vetëm
hije të huaja, që prodhojnë ankthe pa identitet të vetin! Disa prej tyre vrasin
dikë dhe lënë gruan vetëm jashtë, kështu gjersa ai kalon kohën me nderin e tij,
dikush tjetër duhet të kujdeset për krevatin e tij. Kështu e ka mësuar familja.
Kështu e ka mësuar rrethi! Shkelje besnikërie kanë ndodhur gjithmonë dhe në
shoqëri të ashpra, vështirë se merren vesh, sepse mungesa e sinqeritetit dhe
ndëshkimet çnjerëzore, ua kanë anuluar grave çiltërinë dhe kështu, edhe kur
ndodh dhunimi në familje, vajza apo gruaja, nuk guxon të tregojë! Në shoqëri të
tilla dhunimi seksual është shumë i lehtë, sepse vepra fshihet!
Patriarkalizmi
është një rend fashist privat, i cili pa pikë mëshire nënshtron, poshtëron dhe
ekzekuton! Nderi i burrave mund të korrigjohet edhe nëse ka dëmtuar mijëra
fëmijë me kokainë, por jo i një gruaje për një gabim. Këtu kemi pezullimin e
dinjitetit dhe zëvendësimin me nderin. E qartë, burrave mizogjinë nuk u pëlqen
dinjiteti! Ata janë stërvitur të nënshtrojnë, të shtypin dhe të rrahin, jo të
duan, jo të kërkojnë ndjesë, jo të dashurojnë, jo të bëjnë seks, por të
dhunojnë dhe të sundojnë!
Mungesa e
besnikërisë brenda një çift nuk është faj vetëm i atij, që nëpërkëmb një
premtim, por edhe i atij, i cili nuk vëren rënien e dashurisë dhe kërkimin e
partneres, partnerit nën një strehë tjetër. Premtimi bëhet në çastin, kur kanë
dashuri dhe ai vlen vetëm nëse që të dy kultivojnë emocionin e përbashkët, por
jo kur njëri e shpërfill. Ajo ishte epoka e Hanko Hallës. Hanko Halla ka
vdekur. Nuk ekziston më. Sa më shpejtë që ta kuptojmë ne burrat, aq më shumë
lumturi do të kemi! Gruaja nuk është e jona si qenie, por vetëm si emocion!
Kultivimi
përhershëm i dashurisë nuk është detyrë
e njërit, por i që të dyve së bashku. Bashkëjetesa nuk është gjithmonë e lehtë,
ndoshta edhe nuk zgjat tërë jetën, por kur respektohet dinjiteti i njeriut,
gjithmonë e mundur. Bashkëshortësia nuk është gjithmonë romantike, por ka edhe
telashe brenda, rënie dhe ngritje. Ajo është kompromis ndërmjet dy të rriturve.
Ndarja është e këshillueshme, kur mungon dashuria dhe si pasojë, mund të
mungojë edhe respekti dhe të jetohet shpirtërisht ndaras, edhe pse nën një
kulm. Shkurorëzimi duhet të jetë shumë i
kujdesshëm për të evituar sadopak, traumatizimin e fëmijëve. Fëmija parapëlqen
që të dy, sepse ai është krijesë e dy vetave, por kur dashuria nuk ekziston më,
më e mirë është ndarja se lufta e përditshme. Dëmi do të jetë më i vogël! Këta
fëmijë, që dëmtohen sot me edukatën primitive, do të jenë ata, që do të braktisin
ose vjedhin shtetin nesër.
Nëse për
martesën vendosin prindërit, atëherë mundësia që bashkim i dhunshëm, të
korrigjohet
sot apo nesër, do të jetë e madhe. Shkurorëzimi nuk është asgjë tjetër, pos
korrigjim i një vendimi që dikur na dukej i drejtë, por sot jo. Kjo është
arsyeja pse prindi që ndjen dashuri ndaj fëmijës së vet, nuk duhet të fusë
hundët aty ku nuk i takon. Nuk është nder me martesë të respektohet dëshira e
prindit, por çnderim është shtrirja në shtrat me njeriun që ka zgjedhur dikush
tjetër. Martesa është çështje shumë serioze dhe për të duhet të vendosin vetëm
dy veta, jo fisi! Sepse vetëm ata dy dinë se çfarë dëshirojnë në të vërtetë!
Përvoja para martesës është e nevojshme sepse të rinjtë, nga gabimet, mësohen
për jetën në bashkëshortësi.
Ndalimi i
dashurisë dëshmon se mendësia fisnore qëndron mbi kushtetutën dhe meqenëse
pritshmëria sociale është e tillë, atëherë deshëm apo jo, ne bëhemi komb
antikushtetues dhe jo shtetformues! Popujt e qytetëruar dhe ata që nuk jetojnë
si në shpellën e Platonit, i nënshtrohen ligjeve sepse ato janë aprovuar për të
garantuar paqen në popull, jo për të lejuar vetëgjyqësinë dhe jo për t’iu
ndërtuar burrave përmendore!
Vendet e
Perëndimit kanë një kulturë sinqeriteti, ne kemi një kulturë mashtrimi,
gënjeshtre. Ne i rrejmë fëmijët, fëmijët na rrejnë ne dhe kështu jetojmë në një
“harmoni” hipokrizie. Për gabime fëmija nuk ndëshkohet me dënime si për të
rriturit, por i shpjegohet, sepse çdo gabim është një mundësi për të mësuar më
shumë. Fëmijës i duhen kufijtë dhe liria sipas moshës. E cili i rritur nuk gabon në jetë? Po kush
duhet të na rrahë neve? Kur prindi me
dhunë trajton fëmijën, ai duhet të kuptojë se po shkatërron një identitet të
ri, të njomë!
Vrasjet janë
vetëm pasojat. Psikologu francez Pierre Daco shkruante se “ për t’ u bërë
floktar mësojmë tri vjet, për prind, asnjë ditë.” Familja duhet të jetë vend ku
njeriu kthehet me dëshirë, jo nga ikën me vrap. Me vrap do të ikin të gjithë:
ata që janë dëmtuar në rritje e sipër dhe që janë rritur pa dashuri. Prindërit
këtë do ta kuptojnë: do t’u kthehet ajo që kanë mbjellë! Dëshira për të ikur
jashtë vendit, nuk është vetëm mungesa e mirëqenies, e shtetit ligjor, por pikë
së pari, mungesa e kultivimit të dashurisë në familjen.
Nëse nuk duam
fëmijët dhe gratë tona, nuk duam as kombin, as shtetin, që mund të na pengojë
në shfryrjen e perversioneve. Tragjike është, kur pas një vrasje, turma duartroket,
në vend se të alarmohet dhe i ngjan publikut në Kolose të Romës në shekullin e
Julius Gaius Caesarit!
Po seksi?
Seksi është nevojë themelore dhe obligim i evolucionit, edhe pse jo te të
gjithë. Ka njerëz që nuk dëshirojnë seks, siç ka edhe tjerë qe e duan më shpesh
apo më rrallë. Kjo është edhe njëra ndër arsyet pse prindërit nuk duhet të
intervenojnë në martesat e sotshme, sepse alternativa janë shumë më të lehta se
dje. Sot komunikimi ndërnjerëzor ka aq shumë ndikim, si kurrë më herët në
histori. Prandaj, për ruajtje e dashurisë duhet kultivim i përbashkët dhe i
përhershëm, sepse askush nuk është i obliguar të jetojë me një njeri, i cili
vret me shpërfillje dhe ndjehet i lumtur me celular në dorë duke komunikuar me
gra tjera. Kur një partner thyen besnikërinë, nuk e bën thjeshtë për qejf, së
paku në të shumtën e rasteve jo, por e bën sepse mungon ai shkëmbim i
emocioneve në shtëpi. Po, nëse ndodh, atëherë ndarja është shërim, sepse pas
ndarjes, njeriu i vitit 2018, pas disa ditëve, ose javëve, kthehet përsëri në
treg si njeri i lirë dhe kërkon një partnere, të cilën do ta trajtojë më mirë dhe
do të kujdeset më shumë për të. Pra ndarja është edhe një fitore, liri për
dashurinë e ardhshme, liri për të jetuar edhe vet, jo një dështim që duhet ta
shndërrojë njeriun në kriminel. Martesa pa përvojë, sot është thjeshtë provë,
eksperiment dhe harmonia nuk mund të zgjasë shumë, natyrisht këtu ka edhe përjashtime.
Përvoja seksuale dhe bashkëjetesa duhet të fitohet para martesës, përndryshe do
të ketë prej tyre, që do të përpiqen ta rikompensojnë brenda martesës. Njerëzit
duhet të përshtaten edhe seksualisht në mes vete!
Vrasja nuk
është ruajte nderi, por shpërfillje e familjes së vet pikë së pari, mungesë
absolute e dashurisë ndaj tyre. Nëse ekzekutimi i një gruaje është rikthim
nderi, atëherë morali jonë ka origjinën në klinikën e psikiatrisë! Shkelja e
besnikërisë prodhohet kryesisht nga shkujdesi i burrave dhe bindjes, se shoqja,
do të sillet si nënat e tyre. Për t’i vënë brirë njëri tjetrit, duhet rritur numri
i pjesëmarrësve në një bashkëshortësi. Ato nuk na vihen kurrë nëse respektojmë
dhe duam, nëse marrim përgjegjësi për familjen e krijuar. Aq sa më shumë shpërfillje,
aq sa më shumë traumatizime, aq më shumë brinjë mund të na vihen në kokë dhe të
dukemi si kaproll. Nëse nuk e duam gruan, diku gjendet dikush tjetër, që do ta
adhuronte! Brirë u janë vënë grave dhe burrave gjithmonë, por janë fshehur, nuk
janë dëgjuar larg, janë rritur fëmijët e huaj, sepse në mungesë të kulturës së
sinqeriteti, gruaja duke qenë e bindur se ekzekutohet, nuk ka marrë guximin të
tregojë se fëmija është “kontribut” i një dhunimi nga kunati apo fqinji!
Në jetë
kalojmë nëpër katër faza të aftësimit për jetë në shoqëri, që quhen katër
socializimet. E para nis me lindjen, derisa të shkohet në kopshtin e fëmijëve.
Me shkuarjen, nis socializimi i dytë dhe mbaron, kur përfundohet edhe një
profesion, shkollë apo fakultet. Socializimi i tretë nisë me punësimin,
martesën, bashkëjetesën, anëtarësimin në ndonjë shoqatë, parti politike, vend i
punës etj. Socializimi i katërt është aftësim i njeriut për të jetuar në një
Shtëpi të Pleqve, që ne nuk i kemi sepse shpesh detyrojmë gratë të bëhen
infermiere për vjehrrat dhe vjehrrin! Nëse thjesht matematikisht ndajmë
ndikimet e këtyre periudhave në 25 për qind, atëherë do të shohim se ku jemi
dëmtuar më shumë: nëse familja na rrit pa edukatë bashkëkohore, atëherë jemi
prishur në fazën e parë, nëse shoqëria, shkolla nuk është si duhet, atëherë
jemi dëmtuar edhe në të dytën. Nëse me martesën kemi gabuar, me profesionin
kemi gabuar, atëherë edhe socializimi i tretë është defekt, por nëse duhet edhe
renë ta shndërrojmë kujdestare, atëherë jemi prishur totalisht!
Mospranimi i rezultateve
të qytetërimit tonë, dëshmon se jemi dëmtuar tepër shumë dhe se shtirjen,
mungesën e sinqeritetit, mungesën e ndjenjës së drejtësisë dhe pranimin i së vërtetës,
na shkakton dhembje dhe parapëlqejmë të jetojmë me vetgënjim, sepse kjo është
më e lehtë dhe nuk lejon ndryshimin!
Patriotizmi
modern është respektim i ligjeve demokratike në shtëpi, ndryshe, në familje përgatitet
rrënimi i shtetit!
**************************
Letër burrave (I) te lulu
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen