Një
aplikacion mund të përdorin miliarda veta, e megjithatë, ai nuk mbaron kurrë. E
merr njëri, e fshin, e rimerr, por ai vazhdon të mbetet ashtu si ishte në
fillim. Kur të zbulojmë edhe një lakror, me të cilin ngopet krejt njerëzimi dhe
ai mbetet përsëri për nesër, për javën tjetër, për vitin tjetër, për njerëzit
tjerë, e kështu me radhë, atëherë do të merrnin fund luftërat e tryezës, sepse
askush nuk do të kishte nevojë të sulmojë një vend tjetër për t‘ia marrë
flijën, picën, orizin, patatet, ujin, vajgurin, ndonjë tavë me mish të skuqur,
arin, diamantet, tartufin apo matufët, që si skllevër të devotshëm, kujdesen për
mirëvajtjen e pushtimit, për tjetërsimin dhe zbutjen e të robëruarve.
Derisa
çdonjëri, më saktë, derisa çdonjëra të gatuajë për disa veta, shumë grupe njerëzish,
do të lakmojnë tavën e huaj, madje edhe turshinë! Zbulimi i Vrimës së Zezë nuk
është asgjë në krahasim me zbulimin e atij lakrori, që do të quhej “iLaknur”,
ose “Winlaknur” me kontorno, “iKos I”, “iVar II”, ose “iSpec fërg III!”
Vrima
e Zezë është një pajisje gjigante e perëndive, ku përfundon qenshmëria e grimcave, e dritës dhe planetëve. Aty riciklohet,
përpunohet dhe rikrijohet çdo gjë! Se ajo Vrimë ekzistonte, ka ditur i pari
Dani, shqiptar, i cili vdiq para një muaji vetëm përkohësisht dhe kur u kthye, më
shkroi një mesazh. Dani e quante, Gropë e Zezë, kurse me Vrimën lidhte dika
tjetër, që vetëm ai e din.
Nuk
ka asnjë dyshim se për Vrimën e Zezë, që gjoja u zbulua tani, kanë ditur
shqiptarët edhe më herët. Ato dikur i quanim hapsane, pastaj Goli Otok, ose Spaç.
Ka
dymijë vjet që Vrimat e Zeza i kemi fat, por me ndihmën e Perëndimit, fituam
lirinë dhe tani me ndihmën e Putinit po braktisim Vrimën (sipas këshilltarit të
Ramushit) dhe punësohemi në Perëndim. Përndryshe Putini është vëlla i Erdoganit
dhe Vuçiqit, kurse Erdogani është vëlla i Ramës dhe Hashimit.
Atje
para ikjes nga vrima shohin një dritë, që ndriçon, si e qiriut të Naimit, e
cila në fund, çdo të arratisur, e bën disi homo duplex: në një anë harbohet nga
gëzimi që ia doli të ikën, në anën tjetër, tërbohet, digjet, shkrihet dhe nuk i
zen bytha vend për atë Vrimë, që nuk duhet as teleskop për ta parë, por është
thjeshtë aty, e zezë me qindra këshilltarë, me qindra ministra dhe zëvendës, që
përpijnë çdo materie me vlerë, por edhe ajrin, si dritën Gropa e Zezë.
Të
përpish dritën si Supergropë, nuk është e vështirë, por të përpihen thasët me
miliona, në pikë të ditës, je Vrimë e tej Vrimës! Je Kryevrimë e kontinentit!
Pasi
u çliruan dardanët, ia nisën krijimit të birave në komb dhe identitet. Perëndimi
i vështroi i habitur dhe ia vuri kapakun Vrimës! Dardanët u mbyllën brenda dhe
nuk dinë më as kush janë, as ku duhet të shkojnë. Për fat këshilltari i qetësoi
dhe u tha: “Na pe marojmë ni komb t’ ri me emën nga serbishtja, emni shiptar, na
ka sjellë viç të zeza dhe na ka bâ birë t’ zezë! Tash mos ikni se nuk kini nevojë.
Gati e marum kombin, e autobusat nuk na duhen mâ!”
Por
çfarë më pat shkruar Dani për Vrimën e Zezë? Ja një fragment: ”Kur u afrova
aty, (sigurisht ishte shumë i emocionuar sepse e kishte shkruar me germa të
mëdha), pash ni gropë të madhe t‘ zezë, ku hynin krejt njerëzit e vdekun, por
mu më kthyn mbrapa se ni zâ tha: “Dardanët nuk mujnë pa viza!” Atje nuk pe
dishin se kemi ndryshu emnin! Gropa ishte e madhe sa nuk mun me marr me men. Në
fund të saj shihej ni dritë. N‘ anën tjetër t‘ gropës, dilshin xhinia taze dhe
çoheshin me autobusë të Kosovës për galatikën tjetër, ndoshta në Andromed.”
Meqë
lajmi për Vrimën e Zezë mori dhenë i shkrova Danit dhe i kërkova falje, pse nuk
e kisha bërë publike zbulimin e tij para shkencëtarëve. Dihet se shumë të
vdekur e të penduar, kanë raportuar për ndonjë tunel, për ndonjë dritë në fund,
por Dani ishte i pari që e quante Gropë të Madhe dhe i pari që nga një cep,
kishte vështruar brenda dhe i pari që ishte kthyer pse nuk kishte vizë, dhe i
pari që kishte parë autobusët e Kosovës, që po bartnin vetëm dardanë. Mirëpo, meqenëse
Dani vdiq si matuf dhe u rizgjua si gjeni, i shtrova këtë pyetje:
“A
është e mundur të zbulojmë “iLaknurin”, ku hamë disa miliarda veta, por që nuk
mbaron kurrë. Më shkruaj me shkronja të vogla të lutem!
“Po,
jam i bindun”, shkroi Dani pas disa minutave, “por duhet edhe pak kohë. Ma mirë
është më provu me fli, se duhet ma pak kilobyte dhe flija është specialiteti i
parë në botë, që e kanë gatu iliret dhe quhet fli, sepse Iliri flinte, e gruja gatunte!
Nuk duhej kurxha: ujë, kripë dhe tlyn! Natyrisht edhe drutë që gruja i mirrte
në mal. Nëse e bajnë laknur, petat duhet m’u kanë shumë të holla, sa nuk shihen. Nanopeta! Vetëm
kur të çiten niçin shtresa nja mbi nja, atëherë shihet pak, thua se asht vetëm
nja!“
Atëherë
duhet t’i quajmë “iLaknuri Kategorik”, ose “Imperativi i “iFlijës, apo jo?
„Po,
mundet“, më shkroi Dani. Nëse ia dalim me fli, atëherë mujmë me gatue edhe
laknur me mish të grimë, me presh, spanak, hitha, labot, kepë dhe kur ia dalim
me kungull, përfundon çdo anmiqësi në planetin tonë! Kunglli asht shumë me
ransi, sepse asht simbol i inteligjencës! Kshyre pak Kuvendin! Njerzit ma t’ mirë
janë aty!”
Eu,
sa bukur, i shkrova Danit. E përshëndeta dhe e falënderova pse pikërisht mua më
kishte treguar për këtë zbulim revolucionar.
“Por
kam ni dyshim”, më shkroi përsëri Dani. Ajo Gropa e Zezë, nuk mun m’u kanë as Gropë,
as Vrimë.
Pse
Dan, çka ndodhi?
Jo, ngo ktu! Universi asht gropë
dhe n’grop nuk mun me pas gropë, apo m’merr vesh ti?
Aha!
Hajt se t’ shkruj ma vonë
se pe kshyri pak teorinë e relativitetit me marr vesh, a mujnë me ekzistu dy
supa në ni supë, dy laknurë në ni laknur...Tung!
Obobo,
do ta mbyllë Vrimën Dani, thash vet me vete, mirëpo merreni me mend tani: sikur
të kishim zbuluar atë lakror më herët, atëherë miliona dollarë nga autostradat
shqiptare, nuk do t’i merrte askush. As nuk do të rrezikonte njeri jetën për të
ikur si i çmendur me thasë! Thjeshtë, aq sa do të merrnin politikanët, (merrnin
sepse ata nuk futen si hajna, domethënë nuk i vjedhin, por i merr dikush për ta
me çanta dhe ata mund të bëjnë be e rrufe, se nuk i kanë marrë) aq shumë do të
kishte edhe populli, sepse qytetarët do të merrnin nga thesi vazhdimisht dhe ai
nuk do të zbrazej kurrë.
Në
këtë rast duhet vetëm një restorant planetar, vetëm një, i madh sa Kosova, që
gatuan për krejt botën e nxjerr tym sa Serbia mezi shihet, kështu njerëzimi ka mjaftë
kohë për të qëndruar në facebook, e jo të merret me gjësende tjera të pa
rëndësishme, ose të rrezikojë burgun për vjedhje banale! Madje, gati askush nuk
duhet më të lexojë një libër, sepse kur lexon njëri, tjetri e merr aplikacionin
e asaj dije nga ai. Në pyetje do të jetë vetëm dëshira! Kur të arrihet kjo,
atëherë nuk do të ekzistojë as vdekja, sepse njeriu nuk mund të mplaket, po mbeten
gjithmonë i ri.
Në
atë epokë bashkëshortësisë duhet caktuar afatin e skadimit, sepse burri dhe
gruaja mund të çmendin njëri tjetrin dhe t’i hajë dreqi! Me të përfunduar njëra,
bëhet dasma për tjetrën; të njëjtën ditë. Me një shpenzim. Aty ku
shkurorëzohen, aty edhe martohen sepse njeriu nuk do të jetë më vetëm njeri,
por “iNjeri!”
Pra,
derisa nuk zbulohet “iLaknuri”, do të vidhet, do të pushtohet, do të vriten
njerëzit dhe zakonisht, hajdutët më të mëdhenj, do të deklarojnë se do të luftojnë
hajninë dhe krimin. Arsyeja? Ata kanë lindur me aplikacion të instaluar “iHajn I!”
Kuveti i zotit!
Më shumë nga Lis Bukuroca:
Hijedritat e jetës, poezi 2010 – 2017
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen