23.12.2019

Më fal Teuta

Të kujtohet vaji i Çajupit, kruspullosur për Evgjeninë
Edhe i Goethes për Frederikën, kur humbi dashurinë
Dënesa e Dantes për Beatriçen, zemërzhuritur
Rënkimi i Petrarkës për Laurën dhe ai shpirt tronditur!

Unë përplasa derën pas, mora botën në sy
Nxituar drejt trenit, pa u përshëndetur me Ty
Ti e qetë, shpresoje, duke qëndisur atje një shami
Trupi bartej tutje dhe hidhej në largësi.

Unë ikja, por në shpirt shumë përjetime kishin mbetur

Treni merrte ëndrrat me vete, unë krejtësisht i stepur
Ai fishkëllente e dashuria jonë ende si tezë
e unë mendoja, shpirti fshihet, mu si edhe dërrasa e zezë!

Letra erdhi, kur fërfëllonte me ngut dëbora
Nën pullazin e shtëpisë, ah si më dridhej dora
Lamtumirë për këtë jetë, kishe shkruar plot zhgënjim
Hodha shishen, lëmsh si Dante, i ngrirë, deri në agim!

Me lot një mbi një palosa letra dhe disa fotografi
Për Ty ndeza zjarrin, për ta zhbërë atë dashuri
Një shpëtoi, te Prevert-i, shkruar në kopertinë
“E jotja përgjithmonë!” ruan aty ende dashurinë!


Faleminderit që në jetën time hyre e dole krenare
Qafëgjatë e ëmbëlake, plot hir si sorkadhe
Dashuritë nuk fshihen, vonë këtë e kam nxënë
Mijëra fjalë, që janë dhe kanë ngelur pa u thënë!


Nuk di si harroi Çajupi dhembjen për Evgjeninë
Sa net zbardhi Goethe, kur humbi dashurinë?
E Dante e Petrarka pa dashuritë e tyre hyjnore?

E unë? Tani, edhe pse nuk duhet, unë të rikujtoj prore!


Ishe dhe mbete shtojzovalle, Teuta Mbretëreshë
Aq vonë të shkruaj, përkulem, më fal Hyjneshë
I hidhëruar me largimin e beftë në rini
Oh Teuta, më fal të lutem, gabuaka njeriu edhe në dashuri!

07.10.2012


Nga përmbledhja me poezi