03.05.2020

Mësuesi dhe nxënësi

„Ju kujtohem zotëri?“, pyet i riu plakun të cilin e takon në rrugë.  
Ai e vështron dhe thotë jo duke tundur kokën.
Atëherë i riu i tregon se dikur kishte qenë nxënës i tij. 
„Ah vërtetë? Dhe çfarë pune bën tani?“, e pyet mësuesi.

„Epo, unë jam mësues.“, përgjigjet i riu.
„Oh, sa bukur, si unë!", i thotë plaku.
„Eh, po! Në fakt, unë u bëra mësues sepse më frymëzuat ju të bëhem."
Plaku kureshtar i kërkon të riut t’i tregojë edhe arsyen. 
Kjo është ngjarja që tregoi nxënësi i tij:

Një ditë një shok i klasës erdhi në shkollë me një orë të re shumë të bukur dhe unë ia vodha. Pas pak, shoku im vuri re vjedhjen dhe menjëherë u ankua te mësuesi jonë. Dhe, ai mësues, ishit ju. Ju bëtë disa hapa nëpër klasë dhe pastaj iu drejtuat klasës.
„Ora e shokut tuaj është vjedhur gjatë mësimit të sotëm. Kushdo që e ka vjedhur, i lutem ta kthejë!“

Mirëpo unë nuk e ktheva sepse dëshiroja ta mbajë për vete! Pastaj ju mbyllët derën dhe kërkuat të radhitem para dërrasës së zezë për të kontrolluar xhepat tonë një nga një. Para se t’ia nisnit, na urdhëruat t’i mbyllnim sytë. Ne vepruam ashtu dhe ju kërkuat nga xhepi në xhep. Kur erdhët tek unë, e gjetët orën dhe e morët. Megjithëkëtë ju vazhduat tutje ta kërkonit në xhepat e të gjithëve dhe kur mbaruat thatë këtë:
„Çelni sytë. Kthehuni në vendet tuaja. E gjeta orën!“

Ju kurrë nuk më thatë asgjë dhe kurrë nuk e përmendët atë çast. Ju kurrë nuk e përmendët emrin se kush kishte qenë ai që e kishte vjedhur. Atë ditë, ju shpëtuat dinjitetin tim përgjithmonë. Ishte dita më e turpshme e jetës sime. Ju kurrë nuk më keni thënë asgjë, dhe kurrë nuk më qortuat, e as nuk më thirrët në zyrë për të më dhënë një mësim moral, dhe atë ditë, aty unë mora qartë mesazhin. Dhe falë atij, kuptova se si duhej të sillet një edukator i vërtetë. E mbani mend këtë episod, mësues?

„Më kujtohet ngjarja, ora e vjedhur dhe di se e kam kërkuar në xhepat e të gjithëve, por nuk di te cili cili nxënës pata gjetur orën, sepse edhe unë i pata mbyllur sytë gjersa e kërkoja.“, tha mësuesi. 
Anonime

Ky është thelbi i mirësjelljes. Nëse për të përmirësuar ke nevojë për poshtërim, atëherë ti nuk je mësues!

Nga italishtja Lis Bukuroca

Mesazhi thuhet qartë në rreshtin e fundit. Si prindit, si mësuesit, çdo njeriu që merret me kujdestari dhe edukim, nuk i lejohet të poshtërojë, të dëmtojë për të edukuar, por duhet ta bëjë duke respektuar dinjitetin e fëmijës, nxënësit. Çdo lloj ofendimi dhe ngritje zëri është dhunë psikologjike, të cilat nuk guxon kurrë t’i bëjë as prindi, as një punëtor i arsimit. 

Arsimtari paguhet për të qenë edukator, mësues! Jo rrugaç agresiv, që keqtrajton më të vegjlit dhe më të dobëtit se vetja.
Pra jo edukatë duke prishur njëkohësisht. Jo edukatë me dëme si shtesë, por vetëm me dashuri! 
Si prind e ke sjellë në botë dhe edukoje me dashuri. Si arsimtar paguhesh për të edukuar dhe edukoje me respekt! Ti paguhesh për edukim, jo për terrorizim: për t’u dhënë dije, jo për t’ua mësuar dhunën psikologjike! 
Fëmija mëson më shumë nga ajo që sheh, se sa nga ajo që i thuhet se duhet ta bëjë.

Libra nga Lis Bukuroca:
Ngjyrat e dashurisë, roman erotik vetëm për lexues të moshës madhore
Hijedritat e jetës, poezi, 2010-2017
Letër burrave (1) mbi diskriminimin gjinor dhe pasojat për shoqërinë
Letër burrave (2) mbi diskriminimin gjinor dhe pasojat për shoqërinë 
Die Asylbewerber, (Refugjatët), komedi, gjermanisht

Keine Kommentare: