E përmuajshmja
berlineze "Berlinische
Monatsschrift" u shtroi këtë pyetje intelektualëve gjermanë:
"Çfarë është iluminizmi?" (Was ist Aufklärung?) dhe në vazhdim pasoi një debat politik, që mbizotëroi krejt epokën
iluministe. Ajo pyetje nxiti së pari Mose Mendelssohnin për një përgjigje. Në dhjetor të vitit 1784 u
bë publike përgjigja e famshëm e Immanuel Kantit në të njëjtën revistë, e cila
edhe sot është aktuale, si edhe atëherë.
Immanuel Kant
"Përgjigje pyetjes:
Çfarë është iluminizmi?"
ILUMINIZËM është dalja e njeriut nga gjendja e
miturisë, që i ka shkaktuar vetes me fajin e vet. Mituri është paaftësia për t’u shërbyer me mendjen
vetjake pa drejtimin e një tjetri. Me
fajin e vet është shkaktuar kjo mituri, kur shkaku i saj nuk gjendet në
mungesën e mendjes, por te mungesa e vendimit dhe guximit për ta vënë në
përdorim atë pa u drejtuar nga një tjetër. Saper
aude! Ki guxim të jesh i mençur! Ki guxim të dish. Kjo është motoja e
iluminizmit!
Përtacia dhe burracakëria janë shkaqet, pse një numër
kaq i madh i njerëzve, edhe pse natyra qysh moti i ka shpallur të lirë nga
drejtimi i huaj (naturaliter majorennes),
megjithatë pëlqejnë të mbeten të mitur gjatë gjithë jetës dhe kjo është arsyeja
pse të tjerët e kanë aq të lehtë të ngrenë veten në tutorë të tyre.
Është shumë komode me qenë njeriu i mitur. Nëse unë
kam një libër, që ka mendje për mua, një klerik, që ka ndërgjegje për mua,
një mjek që vlerëson për mua dietën, e kështu me radhë, atëherë
unë nuk do të kem më nevojë të përpiqem vetë. Thjesht, nëse unë mund të paguaj,
unë nuk do të kem nevojë të mendojë; të tjerët do të marrin përsipër për mua këtë
detyrë të mërzitshme.
|
Ecore |
Pastaj pjesa dërmuese njerëzimit (duke përfshirë këtu
krejt gjininë e bukur) hapin drejt pjekurisë (moshës madhore) konsiderojnë jo vetëm të mundimshëm, por edhe të rrezikshëm dhe për këtë kujdesen tutorët e lartpërmendur, të cilët kanë marrë përsipër mbikëqyrjen me
aq dashamirësi. Ata pasi të kenë budallosur bagëtinë e tyre dhe
pasi ta kenë ruajtur me kujdes të madh, në mënyrë që këto qenie të urta të mos
kenë guxim të bëjnë një hap jashtë ecores
(foto
majtas, pajisje plastike, metali apo druri, ku futen fëmijët për të mësuar ecjen,
fjala u desh të shpiket, shënim im) në të cilën i kanë mbyllur, ata u tregojnë pastaj atyre rrezikun, i cili u
kanoset, nëse provojnë të ecin vetë.
Natyrisht rreziku nuk është edhe aq i madh dhe pas disa rrëzimeve, në fund,
do të mësonin të ecnin vetë, por edhe vetëm një shembull i kësaj natyre, i bën
ata të druajtur dhe në përgjithësi, i tremb nga të gjitha provat e mëtejshme
Prandaj për çdo njeri
veç e veç është e vështirë dalja nga kjo mituri, e cila është bërë pothuajse
natyra e tij. Ai madje e dëshiron atë me gjithë zemër dhe tani për tani është realisht
i paaftë për të përdorur intelektin e tij, sepse atij kurrë nuk i është lejuar
të provojë vetë. Rregullat dhe formulat, këto mjete mekanike të përdorimit
racional, ose më mirë të keqpërdorimit të aftësive të tija natyrore, janë
pranga në këmbët e tij, që e mbajnë atë në këtë mituri të vazhdueshme. Kush do
t'i hidhte ato, edhe mbi hendekun më të vogël, do të bënte një kërcim të
pasigurt, sepse ai për kërcime të tilla të lira, nuk është mësuar. Prandaj ka
vetëm pak veta, që i kanë dalë me vetedukimin e shpirtit të çlirohen nga
mituria, madje edhe të ecin me hap të sigurt.
Në anën tjetër, një shoqëri mund të ndriçohet
(kthjellohet, vetëdijesohet, iluminohet), nga vetvetja, madje është pothuajse e
pashmangshme, nëse asaj i lejohet liria. Për shkak se do të gjenden gjithmonë
disa që mendojnë vetë, madje edhe nga turma e madhe e atyre të paravënë si tutorë
zyrtar, të cilët pasi të heqin qafe vetë zgjedhën e miturisë, do të përpiqen të
përhapin frymën e një vlerësimi racional të vlerave të veta dhe të prirjes së
çdo njeriu për të menduar vetë për vete.
|
Zgjedha |
Vlen të theksohet kjo: shoqëria e cila është futur prej tyre
nën këtë zgjedhë, detyron vetveten për të mos dalë nëse disa nga tutorët e
nxisin, që vetë janë të paaftë për kthjellim (iluminim.) Është shumë e rrezikshme mbjellja e paragjykimeve. Ato në të vërtetë në fund u hakmerren atyre vetë, ose pasardhësve të atyre që ishin autor të tyre. Prandaj një shoqëri mund të arrijë te iluminizmi vetëm dalëngadalë. Me një revolucion ndoshta mund
të shkaktohet rënia e despotizmit personal, si dhe t’i sjellë fundin shtypjes së
zymtë për fitim dhe pushtet, por kurrë nuk mund të arrihet në reforma, që do të
ndryshonin mënyrën e të menduarit, ndërkaq
paragjykimet e reja, do të shërbenin, si edhe të vjetrat, për të drejtuar
verbërisht morinë e madhe, e cila nuk
mendon vetë.
Për këtë iluminizëm
nuk kërkohet asgjë tjetër pos lirisë. E asaj më të padëmshmes nga të gjitha
liritë, domethënë liri për përdorimin publik të intelektit vetjak në të gjitha
fushat. Mirëpo, unë dëgjoj nga të gjitha anët thirrjen: mos mendoni (rezononi). Oficeri ushtarak thotë: mos mendoni, por stërvituni! Nëpunësi i
taksave thotë: Mos mendoni, por
paguani! Kleriku thotë: Mos mendoni,
por besoni! (Vetëm një Zot i vetëm në botë thotë: mendoni
sa të doni dhe për atë që doni, por jini të ngueshëm
(dëgjueshëm!) Pra këtu kemi
kudo kufizime të lirisë. E tani, cili kufizim është pengues për iluminizmin, cili jo dhe cili është i volitshëm
për të? Unë përgjigjem: përdorimi publik i
intelektit duhet të jetë gjithmonë i lirë dhe vetëm ai intelekt mund të sjellë
iluminizmin në mesin e njerëzve, ndërkaq, përdorimi
privat i të njëjtit, duhet megjithatë, të jetë shpesh shumë i kufizuar, por
pa e dëmtuar në mënyrë të veçantë përparimin e iluminizmit.
Me përdorimin publik të intelektit vetjak kuptoj dikë, i
cili si dijetar, e bën para botës së
lexuesve. Përdorim privat quaj unë përdorimin që atij i lejohet të bëjë nga
intelekti i tij në një post, ose në zyrën
civile, që i është besuar atij.
Tani, për disa veprimtari, të cilat kryhen për shoqërinë,
është i domosdoshëm një mekanizëm, sepse disa anëtarë të bashkësisë, duhet të
sillen plotësisht pasiv në mënyrë që të mund të drejtohen nga qeveria me një
marrëveshje të sajuar për qëllime publike, ose së paku, të pengohen në shkatërrimin
e atyre qëllimeve.
Natyrisht se aty nuk është e lejuar të mendohet, por
njeriu duhet të jetë i dëgjueshëm. Por, në qoftë se ky anëtar i aparatit
shtetëror konsiderohet njëkohësisht edhe pjesëtar i bashkësie së tërë, madje
edhe i qytetarisë botërore, vijimisht
në cilësinë e një dijetari, natyrisht se ai mund të mendojë (rezonojë) duke iu drejtuar një publiku me intelektin e vet
nëpërmjet shkrimeve, edhe atë, pa shkaktuar dëme në aktivitetin,
për të cilin ai pjesërisht është caktuar si anëtar pasiv.
Kështu që do të ishte shumë e kobshme, nëse një oficer, të cili i është
urdhëruar gjatë shërbimit diçka nga sipërori, të logjikojë për nevojën dhe
dobinë e urdhrit: ai duhet të jetë i dëgjueshëm! Por, nuk është e drejtë në
cilësinë e dijetarit t’i ndalohet për të bërë vërejtjet e veta mbi gabimet e
bëra gjatë operacioneve luftarake dhe t’ia parashtrojë atë publikut të vetë për
gjykim.
Qytetari nuk mund të refuzojë
pagesën e taksave që i janë ngarkuar. Madje edhe një qortim zhurmëmadh kundër detyrimeve
të tilla, që duhet të kryhen prej tij, mund ndëshkohet si një skandal (pasi ai mund
të çojë në një refuzim të përgjithshëm). Megjithatë, ai nuk vepron kundër obligimit
të qytetarit, kur si dijetar, shpreh publikisht mendimet e tij kundër imponimeve
të pavend, ose dhe padrejtësisë së tyre.
Immanuel Kant 1724 - 1804, filozof
në Königsberg (Kënihsberg).
»Berlinische Monatsschrift«, dhjetor 1784, faqe. 481-494. Përktheu dhe
shqipëroi nga gjermanishtja, Lis Bukuroca.
----------------------------------------
Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen