13.08.2020

Pse nuk u dërgua Flota Detare e Kosovës në Mesdhe? - Gazetaexpress

Dje kryetari Thaçi takoi në katund hallën e tij. Ata dy biseduan për krizën ekonomike globale, për pasojat e korona-virusit në Amerikë, për Francën, që dërgoi anijet në Mesdhe për ta mbrojtur Greqinë nga Turqia, por në fund edhe për ligjin që mbron luftën çlirimtare si vlerë.

Ai në odën ku gjendej një Shtab Special me miq dhe farefis, u ngrit dhe foli: 

„Të dashur motra dhe vëllezër, i dashur farefis,
siç e dini, „Gjykata Speciale“ është Gjykatë e Kosovës, e krijuar nga Kuvendi i Kosovës, për të pastruar UÇK-në, apo siç e tha më mirë Lutfi Haziri: „pastërtia e luftës, do të lahet me drejtësi…“, kuptuat, pastërtia të lahet me drejtësi, mirëpo, meqenëse ajo po merret më shumë me përllangien e saj, atëherë kam marrë këtë vendim: ne e dënojmë me burg çdo etiketim, kritikë, apo çdo akuzë ndaj UÇK-së! 

E çka ndodh atëherë të dashur vëllezër dhe motra të gjakut dhe jo? 
Pas çdo akuze të ngritur nga Gjykata Speciale e Kosovës, që ka selinë përkohësisht në Hagë, e burgosim një prokuror, sepse ai bëhet i dënueshëm me ligjet e Kosovës! Kështu, prokurorët shqyrtojnë akuzat dhe i hedhin poshtë, sepse nuk mundet Gjykata Speciale e Kosovës, të gjykojë qytetarët e vet specialë! Nëse ata ngrenë akuza, ne i burgosim dhe Gjykata mbetet pa prokurorë! I juaji Hashim.“, tha ai në fund dhe u ulë.

Halla mbeti e shtangur nga gjenialitetin i kryetarit dhe ngriti kokën drejt tavanit për ta falënderuar zotin, që ia shkrepi Hashimit këtë ide. Një plakë nga fundi i odës , aty pas dere, shtroi këtë pyetje: “A mun ta nimojmë Turkinë kundër qafirave Hashim i jonë. A ki menue se çysh?“

„Nuk do ta lëmë vetë xhyshe, jo. Ne nuk harrojmë kurrë të mirën, që e ka bâ dje, që e bën sot Erdogani për neve!“
Pastaj u mendua tri dakika dhe pasi piu çajin e tretë rusi, kryetari iu falënderua gjyshes  dhe i premtoi, se do t’i mbledhë truç Këshilltarët e  Sigurisë Kombëtare për t’i pyetur, si të dërgohet në Mesdhe Flota Detare e Kosovës, që tani është e ankoruar në Liqenin e Batlavës. 

Në fund iu drejtua gjyshes pas dere me këto fjalë: “Xhyshe, Turqia na ka pranu ndër vendet e para. Ballanat e saj e kanë sosë Shumadinë, jo si të tjerëve, që bombat e raketat i çitnin kodrave! Xhyshe, besoj se edhe Qosja pajtohet me dërgimin!“
„Zoti t’rujtë, o Hashimi jonë!“, tha gjyshja me lot në sy.

Kryeministrin Dullë nuk e lajmëroi fare, sepse ai, ashtu-ashtu nuk merr vesh në këto punë,  (mund edhe të trishtohet, të traumatizohet dhe kur ndodh kjo, Dulla ngujohet në shtëpi  kruspull dhe shikon futboll) por në vend të tij, e lajmëroi Isa Mustafën, pronarin e Dullës, i  cili disa minuta më vonën u shfaq me një status në fb:

„Po Hashim, pajtohem, dërgoje „Kosovo-marins“ për ndihmë se jemi 95% vllezër!“

Sapo e dha urdhrin Hashimi, Ministri i Mbrojtjes Quni shkroi në facebook këtë status: 
„Flota duhet të nxirret nga liçeni! Kryetari duhet të tregojë se si, para se të urdhërojë mobilizimin e Forcave Speciale! Flota tani për tani me sukses të madh ka penguar xhandarmërinë serbe të freskohet, ose të lahet në liçen. Ajo mund vetëm të kalojë pranë-pranë, por jo të notojë aty! Nëse zhvendoset flota, kush e mbron liçenin, Çeveria?!“

Dy orë më vonë Mustafa bëri të ditur se po bisedonin me Kryetarin për të gjetur një rrugëdalje dhe ujëdalje dhe se së shpejti, do të lajmëronin popullin. Në pyetjen e një gazetari se për këtë hap të madh, a kishte informuar Ramushin, partnerin e koalicionit, Isa Mustafa u përgjigj: 
“Jo, jo, sepse ai nuk kupton asgjë nga Flota Detare, ai është gjeneral tokësor, por ne jemi dakorduar me Ramushin që një javë pasi të pushojë konflikti, të shkojë ai me një delegacion të AAK-së dhe të fotografohet atje! Është më i sigurt!“
„E Fatmir Limajn?,- pyeti përsëri gazetari.
„Jo, nuk duhet. Trofçi i ka dy tri vota, por kemi kërkuar nga Ministri i Mbrojtjes të organizojë vullnetarë, siç dërguam në Siri, kur Skender Hyseni ishte Ministër i PB!“

Kaluan disa orë dhe nuk u lajmëruan as Thaçi, as Mustafa. Populli po trishtohej se po përfshihej në një konflikt në Mesdhe dhe filloi distancimi publik me të madhe. Nja dhjetë vullnetarë dolën në qendër dhe kërkonin mobilizim. Trump dhe Merkel e lutën Kryetarin Thaçi dhe Kryetarin Mustafa të mos ndërmarrin masa drastike dhe se populli trim  shqiptar, është i lodhur nga luftërat e huaja duke krijuar disa shtete nëpër botë.

Pas kësaj Thaçi shkroi: „Një vend që ka guxim të injorojë Grenellin tim, Skender Hysenin, (i ngarkuar me përgjegjësitë e mia, me përvojë të madhe gati 20 vjeçare si përkthyes i Rugovës) dhe një shoqatë që është armike e Kosovës si BE, nuk ka nevojë të shqetësohet, por vetëm dëshmon frikën se flota jonë, mund ta zbythë flotën greke dhe franceze!“

Kësaj i thuhet në Kosovë „Luje macë kryt e bullit!“, shkroi gazetaexpress dhe lajmëroi se Flota Franceze po kthehej në Francë, kurse ajo greke, kishte braktisur zonën ku mendohej se ka shumë pasuri nëndetare.

Protokolli sekret i Këshillit të Sigurisë Kombëtare

„Për fat të keq Flota e Kosovës nuk mund të vihet në lëvizje. Arsyen e kuptuam tani. Qeveria  e kaluar, në krye me diktatorin Albin Kurti, ka vjedhur benzinën nga motorët e flotës që shoqërohet me 60 barka dhe nga jahti nga komandon  Kryetari i vendit gjatë betejës detare. 

Jo vetëm këtë, por qeveria e kaluar komuniste, islamiste  dhe fashiste, ka vjedhur edhe buxhetin e Kosovës për të hapur televizion privat dhe kështu, flota nuk mund të lëvizet nga Liçeni! Patëm fat që Greqia dhe Franca nuk njihnin gjendjen reale të flotës tonë. 

Jo vetëm kjo, stalinistët duke qenë të bindur se populli do t’i rrëzojë, me ndihmën e  vëllezërve të tyre komunistë kinezë dhe rusë, sollën virusin në Kosovë, për ta shfarosur Kosovën, apo për t’i dëbuar njerëzit nga shteti i tyre shumë i drejtë dhe shumë i dashur!

Të zhgënjyer dhe të hidhëruar deri në palcë, por edhe të gëzuar deri në qiell për ndihmën e ofruar dhe rikthimin e paqes në Mesdhe!"
IM dhe HTH

Libra fizikë nga Lis Bukuroca te amazon
Libra elektronikë

Keine Kommentare: