10.01.2020

Nanusja - Shtatë parimet e dashurisë

Aktdëshmi (IV)


kur dole nga duart e nënës, duhej për ty një nanë e re
që do të vazhdonte tutje, që për ty do bëhej pre

një nënë, që natën do të shndërrohej në nuse
që për ty, do pranonte rregulla poshtëruese

ajo duhej të shërbente, si nëna kur të jepte gji
të sillej e gatuante si ajo, që do të lindte edhe fëmi 

prandaj të martoi i ati, të martoi pa dashuri 
kur dilje ti nga shtëpia, ikje me kënaqësi

madje dilje jashtë, pispillosur, disi i nxituar
por kthehesh kalamendur, disi i ngadalësuar 

ose, ikje jashtë, me më shumë dëshirë
por ktheheshe vonë, krejtësisht i pështirë

ktheheshe i zemëruar, i inatosur nga një dashnore
në shtëpi shkarkoje tërbimin, gruaja jote fajtore

ai që të martoi, me ty ndihej krenar
e bëre për interes, pranove atë skenar

pastaj pakënaqësia, të shihej në turinj
nëse lëshoje atë që deshi, t’i thyente ca brinjë

pate një mundësi, të jetosh këtë jetë
më i lehtë dorëzimi, mundësinë s’ta mori vetë

dëshirove nanuse, për më shumë rehati
e merrje me mend, jashtë do gjeje dashuri

dëshirove të zëvendësosh nënën, me një nanuse
të bëje një jetë jashtë, sa më argëtuese

ti zgjedhje këpucët, por nuk zgjodhe gruan
ndihesh sot viktimë, por s’kupton pse vuan

tani po plakesh, gati je rrangallë
dashnoret e djeshme, të quajnë sot djall

parapëlqeve lirinë, edhe pas martesës
një copë herë më vonë, humbe rrugën edhe të banesës

nanusja të ruante dhe të mbante shtëpinë
gjersa ti kafeneve, rrahje gjoks për shqiptarinë

ti që lirinë me vrull, e revoltë gjakoje
e zhbëje në shtëpi, lirinë e mallkoje

të pëlqente të besoje, se çdo grua ishte e përdalë
përligjje epërsinë, derisa ia nxore dhëmbë e dhëmballë

nga shtrati në shtrat, të dukej vetja i posaçëm
keqtrajtoje familjen, vetëm ti i përshtatshëm

ndiheshe hamshor, u bëre rezil
do përfundosh jetën i krekosur, i krekosur kopil

çfarë them ty tjetër, ty që jetove si derr
pate mundësi dritën, mbete askushi në terr 

askushi, por sillesh, si gjeli mbi pleh
mirësinë s’e njohe, pendimin s’e njeh

së paku njëherë, s’vure një gisht në kokë
së paku një herë, s’të nxori jashtë nusja për flokë

pse nuk pyete veten, pse ajo ishte lindur
vetëm për të shërbyer ty dhe ty për t’u bindur

në mëngjes kafja, këpucët lustruar
xhaketën në dorë, si skllave e ushtruar

ia përmendje punën, punën që bëje në zyrë
puna saj e pavlerë, s’e vlerësoje në asnjë mënyrë

ti sillje lekët, ti ndiheshe pronar
ishe bishtdredhur, mbete lozonjar

kur shkoje me gra tjera, dëmtoje veten
mësove fëmijët, se si maskara të mbeten

çfarë them ty tjetër, kur të shoh krenar
u linde shekullin e kaluar, mbete mesjetar

rrahjen e gruas, konsideroje burrëri
edhe kur e sëmure, e quaje trimëri

kur të vdiq nana, u shkrehe në vaj 
kur e sëmure nusen, i kërkoje tjetër për kalamaj

ende pa e varrosur, imagjinoje dashuri të vërtetë
do ta zgjedhje i pandikuar, do ta zgjedhje tani vetë

babai të kishte vdekur, kishte zbritur në ferr
për gruan e vet dhe tënden, meritonte tmerr

çfarë them ty tjetër, s’kuptove dëmin e shkaktuar
një lot s’të shpëtoi për gruan, për jetën e shkatërruar

për të vetëm vdekja, ishte liri dhe shpëtim
për të ikur prej teje, për t’u çliruar nga ai skllavërimi

varri yt s’meriton mbishkrim, s’meriton as gurë
kortezhi të dhjesë mbi të, le ta spërkasë me shurrë 

U botua te:  Gazetaexpress, Botasot,Revistadrini, flasshqip

Nga përmbledhja me poezi "Shtatë parimet e dashurisë." 



Keine Kommentare: