26.02.2020

Letër vashave*

Merre me mend se je pjesëmarrëse në një maratonë. Ti je duke vrapuar me miqtë dhe të dashurit tu. Në një çast të caktuar ti kupton se je një vrapuese e mirë, se ke një hap të sigurt, se mund vraposh më shpejt dhe aty ti merr vendimin të ndjekësh forcën tënde, domethënë të konvertohesh ti në talentin tënd.
Një copë herë më vonë, ti e merr vesh se je shkëputur nga grupi. Ti kthen kokën dhe aty kupton se je e vetme. Ata kanë ngelur pas. Ata janë të gjithë së bashku dhe qeshen kurse ti je

vetëm me vetveten. 
Meqenëse nuk mund të përballosh këtë vetmi, ti ngadalëson vrapin derisa grupi të arrijë tek ti dhe, duke mohuar talentin tënd, shtiresh se je si ata. Ti qëndron brenda grupit. Por, nuk je e tillë, ti nuk je si ata. Në fakt, edhe në mesin e tyre, ti ndihesh e vetmuar.“  
Fabio Volo

Nga italishtja Lis Bukuroca

Po morali?

Rrëfenja bën fjalë për një vajzë. Nuk janë të pakta gratë, që kanë humbur talentin dhe janë zhdukur në masë, sepse nuk janë ndierë mirë të shkëputura nga grupi. Ndoshta për t’i mos dëshpëruar me suksesin vetjak. Ndoshta nga frika për t‘ u shquar. Ndoshta manipulimi në fëmijëri, por kryesisht mungesa e lirisë, barazisë dhe mundësisë në shtëpi. Shumë nëna dhe motra u përjashtuan nga vrapi i jetës!

Në grup njeriu shkrihet dhe nuk ka identitet të vetin, por të grupit, ose të familjes. Të gjithë njerëzit e mëdhenj, janë pikërisht ata që kanë besuar në vetvete dhe nuk janë kthyer edhe kur grupi i ka qortuar. Asnjë zbulim nuk është bërë pa përkushtim të madh, pa shkëputje nga turma!

Nëse dështon, kujto proverbin japonez: „Rrëzohu shtatë herë, por ngrihu tetë.“ Kjo është jetë! Gabimet janë edukatorët tanë! Mësuesit tanë! Nëse nuk përfitojmë vetë nga ato, përfitojnë fëmijët tanë. Nëse jo, dikush tjetër! 

Ai që ka frikë nga gabimi dhe dështimi, nuk arrin asgjë. Ti ke dëgjuar për Teutën, Nënë Terezën, Ermonela Jahon, Riato Orën, Dual Lipën, Bebe Rexhën, Ava Max, Majlinda Kelmendin e shumë të tjera. Ato kur kanë kthyer kokën pas dhe kanë parë grupin, nuk janë kthyer tek ata, por kanë kërkuar mbështetje dhe entuziazëm në vrapim e sipër. 

Bëje edhe ti, por mos u kthe. Vrapo! Ngjitu në maje, sepse ka shumë maja që presin ngjitjen tënde. Majat nuk vijnë te ti, ato të presin ty për të shërbyer si piedestal i yti.
Ato janë krijuar për t’u ngjitur dhe për të qëndruar mbi to të guximshmet, të dijshmet, të pasionuarat. Pa u shkëputur nga grupi (edhe nga familja) nuk rritemi dhe nuk arrihet suksesi. Familja ose grupi, duhet të na pres në krah pa marrë parasysh a kthehemi me sukses të madh tek ta, apo pas një dështimi. Ajo nuk ka të drejtë të na gjykojë e ndëshkojë, por të na përkrah֝in!

Për plotësim të njohurive rreth kësaj teme, lexo të lutem edhe „Pulat shqiptare“ . Jo një herë,  por disa herë.  Janë urtësi që duhet rilexuar, derisa të bëhen vegla psikologjike,  që ju shoqërojnë dhe inkurajojnë në jetë. 

Mendimi mbresëlënës ishte:“…ti merr vendimin të ndjekësh forcën tënde, domethënë të konvertohesh ti në talentin tënd! Të konvertohesh ti në talentin tënd.“ Por duke u ndierë e vetmuar, solidarizohet me grupin dhe ngadalëson hapin për t’u bërë askushi në grup, ku përsëri do të jetë e vetmuar.  Konvertimi në talent dhe konvertimi në turmë! Këto dy mundësi ofron jeta!

Po i përkthej edhe për ju ato që po i lexoj vetë sepse këto urtësi jete na udhëzojnë, na mbështesin, na hapin horizonte të reja dhe na inkurajojnë për t’i besuar vetes dhe për të mos mohuar vetveten. Ky është një tregim shumë i shkurtër me domethënie dhe mesazh shumë të madh.

*Në italisht titulli është: Vetmia

Kush është autori? Fabio Volo, emri i vërtetë Fabio Bonetti (i lindur në Kalçinate më 23 qershor 1972), është një aktor, shkrimtar, radio-moderator, moderator i televizionit dhe skenarist italian. Fabio Volo është i pranishëm në fushat e ndryshme të medieve italiane. Famë arriti në radio dhe televizion, për t’u bërë më pas i njohur edhe në botën e kinemasë dhe në fushën letrare. Në vitin 2011 romanet e tij janë shitur mbi 5 milion ekzemplarë vetëm në Itali dhe janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera. Nga viti 2001 – 2019 ka botuar te shtëpia e njohur botuese Mondadori 10 romane. Në vitin 2007, 2008 dhe 2011 tri përmbledhje me tregime te Corrierre della Sera. Si aktor ka luajtur në 12 filma nga viti 2002 – 2016 si dhe në dy filma ishte skenarist. Në vitin 2016 te Mondadori ka botuar librin: „Për çfarë duhen dëshirat?“

Nëse dëshiron të shprehësh mirënjohjen për punën që bëhet në këtë blog, atëherë mund ta bësh edhe duke blerë librat e autorit tek amazon.

Libra nga Lis Bukuroca:
Letër burrave (1) mbi diskriminimin gjinor dhe pasojat për shoqërinë
Letër burrave (2) mbi diskriminimin gjinor dhe pasojat për shoqërinë

Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë

Keine Kommentare: