10.11.2019

Alegoria mbi mbretin dhe pesë dijetarët e verbët

Në një mbretëri dikur jetonin pesë dijetarë të urtë, por të gjithë ishin të verbër. Mbreti i dërgoi ata në Indi për të kuptuar se çfarë ishte elefanti. Me të arritur aty, ata u shoqëruan nga një ndihmës te një elefant. Dijetarët u ndalën rreth kafshës dhe u përpoqën të krijonin një ide duke e prekur atë. 
Sapo u kthyen te mbreti, i treguan se si e merrnin atë me mend.
Dijetari i parë i verbër e kishte prekur veshin e kafshës dhe tha: 
"Elefanti është si një flladitëse e madhe." 
I verbëri i dytë, i cili kishte prekur zorrën e elefantit, e kundërshtoi: 
"Jo, ai është një krah i gjatë!"
"Nuk është e vërtetë, nga prekja ndjehet si një litar me disa qime në fund", ndërhyri dijetari, i cili kishte prekur bishtin e elefantit.
"Ai është si një shtyllë!", pohoi dijetari i katërt i verbër, që kishte prekur një këmbë.

Dhe i pesti, i cili kishte prekur trupin, tha: "Elefanti është si një masë e madhe me disa forma të rrumbullakëta!“ Ata nuk mund të pajtoheshin në mes vete se si dukej në të vërtetë një elefant. Për shkak të pohimeve të tyre kundërthënëse, dijetarët kishin frikë nga zemërimi i mbretit, mirëpo, ai buzëqeshi dhe tha:

"Ju falënderoj, sepse tani e di se çfarë është elefanti: Një elefant është një kafshë me veshë si flladitëse, me një zorrë që është sa një krah i gjatë, me një bisht që i ngjan një litari me disa qime, me këmbë që janë si shtylla të forta dhe me trup që është si një masë e madhe.”

Dijetarët tundën kokat të frikësuar pasi kuptuan se secili prej tyre, kishte prekur vetëm një pjesë të elefantit dhe se ata, ishin mjaftuar me pak njohuri.

(Ekzistojnë shumë versione dhe në kultura të ndryshme, ndryshon edhe numri dijetarëve )

Po morali?
Ko alegori tregon se bindjet tona janë individuale dhe se e vërteta është diçka tjetër nga ajo qe ne e besojmë. Duke i vënë në dyshim të vërtetat që besoheshin, Sokrati erdhi në përfundim se dinte, se nuk dinte asgjë! 

Secili nga ne ka të vërtetat e veta sepse ne i përkapim fenomenet, apo gjërat individualisht dhe i përpunojmë, i ndajmë në fragmente sipas aftësive tona. Dhe kjo është e mirë! Por ne duhet të qëndrojmë gjithmonë të hapur për perceptimet dhe "të vërtetat" e të tjerëve. Sikur mbreti të kishte pranuar një pohim si të vërtet, ideja për elefantin do të rezultonte e gabuar. Pra, kur premisa është e gabuar, i gabuar është edhe konkluzion. Në këtë mënyrë kërkonin të vërtetën filozofët. Për të mënjanuar paradokset. Një pohim duhen vënë në dyshim për të parë se ai reziston shqyrtimit të njëmendtë. Vetëm argumente e pakundërshtueshme, çojnë te e vërteta! Te argumentet nuk arrihet kurrë, kur ndalohet dyshimi.

Te urtit i ndryshojnë dhe rishqyrtojnë qëndrimet e veta vazhdimisht. Te tjerët jetojnë me bindje fikse, te palëkundura. Gjersa njeriu të kujdeset për të mbushur barkun tri herë në ditë, por jo edhe kokën së paku aq herë, atëherë ajo ecuri do të shpiejë në trashje të vazhdueshme të mendjes, ndoshta edhe të trupit, sepse truri që nuk ven në dyshim çdo gjë, beson çdo gjë.
Për gjërat që nuk i dimë dhe refuzojmë për t'i mësuar, për t'i korrigjuar bindjet, çdonjëri prej nesh, është njëri prej atyre dijetarëve të verbët!