Në këtë përmbledhjen ka dhembje, pritshmëri, zymtësi, zhgënjime, ftohtësi, dashuri, dhembshuri, pendim, venitje, zjarr… dhe gjatë leximit, fitohet përshtypja, se çdo varg është një ngjarje e shtrydhur në pak fjalë, që tregon një dramë, një zhgënjim, një ndodhi, një emocion, një dashuri, apo një tmerr!
Në hyrjet e atij pallati (libri) zhvillohen dhjetëra ngjarje ku shumë emocione hidhen e përhidhen përmes fjalëve të zgjedhur me me sqimë të madhe, që shndërrohen në art të vërtetë poetik. Nuk janë thjeshtë vargje poetike, por shpesh përsiatje të thella filozofike, ku me disa rreshta, shkruhet një tregim i tërë!
Poezia BIR është e rrallë, e veçantë, dhe më e bukura që kam lexuar në jetë nga një poet për fëmijën. Vetëm një nënë poete mund ta përshkruajë aq bukur, me aq emocione, me aq devocion, me aq saktësi frikën dhe ta mbushë vargun deri në kupë me tërë fuqinë metaforike, emocionale, që ofron intelekti i njeriut, lexojeni:
„Vrapova me zemër në duar e duart në kokë
Pa ditur si u mbajta pas tyre
Rashë“
Janë edhe 14 vargje tjerë, që duhet lexuar së paku dy herë, që ngjallin drithërimë dhe mbushin sytë me lot. Vazhdohet tutje me poezinë DIMËR, DITË, DYER dhe I GJORË që parapërgatitin lexuesin për dramën në ardhje, me titull KLARA DESH TË BËHEJ NUSE! Rrëqethje! Trishtim! Ja si përfundon përshkrimi i asaj tragjedie:
„Klara, e gjora Klarë
Dergjej me shtatë thika në trup
Dhe thoshte duke vdekur „mbulomëni
Me jorganin tim
E bëmëni nuse“
Jepmi duart e tua të vogla
Të mbahem pas tyre e të jetoj
Bijëzë“
Pastaj te poezia PEIZAZH shfaqet ky dialog me vargje:
(…)
„Takojmë vështrimet e themi:
Ai, nuk kam nënë
Unë, nuk kam nënë të të bëhem.“
Nuk janë pak burra që trajton bashkëshorten si nënën, apo me këmbëngulje e kërkojnë atë rol, atë identitet social tek bashkëshortja. Ditën nënë, natën nuse! Ajo poezi e ndriçon „krimin“, rolin e kërkuar me forcë dhe flet për revoltën e gruas, kur gjendet në atë pozitë. Ajo të ofron bashkëshorten, por nuk të zëvendëson nënën! Sa vështirë, sa problematike është për një grua të luaj dy role. A thua si do të reagonte burri, sikur bashkëshortja të kërkonte nga ai të atin?!
Plot emocione dhe mesazhe është poezia TI DI TË QESHËSH:
„Mos harro
Ti di të qeshësh, më thua“
(…)
E kush nuk e mendon atë në një dashuri të gjatë, kur emocionet fashiten, kur i shtrohen vetes dhjetëra pyetje, kur shohim se kemi kaluar një pjesë bukur të madhe të jetës dhe kur nis rishqyrtimi dhe kur përpiqemi të arsyetojmë jetën, të gjejmë kuptimin apo ta marrim vesh i kemi dhënë vallë jetës kuptimin që e meritonim, kuptimin që e dëshironim?
„Dhe unë kërkoj
Ndriçimin e viteve
Kur qeshnim pa shkak“
Si dinë të qeshen vetëm të dashuruarit, vetëm të lumturit, vetëm ata dy që shohin një botë, një univers të tërë para vete, me plot shpresa, me plot iluzione dhe plot dëshira për t’u bërë autor të jetës dhe për ta ndryshuar atë. Dhe, për t’u puthur:
„pa u puthur
Siç putheshim dikur me sy
Të bukurit, ne
Gjimnazistët.“
Vazhdon me poezinë ku me prindërit grumbullohen fragmentet e atdheut ku me një përshkrim, me një ndjesi mahnitës artikulon pritjen nga nëna në shkallë dhe nga i ati në portë. Çaste që shumë prej nesh i përjetojmë dhe shohim vetveten në këtë poezi me plot përjetime të njëvleftshme.
Pastaj „DIKUSH MË THA“ se më kërkoje, por këpuca bëhej gjemb e më shponte.“ Mënyrë më të mirë për të përshkruar një pasiguri, një dyshim, një dashuri jo të sigurt, vështirë të gjendet.
Shumë prekëse është poezia në vijim. Ajo përshkruan në mënyrë të përkryer gratë e mënjanuara, por edhe në përgjithësi qëndrimin e burrit në shoqëri tribale ndaj gruas:
GRA
„Gra të vogla
Endur ajrit të përlyer me fjalë
Burrash të pagdhendur
…
Gra të vogla prej letre
Përplasur mureve të dhomës
Ënjtur e nxirë nga vragat e thella
…
Tharë bërë shuk..
…
Dhe qyqe në kërkim të asgjësë
Ashtu të vogla
…
Bërë shuk“
Gra të tilla për fat të keq shihen shpesh. Gra që kanë jetuar jetën dhe që gjenden në një qoshe të mbledhura truç, shuk dhe të heshtura pa kuptuar pse jetuan dhe pse shërbyen! Poezia është një skanim i pasojës dhe shkakut. Burri si shkak, gruaja, viktima si pasojë: e bërë shuk! Nga kush? Nga burri!
Nga poezia JAM GRUA do të citohen po vetëm dy vargjet e fundit ku mblidhet e shtrydhet, dendësohet dhe shtrihet në dy vargje një vepër e tërë. Shpesh në poezitë e saja marrin vargjet trajta të tilla, ku disa vargje ravijëzojnë një mesazh të karakterit proverbial, apo të aforizmave, që shpërthejnë jashtë vetëm si substancë, apo si përfundim i një romani. Lexojeni:
„Nuk jam shpirti i një burri
Esenca e tij jam“
Ai mendim i shkon për shtati edhe Simone de Beauvoir, por edhe Sartrit.
Ashtu e ngjeshur me kuptim është edhe poezia SHORT:
„Vitin e parë u deshëm
Të dytin u urryem
Të tretin qëndruam t’i shinim gabimet
Të katërtin vit u deshëm për herë të parë“
Vitet tjera mjekuam plagët
Futur në lëkurën e njëri tjetrit.
Pastaj erdh vdekja…“
Edhe e atillë është jeta, jo e mirë, por e pranishme kudo dhe e mynxyrshme, por të përkufizohet ajo me disa vargje, është art sipëror.
Një margaritar i veçantë është poezia: O ZOT ME Ç’GJËRA TË KOTA JAM MARRË duke u përpjekur për të gjetur kohën e humbur, si Prusti me romanet e tij:
„Dikë e desha pa e dashur
Dikë e vrava pa e vrarë
Dikë e shava pa e sharë
Dikush më njohu pa e parë
Dikë e çmova pa e patur“
Poezia KU TË SHKOJ është një himn për njeriun që përjashtohet, që ekskomunikohet, që shtypet, për refugjatin, për mërgimtarin, thjeshtë për njeriun që diskriminohet në shtëpi, apo në një shoqëri, lexojeni këtë perlë:
KU TË SHKOJ
Këtej më shtyjnë
andej më pështyjnë
Më thoni, ku të shkoj
Mes tokës dhe qiellit
Vërtitem si gjë prej asgjëje
Andej s’më qasin
Andej më vrasin
Më thoni, nga t’ia mbaj?!
Mes detit dhe malit
Më duhet të zgjedh
Andej më thyejnë
Këndej më gërryejnë
Më thoni, ç’të bëj?!
Mes pragut dhe derës
e në asnjërën prej tyre
Këto janë të atij niveli si të cituarat, apo të një arti më të lartë: „Përjetim dramatik“, „Dashuria e përjetshme“, „Kristinës“ „Soneti“, „Fisnike“, „E diela pa ty“, „Kështu e ka jeta“, „Krrau krrau i moralit“, „Ky vend i im“, „Arratisjet nga mumiet“, „Çudia e fatit“, „Rebelizëm“, „Luftë e ftohtë me kompjuterin“, „Kur nuk të gjeta“, „Statujat“, „Shpirtra“, „Qentë e natës“, „Ullinjtë e vrarë“, „Princesha ime“ ,„Për Babanë“, „Ëndrra…“ dhe „Nëse unë hesht…“, mirëpo edhe ky dyshoj se mund të jetë pasqyrim i drejtë. Një rilexim tjetër, do të nxirrte një projeksion tjetër. Një pllakat tjetër.
Shkurt, libri është një histori e frymëzimeve konkrete ku me vargje monumentalizohet një ndjenjë, një çast, një vështrim, një përjetim, një dashuri, një frikë, një pasion, një dhembshuri, një vrasje, një pritshmëri… ku skicohen çastet e zymta dhe çastet magjike, që ofron jeta reale.
Faleminderit Linda!
U publikua te Gazetaexpress, Botasot, perqasje, revistadrini, fjala
Për t’u mos bërë despot, lexo librin „Letër burrave I“ dhe „Letër burrave II“.
Për të kuptuar ecurinë e dashurisë nga lindja deri në vdekje, edhe rreziqet brenda asaj periudhe, lexo librin me poezi: „Shtatë parimet e dashurisë“.
Nëse të intereson erotika, atëherë lexoje romanin „Ngjyrat e dashurisë“. Me tematikë politike, dashurie dhe lehtë erotike, librin me poezi, "Hijedritat e jetës".
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de, ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.
Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre. Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër.
Libra nga Lis Bukuroca:
Kuptimi i jetës te amazon *
Kuptimi jetës te lulu **
Letër burrave (I )te amazon
Letër burrave (I) te lulu
Letër burrave (II) te amazon
Letër burrave (II) te lulu
Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore
Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore
Die Asylbewerber, komedi gjermanisht
* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.
** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen