Biden: „Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, jo pjesë e Serbisë.“
Pse e tha këtë? Sepse në Minishengen Kosova nuk futet si shtet, por si krahinë serbe, që gjendet në Kushtetutën e Serbisë dhe pa u zotuar ajo, se do ta njohë Republikën e Kosovës…
Gjoja po curronin lajme, të cilat padyshim tregoheshin jashtë për të magjepsur njerëz, që janë të predestinuar të besojnë, jo të përsiasin, se pas kësaj marrëveshje, e cila në fakt nuk është marrëveshje, do të investohen 13 miliardë dollarë në Kosovë dhe Serbi. Kjo shumë, natyrisht nuk përmendet në dokumentin e firmosur, por përmenden projektet e mëdha, që duhet ta lidhin Beogradin e Nishin me Prishtinën, rrjedhimisht me Durrësin. Domethënë ato investime do të bëhen kryesisht në Serbi dhe për Serbinë!
Pse nuk është marrëveshje por zotim? Sepse shumë herë thuhet se „palët zotohen“, ose „angazhohen!“ Çfarë është zotimi? „ZOTIM m. Premtim që jepet për të bërë diçka në një kohë të caktuar, fjala e dhënë për diçka.“ Zbatimi i premtimit nuk mbikëqyret. Çfarë është ANGAZHIMI? „2. shih ZOTIM,~I. Marr angazhim zotohem. Mbaj (plotësoj) angazhimin.“
As kjo „marrëveshje“, nuk do të mbikëqyret. Pse është mosmarrëveshje, apo keq-marrëveshje? Serbia pa premtuar se do ta pranojë Kosovën, pa pranuar fajin, iu bënë shumë koncesione dhe, më e keqja, e ndihmuam miqësinë në mes Qeverisë amerikane dhe Vuçiqit! Pa asnjë kusht, si Thaçi me Vuçiqin në Europë!
Trumpi i duhen suksese jashtë, sepse kudo ka lënë pas vete baushtelle, kantiere në shembje. Meqenëse nevojitej një shou, atëherë kush nënshkruan marrëveshje pa i lexuar dhe kush niset në takime pa ditur se për çfarë do të negociohet, (i cili në shkuarje thotë, se po shkohet për njohje reciproke, por që kthehet pa asnjë përfitim, pa u detyruar Serbia as të kërkojë ndjesë ) vetëm ai pavotuari; vetëm ai që nuk ka dinjitet dhe vjedh votat e huaja dhe nuk ka as ftyrë, e as legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën, sepse shefi i tij, apo tutori i tij, ekonomisti akademik, këtë Minishengen, që dje u obligua ta pranojë Kosova, e pat përshkruar kështu:
“Në shiqim të parë duken projekte atraktive, por në esencë qojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë.“ 10 nëntor 2019.“ Atëherë e dëshironte Edi Rama.
Pas nënshkrimit të Minishengenit, që në „shiqim“ të dytë qenka mrekulli, Mustafa shkruan në facebook:“… përgëzoj Kryeminstrin Hoti dhe Qeverinë e Kosovës për këtë arritje të madhe në interes të Repblikës së Kosovës.“ Tash e urdhëron Trumpi.
Nuk është çudi! Ky njeri pat përligjur edhe pezullimin e autonomisë nga Millosheviqi, sepse „Mr.Isa Mustafa ishte sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor’teknik me botën” në Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës (dhjetor 1989)“
Marrëveshja ka 25 pika, por në një vend të përmbledhur disa në një pikë. Nëse gjendet ashtu edhe në origjinal, shihet se nuk është treguar seriozitet as në formatim të drejtë. Në pikën 20 janë bashkuar tri pika së bashku:
„Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit.“
Pas kësaj pike vazhdohet me kryerreshte. Ashtu si është ndarë në përkthim, janë 24 zotime, nëse ndahen edhe dy kryerreshte nga pika e 20, ku fjalitë kryesore nisin me „Të dyja palët…“, atëherë do të kemi 26 pika dhe e fundit, është njohja nga Izraeli.
Kjo len të mendohet se ishin 25 pika, por meqenëse pika e dhjetë ku formalisht qe shkruar „njohja reciproke“, siç e përralliste Hoti, (natyrisht se ka ditur për këtë) ishte hequr si edhe numrat. Meqenëse nuk mbetej gjë që mund të na pëlqente, shtohet në marrëveshje me Serbinë, njohja nga Izraeli me të cilën synohet t’u tregojë shqiptarëve, se edhe ne diçka fituam. Në fakt, nga ajo shkresurinë, do të mbahet mend vetëm dy pika: njohja nga Izraeli, (sepse zbatimi i kësaj marrëveshje, nuk monitorohet nga askush) dhe për administrimin e Ujmanit edhe nga Serbia.
Nuk ka asnjë datë fillimi, apo mbarimi. Për Kosovën ka rëndësi vetëm ndriçimi i mbetjeve të mijëra vetave, por as aty nuk krijohet ndarje, por të dyja palët në mënyrë të barabartë zotohen për të përmbaruar një detyrë, e cila nuk ka as datë fillimi, as afat përfundimi, as kërkimfalje.
Thjeshtë masakrat e shtetit serb duhet t’i pranojmë si të paautorë, si fatkeqësi natyrore, si tërmet, apo si viktima të epidemisë, edhe pse të varrosur nëpër Serbi nga shteti i Vuçiqit!
Pse më këtë marrëveshje me Serbinë duhej përfshirë Izraeli? Duhej mbuluar disi kompromiset dhe shpërblimet e bëra Serbisë. Kosova ndihmoi rehabilitimin e Serbisë, pa u pranuar asnjë kusht i saj, as pa kërkuar ndjesë Serbia.
Të pranojmë për disa çaste se euforistët kanë të drejtë dhe t’i pranojmë këto kompromise Serbisë si fitore shqiptare. Ku qëndron problemi atëherë? Problemi qëndron në marrëveshjen përfundimtare. Meqenëse tani u vu në pyetje Ujmani, herën tjetër do ta ketë radhën Trepça, sepse Vuçiqi nuk shkon për të fituar ai, por për të fituar Serbia, ndërkaq, te ne, çdo politikan shkon për t’u treguar më zvarranik se tjetri, më i padinjitet se tjetri.
Çdonjëri përpiqet të fitojë mbështetje jashtë, gjersa të gjithë së bashku, shkatërruan çdo gjë brenda: nga Kopshti i Fëmijëve, deri në Akademi! Dëmtuan gjuhën, historinë, kulturën, arsimin, identitetin, administratën, dëbuan popullin dhe u pasuruan vetë! Urime!
Kështu ndërtohet kleptokracia kur politika mësohet si hobi, duke punuar si politikan, si praktikant!
Minishengenin e Ramës e pata përkrahur se hiqej kufiri në mes shqiptarëve, por nuk ndihmonte SHBA autostradat e Serbisë dhe hekurudhat për të dalë në Durrës. Injoranca e arriti edhe këtë sukses. Merita kryesore është e Isa Mustafës, ministrit të Rrahman Morinës dhe i politikanit të vetëm të Jugosllavisë me pushtet absolut, edhe atë, pas shpalljes së pavarësisë.
Se nuk është marrëveshja serioze, flasin disa fakte: aty përfshihet lufta kundër diskriminimit të homoseksualëve, edhe pse nuk është çështje e konfliktit me Serbinë. Aty përfshihen pajisjet 5 G. Liritë fetare, që nuk janë probleme, pastaj zotohen se „Partinë e Allahut“, në origjinal Hizbollah, do ta shpallin terroriste, edhe pse nuk ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë!
Kur pyeten militantët e LDK-së, se çfarë u fitua nga kjo marrëveshje, ata thonë: „Njohja nga Izraeli!“ Po me Izraelin nuk kemi pasur kurrë konflikte. Atje u shkua për njohje me Serbinë. E çfarë thonë pastaj? Pastaj vazhdojnë për të manipuluar vetveten!
E kryetari i Kosovës? Pasi Kosova nënshkruan këtë: “Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare…“, kryetari i Kosovës shkruan këtë në facebook: „Kosova tani duhet të vazhdojë të punojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për njohje të reja, që shteti ynë të konsolidohet plotësisht në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar.“
Sidoqoftë, meqenëse kjo marrëveshje kishte për detyrë një shou, do të harrohet, thua se nuk ka ndodhur kurrë. Do të na ngelë në kujtesë Izraeli dhe drama, që luhej me WhatsApp në Shtëpinë e Bardhë dhe një telashe më shumë me Ujmanin.
PS.: Me njerëz që kemi në krye dhe mbi krye, fitore të reja nuk mund të priten, por vetëm edhe disa humbje tjera! Kur Mali të Zi iu fal Çakorri, pse mos t’i dhurohet edhe Serbisë ndonjë copë!?
A nuk është „shpija e shqiptarit e zotit dhe e mikut?“ Natyrisht! Ne jetojmë me qira në shtëpinë tonë hotel e bordel!
Libra fizikë nga Lis Bukuroca te amazon
- Shtatë parimet e dashurisë, botimi i parë qershor 2020
- Ngjyrat e dashurisë (vetëm për lexues të moshës madhore )
- Letër burrave (II)
- Letër burrave (I)
- Hijedritat e jetës
- Die Asylbewerber: Eine Komödie in drei Akten
Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë
- Shtatë parimet e dashurisë, botimi i parë qershor 2020
- Ngjyrat e dashurisë (vetëm për lexues të moshës madhore )
- Letër burrave (I)
- Letër burrave (II)
- Hijedritat e jetës
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen