Sot, më 12 maj, mbajtëm si Shtab i Përgjithshëm i
Individëve Malorë një takim, ku u shqyrtuan masat, që po përgatit shteti kundër
popullit në mal. Ne, njëzëri, nën kryesin time, domethënë të Arushan Dardanit, si
komandant, njoftojmë Gjarprin, Kitrën dhe Dhelprën si vijon:
Pas masakrës që u bë kundër pelushve
të mi, duke respektuar në germë dhe fjalë nenet e Kanunit të Lekë Dukagjinit,
vrava 28 dele. Ne nuk bazohemi në kushtetutë, siç nuk e bëjnë as individët jomalorë.
Kanunin që nuk ka prejardhjen nga bjeshkët tona, nuk e zbatojmë as ne dhe për
këtë jemi krenarë edhe me individët malokë.
Nuk i vramë për t’i ngrënë siç
veproni ju, por thjeshtë për t’i dhënë fuqi shprehëse dhembjes tonë, sepse ju në përgjithësi, nuk
keni respekt ndaj jetës dhe gjallesave, që përpiqen të mbijetojnë në Kosovë. Vrasja
e këlyshëve të mi, dëshmon se ju jeni trima me të dobëtin, me të pafuqishmin! Ju
vrisni edhe qenë vetëm pse jetojnë. Pra, ju nuk ndjeni asnjë respekt ndaj Individëve
në mal dhe asnjë ndaj kafshëve shtëpiake në Kosovë. Ju nuk u zemëruat për jetën
e deleve, por i përkthyet ato krijesa në
lekë dhe deklaruat se dëmi ishte 3.000 euro, e jo 28 individë nga bagëtia dhe bujqësia,
të cilave ua merrni leshin, qumështin dhe ua hani mishin. Ju i preni në qafë me
një thikë të madhe në mes të oborrit dhe e ndani me atë thikë, në dhjetëra copa!
Sulmi i parë ishte vetëm pasojë
logjike, e një individi, që rritet dhe edukohet në tokën dardane. Ne kemi
jetuar dhe mbijetuar këtu qysh nga kohërat e lashta. Jetuam me ju në këtë tokë kur
ishit pellazgë, kur u bëtë dardanë dhe kemi telashe, kur po bëheni me komb
kosovar, si i konvenon Serbisë. Kemi ndarë fatinë e përbashkët: mbijetuam romakët,
bizantin, osmanët dhe serbet, e tani vjen një me kombësi kosovare dhe masakron fëmijët
e mi pa pikë faji.
Sulmin e dytë që bëmë ne kundër deleve,
e bëmë për t’ i sjellë në kujtesë individëve jo të malit, Çakorin, ku ne dikur
kishim qendrën e Shtabit tonë. Arsyeja? Atje kanë mbetur shumë pjesëtarë të
fisit tonë arushan, por pse sulmojmë pikërisht delet? Sepse delja nuk ka asnjë
faj dhe nuk mund të akuzohet për asgjë. Delja nuk ka asnjë mëkat në biografinë
e vet: është e butë, e urtë dhe ju silleni si ne me delet, me individët e mirë jomalorë. Madje edhe më keq. Ju nuk bëni
atentate kundër atyre, por ua vrisni shpresat, ua vidhni ëndrrat të rriturve
dhe fëmijëve! Delja është vetëm metaforë për t’ju treguar se çfarë bëni ju me
individët e urtë jashtë malit.
Sulmin e tretë e kryem, sepse
morëm lajmin se Gjarpri, jo se do të kthejë hapësirën tonë malore, ku ne
jetonim, por se do t’i falë edhe Veriun e Kosovës, ku ne zakonisht verës bëjmë pushimet.
Ne shprehim keqardhje për traumatizimin e disa individëve në mal, që kanë
përcjellë plojën tonë të deleve. Jemi të vetëdijshëm, se për shembull, para
lepujve, Individi i malit nuk duhet të sillet ashtu, por zhgënjimi ishte tepër
i madh dhe kishim humbur toruan. Motoja jonë tani e tutje është: “Ja vdekje, ja
liri!” Këtu, nëpërmjet kësaj komunikate, u kërkojmë të falur të gjithë individeve
dhe individëve të malit që zvarriten, që kërcejnë apo që fluturojnë, por që kanë
përcjellë ngjarjen dhe janë trishtuar me skenat. Në fund u tërheqim vërejtjen edhe
disa lopëve dhe gomarëve, që po mbajnë tubime, përgatisin projekte për të bërë
një gjenocid kundër Individëve Malorë të pafajshëm.
Ju mund të na sulmoni me polici,
me ushtri dhe mund të ftoni edhe NATO-n, por ne do të luftojmë për të drejtën e
fëmijëve tanë, për t’ u rritur dhe
jetuar pa pasur frikë nga individët gomarë,
që nuk jetojnë më në mal! Këta janë mercenarët më të rrezikshëm.
Shtabi
i Veçantë i Individëve Malorë
Sharr,
më 13.05.19
Arushan
Dardani, Drejtor Politik i Individëve të Malit
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen