Cilat
motive përcaktojnë me të vërtetë veprimet tona?
SOCIOLOGJIA
NË ZVICËR
Sociologjia
e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale
Nga gjermanishtja Lis Bukuroca
Shpjegim i përkthyesit: Termi „fitness“
që përdor autorja, është lënë si në origjinal, në gjermanisht. Fjalori i
gjermanishtes „Duden“, nuk e ka në kuptimin e përdorur në këtë trajtesë, por i
qaset aftësisë fizike dhe gjendjes trupore. Ashtu është edhe me fjalorin „Larousse“
të frëngjishtes. Fjalori i gjuhës italiane te gazeta “la reppublica” e shpjegon kështu: “…fitnes“
është tërësia e tipareve gjenotipike dhe fenotipike, që e bëjnë një organizëm
të përshtatshëm për mbijetesë dhe për riprodhim në një mjedis të caktuar. “Fitnes”
është gjithashtu një gjendje e efikasitetit dhe ekuilibrit psikofizik.“ Kështu
duhet kuptuar termin në këtë përkthim.
“Gjenotipike”,
– që bazohet në gjene. “Fenotipike” në gjenetikë domethënë: sasia e të gjitha
tipareve te një organizëm, jo vetëm ato morfologjike, por edhe fiziologjike, si
dhe karakteristikat e sjelljes. Fjala popullatë nuk nënkupton popullsinë, por
një grup të gjallesave në përgjithësi. “Haplodiploidi” është një formë e
përcaktimit të gjinisë, ku njëra gjini është bartëse e vetëm një grupi të kromozoneve,
kurse gjinia tjetër e dy grupeve.
Hyrje
1.1 Shpjegimi i pyetjes
Kjo trajtesë merret me pyetjen se a ekziston një altruizëm i njëmendtë
apo pas kësaj sjelljeje, në shikim të parë vetëmohuese, gjendet gjithmonë një
motiv egoist, rrjedhimisht një favorizim i vetvetes. Sepse, edhe nëse bëjmë
diçka të mirë për të tjerët, është e mundur se e bëjmë atë në radhë të parë për
vetveten dhe për të nxjerrë nga ai veprim një dobi, që nuk shihet, ose, sepse
presim që më vonë, bamirësia jonë të shpërblehet me një kompensim tjetër. Pra, shtrohet
pyetja, a është altruizmi i njëmendtë pjesë e natyrës së njeriut apo jo?
Trajtesa
fillon me shpjegimin e disa termeve përkufizues si dhe me shpjegimin e
koncepteve të ndryshme të altruizmit. Në pjesën kryesore, do të bëhet fjalë për
sfondin teorik të këtyre koncepteve. Në fund, aspektet do të përmblidhen në
trajtesë dhe krahasohen me njëri-tjetrin. Punimi përfundon me murkullimin, i
cili derivon nga teoritë, si dhe nga trajtimi i çështjes.
1.2
Paradoksi i altruizmit
Nga
pikëpamja e teorisë së evolucionit të Darvinit, altruizmi paraqet një paradoks,
sepse kur dikush vepron në mënyrë altruiste, i jep një personi tjetër në
dispozicion resurset e veta pa marrë një kompensim. Meqenëse me një akt të
tillë zvogëlohet suksesi i tij riprodhues, sipas teorisë së evolucionit,
qëndrimi altruist, do t‘ ishte dashur të zhdukej gjatë periudhës së evolucionit
(Fetchenhauer & Bierhoff 2004, fq.131). Edhe Smith, qysh në vitin 1978, shtroi
pyetjen, pse seleksioni promovon mënyra të sjelljes, që duket se nuk i shërbejnë
mbijetesës së individit. Nga pikëpamja e sociobiologjisë, është shumë e pamundur,
që një individ, të mundë të bëjë diçka, që do të dëmtonte mbijetesën e tij
(cituar sipas Wuketits 1997, fq. 82). Edhe vetëvrasja, e cila është e rrallë te
njerëzit dhe pothuajse nuk ndodh kurrë te kafshët, konsiderohet nga Wilson
(1975) si një anomali biologjike, e cila nuk është përhapur shumë te asnjë popullatë.
Nga pikëpamja biologjike, vetëvrasja është kundër produktive, sepse të gjitha
gjallesat duan kryesisht të sigurojnë mbijetesën (cituar sipas Wuketits 1997,
fq. 71)
2. Përkufizimet
2.1 Sjellja prosociale
Në psikologjinë sociale konsiderohet
si kuptimplote një ndarje e qartë ndërmjet termeve "ndihmë",
"sjellje prosociale" dhe "altruizëm", meqë ato shpesh përdoren
si sinonime. Bierhoff (2007, fq. 298f) e sheh "ndihmën" si termin që
përfshin më shumë veprime. Ai i qaset akteve, që kanë për qëllim përmirësimin e
gjendjes së marrësit të ndihmës. Aty
mund të nënkuptohet edhe ndihma, e cila bëhet gjersa ushtrohet një profesion.
Megjithatë, kjo nuk llogaritet si sjellje prosociale, sepse ky term është kufizuar
shumë. Ndihma nuk vështrohet si veprim prosocial, kur është e motivuar nga
profesioni, ose kur ushtrohet nga organizatat.
Një përjashtim bën këtu vetëm
ndihma e organizatave bamirëse, të cilat kanë si qëllim, të ndihmuarit e njerëzve
në nevojë. Termi "altruizëm" është edhe më shumë i limituar sepse qëllimi
sipëror i personit që ndihmon, duhet të jetë i dobishëm për një person tjetër.
Sjellja prosociale, mirëpo, mund të ketë diçka tjetër si qëllim sipëror, për
shembull, për të fituar mirënjohje sociale ose për të zvogëluar brerjen e
ndërgjegjes, për shembull, kur njeriu vëren një situatë emergjente, ku duhet
ndihmuar me nxitim. Te veprimi prosocial, ndihmuesi mund të jetë i motivuar nga
egoizmi, por gjithashtu edhe për shkaqe altruiste (ibid., fq. 298f).
2.2 Altruizmi
Në
sociobiologji me altruist nënkuptohet çdo lloj gjallese, që zvogëlon fitnesin e
vet për një ose më shumë qenie të tjera të gjalla. Me aftësi përkatëse fitnesi,
nënkuptohet gjithmonë suksesi riprodhues. Meqenëse me termat si altruizmi ose
egoizmi tradicionalisht përshkruhen sjellje njerëzore, kritikët e
sociobiologjisë, refuzojnë këto terma për botën shtazore. Ata janë të mendimit
se duhet pasur aftësi për të kuptuar nevojat dhe vuajtjet e të tjerëve, në
mënyrë që tregohet bamirësia dhe ofrohet ndihma. Kafshët nuk janë në gjendje ta
bëjnë këtë (Wuketits 1997, fq. 69). Në psikologjinë sociale si altruizëm
definohet vepra, kur ndihmuesi nuk përfiton nga sjellja e tij, as dobi
materiale, as psikologjike. Prandaj, kushdo që ndihmon dikë që ka nevojë, për
të mos u ndjerë fajtor ose nga frika e sanksioneve negative sociale, sipas
definicionit social-psikologjik, nuk vepron si altruist (Fetchenhauer &
Bierhoff 2004, fq. 132).
2.2.1 Altruizmi
nepotist
Altruizmi nepotist
ka të bëjë me investimin në një anëtar të familjes, ku pritshmëria e përfitimit
shprehet në fitnes jo të drejtpërdrejtë. Baza për këtë është përzgjedhja e të
afërmve (Voland 2000, fq. 100). Te altruizmi nepotist, sa më e vogël që të jetë
kostoja për altruistin, aq më e madhe është mundësia që ai të veprojë në mënyrë
altruiste, kur të bëhet krahasimi me dobinë që nxjerrë i afërmi nga vepra e tij.
(Hamilton 1964, cituar nga Wuketits 1997, fq. 93). Altruizmi nepotik njihet
edhe si ekonomi e fisit. Aty kostoja nuk sjell dobi të drejtpërdrejtë në fitnes,
por në mënyrë të tërthortë ndikon në rritjen kualifikimit. (Wuketits 1997, fq.
93). Pra, bëhet fjalë për pranimin e
humbjeve të fitnesit personal, në favor të të afërmve, por këtu përjashtohen investimet
që bëjnë prindërit në fëmijët e tyre (Voland 2000, faqe 100).
2.2.2 Altruizmi
reciprok
Sipas Voland një
altruist reciprok është një njeri, që në fillim heq dorë në favor të palëve të
treta nga shfrytëzimi i plotë i shanseve të tij të riprodhimit. Megjithatë, ai
më vonë, do të shpërblehet dhe përmbajtja, do t‘ i paguhet në një rast tjetër.
Në fund të fundit, një mbështetje e tillë e ndërsjellë, do të sigurojë rritjen
e fitnesit për të gjithë pjesëmarrësit, ku të paktën kompensohen shpenzimet e
bëra në fillim nga altruizmi (2000, fq. 99f).
2.2.3 Altruizmi
gjenetik
Altruizmi gjenetik
është një investim në grup, popullatë ose lloj, pa pritshmëri të fitimit. Pra
është fjala për një shkëmbim të fitnesit kundrejt fitnesit të huaj. Altruizmi
gjenetik, në një periudhë afatgjate çon mesatarisht në bilanc negativ fitnesi
të altruistit (Voland 2000, fq. 100ff).
2.2.4 Egoizmi
Me egoist, socio
biologët kuptojnë një qenie të gjallë që rrit fitnesin e vet në kurriz të
individëve të tjerë (Wuketits 1997, 69).
3
Sfondi teorik
3.1 Altruizmi
Sipas teorisë së seleksionit të Darvinit, duhej të zhvilloheshin vetëm sjelljet
që janë volitshme, dmth. sjelljet që ndikojnë në rritjen e fitnesit riprodhuese
të një qenieje të gjallë. Por nëse altruizmi përkufizohet si në hyrje, si një
sjellje në të cilën rritet fitnesi riprodhuese i një personi tjetër pa përfitimi
vetjak, atëherë sjellja altruiste do të ishte shumë e papërshtatshme. Kështu,
lind pyetja, a ekziston përnjëmend altruizmi i vërtetë, sepse gjithnjë mund të
shpjegohet me motive egoiste (Fetchenhauer & Bierhoff 2004, fq. 132).
Spencer ka folur për këtë qysh në vitin 1886, ku nënvizonte se një altruist
mund të ketë ndjenja egoiste dhe prandaj i quajti ato ego-altruiste. (…)
3.1.1 Altruizmi
nepotik
Te altruizmi nepotik,
i quajtur edhe nepotizëm, është fjala për investimin në një të afërm, ku
pritshmëria e fitimit shprehet në mënyrë të tërthortë. Bazën e saj e krijon
seleksionimi i të afërmve (Voland 2000, fq. 100). Kjo bazohet në prejardhjen e
përbashkët gjenetike, e cila duke u bazuar në koeficientin e lidhjes së gjakut,
mund të shprehet në "r". Në popullatat pa incest, midis prindërve dhe
fëmijëve të tyre është r = 0.5. Për shkak të tëhollimit gjenetik në bazë të
riprodhimit nga dy gjini, “r” zvogëlohet
përgjysmë me çdo brez dhe në këtë mënyrë, arrin në 0.25 midis gjyshërve dhe
nipërve, r = 0.125 midis stërgjyshërve dhe stërnipërve (ibid., fq. 5). Një
shembull i altruizmit nepotist është e ashtuquajtura "sjellje ndihmuese në
fole“ , me çfarë nënkuptohet mbështetja e riprodhimit e të afërmve në kurriz të
riprodhimit vetjak. (...)
3.1.1.1 Përzgjedhja
e të afërmve
Për të shpjeguar
se pse gjallesat më parë përkrahin të afërmit e tyre dhe jo ata të panjohur,
Hamilton futi në përdorim konceptin e fitnesit të përgjithshëm. Ai përbëhet nga
dy pjesë; nga njëra anë nga fitnesi i drejtpërdrejtë, i cili shprehet nga
suksesi individual riprodhues dhe nga ana tjetër, nga fitnesi indirekte. (...) Me
fitnes indirekt nënkuptohet ndikimi i një qenie në fitnesin e fqinjëve të vet,
shumëzuar me shkallën e afrisë së gjakut. Pra merret në konsiderim ndikimi i
përjetshëm i një individi në tërësinë e gjeneve të brezave vijuese. (…)
Seleksionimi i të afërmeve
varet nga ngjashmëria e individëve të familjes, domethënë ata duhet të kenë një
sasi të caktuar të gjeneve identike, kështu që denduria e aleleve (një nga dy
gjenet e kromozomeve homologe, shpjegim i përkthyesit) që janë të ngjashme me
gjenet e veta, në popullatë rritet, kur riprodhimi i të afërmeve inkurajohet
(ibid., P. 2). Teorema themelore e teorisë së Hamiltonit thotë se një veprim i
caktuar, ose një gjen duhet të shkaktojë një tepricë neto të fitnesit të
përgjithshëm të një individi, për të qenë i favorshëm gjatë seleksionimit. (ibid.,
f.6).
3.1.1.2
Eusocialiteti
Me eusocialitet nënkuptohet
bashkëjetesa bashkëpunuese e më shumë brezave në bashkësi shoqërore, ku vetëm
një ose disa individë shumohen. Anëtarët tjerë të bashkësisë mbeten pa
pasardhës dhe marrin përsipër detyra të ndryshme ndihmuese si për shembull
ushqimi i të vegjëlve apo ndërtimi i folesë. Eusocialiteti është i pranishëm te
insektet, sidomos te lloji i himenoptereve,
milingonat, bletët, grethat dhe mizat e mëdha. Te ato vetëm mbretërit
riprodhohen, ndërsa punëtorët zakonisht qëndrojnë steril tërë jetën (Voland
2000, fq. 73). Në sociobiologji këto fenomene të “ndihmës-në-fole” quhen
altruizëm nepotik.
Këtu nënkuptohen
mënyrat e sjelljeve vetëmohuese, efekti i të cilave ndikon në rritjen e
fitnesit tek individë të tjerë, por të afërt gjenetikisht. Në të njëjtën kohë,
altruisti ngarkohet me shpenzimet e fitnesit. Punëtoret në një shtet insektesh
janë në këtë kuptim altruistë, pasi heqin dorë nga riprodhimi i vet, ndërsa
ndihmojnë mbretëreshën në riprodhimin e saj. Megjithatë, steriliteti i përjetshëm
duket se bie në kundërshtim me teorinë e evolucionit të Darvinit.
Hamilton zbuloi se
altruizmi fenotipik mund t'i nënshtrohet egoizmit gjenotipik (Hamilton 1964,
cituar nga Voland 2000, fq. 74). Me altruizmin fenotipik nënkuptohen sjelljet
që lidhen me dorëheqjen nga shanset personale të jetës dhe riprodhimit, por në
të njëjtën kohë, duke promovuar riprodhimin e të tjerëve (Voland 2000, fq.4). Për
punëtorët e himenopterëve ky egoizmëm gjenotipik është një pasojë kompulsive (e
detyrueshme) e haplodiploidisë së tyre. Kjo do të thotë se punëtoret janë më
afërta gjenetikisht me një mesatare, që është me një koeficient të afrisë
familjare r = 0.75, se sa do të ishte me të vegjlit e vet pas riprodhimit
seksual, sepse me pasardhësit e tyre, koeficienti i ngjashmërisë gjenetike do t’ishte
vetëm r 0.5 do. Sipas parimit të
zgjedhjes së të afërmve familjar, altruizmi kontribuon me punëtoret sterile më
shumë për suksesin e riprodhimit, se sa do t‘ ishte e mundur ta bënin me
shumimin e vet.
Kështu, ata i
binden parimit të rritjes së fitnesit egoist (Hamilton 1964, cituar pas Voland
2000, fq 74f) siç është shpjeguar tashmë nën kapitullin e fitnesit total në
nënkapitullin për seleksionimin e të afërmve. Ajo që duket si altruizëm, që
kushton shumë, rezulton të jetë një "egoizëm" gjenetik i dobishëm.
Këtu, i ashtuquajturi altruizëm, ose i supozuar, është në fund të fundit një
formë e egoizmit!
3.1.2 Altruizmi reciprok
Shpesh mund të shihen sjellje bashkëpunuese në mes jo të afërmve, edhe pse këta
njerëz janë të vetëdijshëm se nuk janë të lidhur me njëri-tjetrin. Megjithatë,
altruizmi nepotik nuk mund të përdoret për të shpjeguar këto fenomene
(Fetchenhauer & Bierhoff 2004, fq. 134), prandaj nga Trivers u zhvillua
teoria e altruizmit reciprok. Sipas kësaj teorie, njerëzit dhe madje edhe disa
kafshë janë të gatshme të ndihmojnë njëri-tjetrin, për sa kohë që ata mund të
presin që sjellja e tyre, në të ardhmen, të shpërblehet në një farë mënyre
(Trivers 1971, f. 35ff). Sipas Trivers, altruizmi reciprok është dokumentuar më
së miri tek njerëzit, i cili ndodh në kontekste të ndryshme dhe i pranishëm në
të gjitha kulturat... (…)
3.1.2.1 Dilema e të burgosurit
Shembuj nga teoria e lojës tregojnë
gjithashtu se është e mundur që altruizmi të jetë i dobishëm për altruistin. Te
dilema e të burgosurit, dy grabitës të bankave kapen dhe vihen në qeli të
ndara. Ata nuk kanë asnjë mundësi për të komunikuar në mes vete. Që dy mund të
burgosen me nga dy vjet. Megjithatë, prokurori i ofron çdo të paraburgosuri
mundësinë për t’i shpëtuar burgut, nëse ai do të tradhtonte bashkëpunëtorin e
vet. Në rast të tillë, tjetri do të mbetej në burg për pesë vjet,
por nëse edhe bashkëpunëtori tradhton, atëherë që të dy do të dënoheshin me nga
katër vite. Nëse që të dy heshtin, atëherë secili prej tyre do t’i mbante nga
dy vite burg. Dilema është kjo: për çdonjërin nga të burgosurit, do të ishte më
e dobishme të tradhtonte tjetrin, por kallëzimi i ndërsjellë, do të
përkeqësonte gjendjen e të dyve. Sidoqoftë, pasi që të dy veprojnë sipas
logjikës së egoizmit, ata me siguri do të tradhtojnë njëri-tjetrin dhe
rrjedhimisht do të vuanin një dënim më të madh. Në kundërshtim me këtë situatë
unike, e cila kërkon një vendim të menjëhershëm nga pjesëmarrësit, gjallesat në
liri shpesh i ekspozohen dilemave që përsëriten si te të burgosurit. Kjo do të
thotë që problemi i njëjtë përsëritet, për shembull kur bisedohet me të njëjtin
partner biznesi disa herë. Kjo ngre pyetjen, nëse duhet të veprojë në mënyrë të
drejtë ose të përpiqet të mashtrojë tjetrin? Megjithatë, edhe në këtë
rast, të gjithë fitojnë më shumë, kur njeriu sillet në mënyrë të drejtë
(Wuketits 1997, f. 82f).
(...)
3.1.3 Altruizmi gjenetik
Voland përshkruan bashkëpunimit dhe format e ndryshme
të altruizmit duke u bazuar në objektivat e tyre strategjike dhe në logjikën e
funksionimit. Prandaj, qëllimi strategjik i bashkëpunimit është investimi në
një sjellje të përbashkët me pritje të menjëhershme të fitimit. Logjika e
funksionimit evolucionar është shpagimi direkt nga sjellja, por me përfitime
"rastësore" të palës s֝ë
tretë. Ata duke koordinuar sjelljet për dobi vetjake, promovojnë fitimet nga
bashkëpunimi. Si shembull Voland përmend një aleancë mashkullore të kafshëve
për të mbrojtur nga tronditja një tufë të gjinisë femërore. Në altruizmin
reciprok, qëllimi është që të investohet në një partner në pritje për të fituar
më vonë. Logjika themelore është shkëmbimi i fitnesit aktual për fitnesin e
mëvonshëm...
Logjika themelore e funksionimit është shkëmbimi i
fitnesit të drejtpërdrejtë kundrejt fitnesit të tërthortë. Sidoqoftë, Voland e
përshkruan altruizmin gjenetik si të pamundur. Sepse ai është një investim në
grup, popullatë ose në llojin e vet, por pa pritur fitim. Logjika funksionale e
altruizmit gjenetik do të ishte shkëmbimi i fitnesit vetjak me një fitnes tjetër.
Për këtë, sipas Voland nuk ekziston asnjë shembull. Prandaj ai përjashton, se
procesi i evolucionit do të kishte prodhuar një altruizëm të vërtetë gjenetik,
pra një altruizëm, i cili mesatarisht dhe në vazhdimësi do të çonte në një
bilanc negativ të altruistit (Voland 2000, fq 100ff).
3.2 Sjellja
prosociale te njeriu
Sipas
teorisë së Hamilton(1964, cituar në Fetchenhauer & Bierhof 2004, fq.
135) sjellja prosociale do të duhej të paraqitej vetëm nëse
individët janë të afërt nga gjaku, ose kur supozojnë se me partnerin
ndërveprues, do të kenë të bëjnë në të ardhmen. Megjithatë, kjo bie në
kundërshtim me faktin se pjesëmarrësit në një eksperiment tregojnë gjithashtu
sjellje prosociale edhe kur janë të vetëdijshëm se është fjala për një akt unik
dhe kur ndërveprojnë nën një anonimitet të plotë. Një shembull i kësaj gjetjeje
është e ashtuquajtura „lojë e diktatorit“, në të cilën një person A, merr një
shumë të caktuar parash. Këtë shumë personi A duhet ta ndajë me një person
tjetër B. Personi B pastaj informohet për vendimin e personit A, por nuk ka
asnjë mundësi ndikimi. Ata dy nuk njoftohen në mes vete as gjatë lojës, as pas
saj, pra ekziston një anonimitet i plotë. Sipas teorisë së Hamilton (ibid., fq.
135), në këto rrethana, personi A do të duhej të mbante krejt shumën për vete
dhe të mos i jepte asgjë personit B. Eksperimentet tregojnë, megjithatë, se në
shumicën e rasteve, personi A i dhuron diçka personit B. Në shumicën e rasteve
personi A ndan paratë në mënyrë të barabartë me tjetrin. Është gjithashtu
interesante se këto gjetje vërehen në kultura të ndryshme, pavarësisht shumës
së parave. (…) Fetchenhauer dhe Bierhoff vijnë në përfundimin se njerëzit kanë
një interes në zbatimin e drejtësisë dhe ndershmërisë, edhe kur
përjetojnë disavantazhe (Fetchenhauer & Bierhof 2004, fq. 135f).
3.2.2
Altruizmi dhe prosocialiteti si rezultat i përzgjedhjes seksuale
Miller
(2001, cituar sipas Fetchenhauer & Bierhof 2004, fq 138) ka sjellë një
shpjegim nga psikologjia evolucionare për paradoksin e altruizmit. Sipas tij,
gatishmëria për sjellje altruiste, mund të interpretohet si handikap në kuptim
të Zahavi dhe Zahavi (1997, cituar në Fetchenhauer & Bierhof 2004, p 138).
(...) Miller dokumenton supozimin e tij me atë, se donatorët, nuk lodhen shumë
për të marrë informata për përdorimin, përkatësisht për dobinë e asaj që kanë
falur ata. Sikur të ishte dëshira për të dhuruar e motivuar vërtetë nga
altruizmi gjenuin, donatori do të duhej të ishte jashtëzakonisht shumë i
interesuar që paratë e tij të arrijnë vërtetë tek njerëzit në nevojë. Tutje,
thotë Miller, njerëzit janë prosocialë, sepse ata parapëlqehen si partnerë
seksualë, sepse një person zemërbutë është një partner më i këndshme për jetë
dhe një prind më i mirë, se sa një person agresiv, prandaj njerëzit prosocialë
kanë shanset më të mira të riprodhimit dhe kjo është arsyeja pse përgjatë
historisë së evolucionit janë zhvilluar cilësi si prosocialiteti dhe altruizmi
(Miller 2001, cituar sipas Fetchenhauer & Bierhof 2004, fq. 138f).
3.3
Hipoteza e altruizmit empatik
Hipoteza
e altruizmit empatik supozon se emocionet empatike shkaktojnë një motivim të
vërtetë altruist, një motivim pra, i cili ka për qëllim të tjerët, për ata për
të cilët ndjehet empati, në vend se të favorizohet vetja. Mbrojtësit e
konceptit të altruizmit nuk e vejnë në dyshim se një pjesë e madhe e çdo gjëje
që ne bëjmë, duke përfshirë edhe atë që ne bëjmë për të tjerët, është e
motivuar nga egoizmi. Por ata besojnë se kjo nuk është e tëra. Ata supozojnë se
të paktën disa prej nesh, deri në një shkallë dhe në rrethana të caktuara, jemi
të aftë për një lloj tjetër cilësor të motivimit, përkatësisht një motivim me
qëllim dobinë e tjetrit. Shumë filozofë nga e kaluara dhe gjithashtu biologët
dhe psikologë në kohët moderne besojnë se ne në shpirt jemi egoistë të kulluar.
(…) Ne mund të fitojmë diçka, edhe kur shpërblimi nuk është i dukshëm. Për
shembull, në qoftë se ne shohim një person në nevojë, ajo gjendje mund të
ndikojë që ne të ndjehemi me shumë stres dhe ne e ndihmojë atë person vetëm për
të larguar stresin tonë. Ne gjithashtu mund të shpërblehemi me një ndjenjë të
mirë sa herë të jemi i ndershëm me dikë apo ta ndihmojmë. Gjithashtu duke
ndihmuar mund të shpëtojmë veten nga turpi, se dikujt nuk i kemi ofruar ndihmë
kur duhej (Batson & Shaw 1991, fq 107). Sipas Batson dhe Shaw ndihma mund
të jetë altruiste, egoiste, e motivuar nga të dyja apo nga asnjëra. Për t' iu
përgjigjur pyetjes në lidhje me ekzistencën e altruizmit, ne duhet të pikë së
pari të kuptojmë se cili ishte qëllimi përfundimtar i veprimeve
tona: favorizimi i një njeriu tjetër dhe dobitë për veten ishin
pasoja të paqëllimshme apo ndihma ishte vetëm një mjet instrumental për të
arritur qëllimin përfundimtar të vetë-favorizimit? (Batson & Shaw
1991, fq. 109) (…)
4
Diskutim
Nëse
nisemi nga teoria e evolucionit të Darvinit, do të duhej të zhvilloheshin vetëm
mënyra të sjelljes, të cilat rrisin fitnesin riprodhues (Fetchenhauer &
Bierhoff 2004, fq132). Siç kemi parë në teoritë e ndryshme, ato janë të pranishme
drejtpërdrejt ose tërthorazi në të gjitha format e altruizmit, me përjashtim të
altruizmit gjenetik. Altruizmi gjenetik është forma e vetme e altruizmit, që
mesatarisht dhe për një kohë të gjatë, shpien në një bilanc negativ të
fitnesit. Nëse sipas Voland pranojmë ekzistencën e kësaj forme të altruizmit,
atëherë kjo do të kundërshtonte logjikën e evolucionit...Voland 2000, fq.
101f). Sipas Connor dhe Curry përveç reciprocitetit dhe nepotizmit, ekziston
edhe një burim i tretë i altruizmit, përkatësisht ai i manipulimit (Connor
& Curry, 1995, cituar sipas Voland 2000, fq 102). Kështu, është e mundur që
kafshët ose njerëzit të sillen me altruizëm për shkak të supozimeve të gabuara
në mjedisin të tyre shoqëror. Individët e motivuar eksploativisht jo vetëm që
shfrytëzojnë gabimet e tilla për të mirën e tyre, por gjithashtu i zbatojnë ato
në mënyrë aktive. Një shembull i tillë është stërqoka e malit, e cila
ndihmon në rritjen e zogëzave jo të afërm. Kjo ndodh për shkak se
ato supozojnë gabimisht se po i shërbejnë vëllezërve dhe motrave të tyre. (…)
Në
të gjitha format tjera përveç altruizmit gjenetik, altruisti fiton fitnes,
qoftë direkt apo indirekt. Pyetja nëse ekziston altruizëm i vërtetë në kuptimin
e altruizmit krejtësisht pa dobi vetjake, është e vështirë për t'u përgjigjur.
(…)
Do
të ishte interesante të mësohet për motivet e personaliteteve si psh. Nënë
Tereza ose Dalai Lama. A ekzistonte altruizëm i vërtetë si tipar i qëndrueshëm
i personalitetit? A bëjnë ata që bëjnë pa dobi vetjake apo vetëm për motive
tërësisht altruiste? Ose flijimi i vet u jep atyre një ndjenjë të mirë dhe
kështu edhe dobi personale si dhe forcë për të vepruar tutje? Për fat të keq,
për këtë mund vetëm të hamendësohet.
5
Murkullim
Si
murkullim mund të thuhet se përgjigja pyetjes se a ekziston vërtetë altruizmit
i njëmendtë është e vështirë. Siç e kemi parë, nga njëra anë është një çështje
e përkufizimit të altruizmit si të tillë, nga ana tjetër varet edhe nga ajo se
cilat sjellje individuale të klasifikohen si altruiste. Batson dhe Shaw (1991,
fq. 115) refuzojnë deklaratën e stres-reduktimit dhe nuk besojnë se ne bëhemi
altruist për të hequr stresin tonë. Ata janë të mendimit se mund të
shfuqizojnë hipotezën e egoizmit universal, kur njerëzit në disa
rrethana, të paktën pjesërisht kanë si qëllim përfundimtar përmirësimin e
gjendjes së të tjerëve. Por kjo është pikërisht çështje për t’ u shpjeguar dhe
rezulton si shumë e vështirë. A ekzistojnë njerëz që ndjekin vetëm një qëllim,
vetëm rritjen e mirëqenies së të tjerëve? Dhe nëse kjo është vetëm pjesërisht e
vërtetë, si mund të ndahen këto pjesë nga altruizmi vetë-favorizues?
Mund
të pajtohemi me perspektivën sociobiologjisë, ku te të gjitha format e
altruizmit është fjala ose për shkëmbimit të raporteve, ose për rritje të drejtpërdrejtë,
ose të tërthortë të fitnesit. Arsyeja që njerëzit sillen në mënyrë të drejtë
nën anonimitet (Hasipas Milton 1964, cituar në Fetchenhauer & Bierhoff
2004, fq. 135), sipas mendimit tim, mund të jetë edhe se ata synojnë imazhin
pozitiv dhe ruajtjen e tij (Parkinson 2007, fq. 101). Një arsye mund të jetë
edhe se njeriu nuk dëshiron të shohë veten si koprrac. Sipas teorisë së
vetëperceptimit të Bem, njerëzit nxjerrin qëndrimet e tyre nga sjellja e veta
(Bem 1972, cituar nga Gass & Seiter 2011, fq. 208). Kur ata
ndajnë një shumë të parave me një njeri tjetër, ndjehen si të drejtë dhe bujar.
Këtë imazh për vetveten duan ta ruajnë tutje...
Nga gjermanishtja Lis Bukuroca, punimi integral: http://socio.ch/health/t_bsvec.pdf
----------------------------
Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen