Në
rastin më të keq, mund të futet në Veri ushtria serbe dhe ruse. Natyrisht nëse tashmë
pos spiunëve, nuk janë futur edhe ushtarë civilë. Si u fut ushtria ruse në Krime
apo edhe në Siri. Çfarë do të pasonte? Nuk do të
niset Lufta e Tretë, por humbet Veriu. Serbisë
dhe Rusisë i vihen sanksione! Se mund të ndodhë një skenar i tillë, e dëshmojnë
kërcënimet e qeveritarëve serb, por kryesisht guximi për t’u kërcënuar, urrejtja
dhe përbuzja e hapur ndaj shqiptarëve. Kjo domethënë se ata nuk bëjnë
asnjë dallim nga Millosheviqi, por duan të fitojnë diçka nga ajo që ka humbur
ai.
Pse
mund të ndodhë diçka e tillë? Serbia ka kuptuar pushtetin e vet, ndikim që ka jashtë,
që shihet edhe me pengimin e pranimit të pavarësisë dhe duke pranuar bisedimet pa
u kthyer së paku mbetjet e mijëra të varrosur
nëpër Serbi, ndihmuam rehabilitimin e saj, por edhe shpërfilljen e krimeve dhe
masakrave. Sot ato as nuk përmenden, ose vetëm rrallë dhe vetëm nga shtete, që mund
të quhen mike. Gjersa në Kosovë luftohej barbarisht për karrierë, ata luftonin
për interesa nacionale dhe sot jemi aty ku jemi. Qeveria në një drejtim,
Kryetari në tjetrin, opozita në një tjetër.
Rrethanat
politike po ndryshojnë dhe ekstremizmi i djathtë është në rritje. Tani shfaqet si fashizëm light, përndryshe mund të ndalohen si parti, por me marrjen e
pushtetit, do të shpalosin qëllimet e tyre të vërteta. Ardhjen e tyre në
pushtet, do ta paguajnë popujt e vet,
siç e paguan gjermanët, italianët, pjesërisht edhe serbet! Në partitë e
tyre, nuk ka dijetarë të mëdhenj, por kryesisht populistë të mëdhenj!
E
djathta ekstreme tani për tani ka dy armiq: refugjatët dhe islamin. Pasi të kenë
mënjanuar frikën prej tyre, do t’i kthehet popullit të vet dhe njerëzve që
mendojnë ndryshe, ose që duken ndryshe. Kjo ecuri është në natyrën e
ekstremizmit dhe në psikologjinë e nacionalizimit.
Barrikadimi
nuk i konvenon as Kosovës, as Serbisë. Humbja ekonomike do të jetë e ndërsjellë
dhe kjo mund të rrezikojë gjithashtu paqen në Ballkan. Meqenëse integrimi i Veriut
nuk mund të bëhet me masa administrative, atëherë pajtimi i Serbisë, me nxënësit
e Millosheviqit, nuk do të arrihet kurrë. Edhe Goebbels do të kishte vazhduar
politikën e fyrerit! Edhe ata vazhdojnë me politikën që njohin më së miri, nacionalizmin,
me shpresë se ekstremizmi fiton në Europë dhe krijojnë atë çfarë nuk mundi
Millosheviqi, Serbinë e Madhe. Mohimi i krimeve në Kosovë, tregon qartë synimet
e tyre.
Shikuar
sipërfaqësisht, duket se lëvizja e kufirit, mund të paqësonte dy popujt. Në afat
të shkurtër kohor mund edhe të jetë ashtu, por pas disa viteve, do të dihet se ku
nisi ndryshimi i kufijve, por nuk do të dihet se ku do të përfundojë. Meqenëse
Trump Unionin Europian e përjeton si konkurrente, atëherë duke përkrahur zhvendosjen
e sovraniteteve, do të programonte edhe shpërbërjen e Europës. Kjo do t’ ishte
dhurata më e madhe, që mund t’i bëhej Putinit.
Si
duhet vepruar? Ai që do të gjente një zgjidhje dhe
pajtimin e dy popujve pa ndryshim të kufijve, do të meritonte Çmimin
Nobel. Ai që do të garantonte se
ndryshimi i kufijve do të lokalizohej dhe nuk do të ndodhte në vendet tjera,
edhe ai meriton Çmimin Nobel. Por, një mundësi ekziston: nëse garantojnë superfuqitë
se nuk do të lejojnë ndryshime tjera, atëherë kjo do t’u konvenonte të dyja
vendeve. Ata që janë të bindur se pajtimi mund të arrihet duke detyruar
Serbinë, duhet të tregojnë mënyrën se si mund të përjashtohet Rusia nga kjo lojë.
Ajo aty hakmerret edhe për sanksionet, edhe për Krimen.
Ata
idealistë duhet të kuptojnë se kemi një elitë, që nuk respektohet në botë dhe me
të cilën sot nuk mund të mburremi: as për aftësitë e tyre, as për integritetin!
Nuk mund më shumë të dëmtojë Serbia, sa mund ta bëjnë ftesat për gjykatën e
Hagës. Janë humbur shumë mundësi, janë dëbuar shumë njerëz të aftë nga politika
dhe sot jemi edhe viktima, edhe të shpërfillur.
Në këtë gjendje në Kosovë argëtohen dhe pasurohen! Arsyetohen dhe shahen në mes
vete. Punësojnë më të afërmit dhe përjashtojnë më të mirët!
Taksat
janë vetëm pretekst. Ato nuk dëmtojnë aq shumë ekonominë serbe. Madje, edhe
sikur ta dëmtonin, është arrogante kërkesa për pezullimin e tyre. Domethënë,
unë të urrej, unë të dëmtojë aty ku mundem, por ti mos më ceno interesat e mia.
Kanë të drejtë, diku 10 miliardë euro janë transferuar në Serbi qysh nga
mbarimi i luftës. Armatimi i Serbisë
është bërë me pajtimin e politikanëve dhe ka financuar populli shqiptar. Pas
luftës iu lejua Serbisë të sillet sikur Kosova të ishte regjion i saj. Në fakt,
asaj i qe lejuar vrasja dhe dëbimi i shqiptarëve që nga viti 1912, deri në
vitin 1999. Pas vitit 2000, dëbohemi nga politikanët tanë, jo me dhunë, por ikim
vullnetarisht! Arsyet dihen. Shteti është i privatizuar dhe është pronë e disa
klaneve! Nuk është çudi! Këta, pa pikë turpi, krijuan armatën e veteranëve, që vjedh Kosovën
muaj për muaj. Eh, çfarë e mirë mund të pritet nga kjo elitë, që duron grabitjen
e ekonomisë nacionale?!
Libra nga Lis Bukuroca:
Ngjyrat e dashurisë, roman erotik vetëm për lexues të moshës madhore
Hijedritat e jetës, poezi, 2010-2017
Letër burrave (1) mbi diskriminimin gjinor dhe pasojat për shoqërinë
Letër burrave (2) mbi diskriminimin gjinor dhe pasojat për shoqërinë
Die Asylbewerber, (Refugjatët), komedi, gjermanisht
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen