14.01.2026

Pse nuk na duhet më Vjosa Osmani? Bota sot

Arsyet kryesore

E para: sepse Lista Serbe ka probleme me të. Kjo dëshmon se presidentja nuk bën kompromise me bashkëqytetarët tanë dhe, si pasojë, veriu me të drejtë ndihet “i shqetësuar”.

E dyta: sepse presidentja ka lidhje të drejtpërdrejta me Donald Trumpin. Është rrezik i madh të kesh qasje të drejtpërdrejtë te presidenti i SHBA-së, sepse ai është i paparashikueshëm.
E treta: sepse Mark Rutte, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, e parapëlqen zonjën Osmani. Kjo është ndërhyrje në vullnetin e lirë të popullit tonë dhe është rrezik i madh kur një presidente vlerësohet nga aleanca më e fuqishme ushtarake në botë.

E katërta: sepse nën udhëheqjen e saj janë penguar 20 çnjohje dhe janë siguruar katër njohje të reja. Kjo ka ndikuar në rritjen e nervozës në Serbi dhe në distancimin e saj nga pajtimi dhe njohja e Kosovës.

E pesta: sepse ajo flet për krimet serbe. Sa e papërshtatshme është kur një presidente nuk hesht për krimet pas kaq kohe, kur duhet të harrohen në emër të pajtimit, sepse, sigurisht, nuk kanë më asnjë kuptim.

E gjashta: sepse përzihet shumë në politikën e jashtme. Ajo përdori mandatin e saj për të ngritur vetveten dhe kjo neve, opozitës, nuk na pëlqen.

Prandaj, ne si LDK, si parti më e lashtë demokratike e Kosovës, për kryetar duam vetëm një personalitet konsensual. Kështu mendon edhe vëllai jonë i madh PDK.

Sidoqoftë, ne propozojmë për kryetar mua, Lumir Abdixhikun, Hikmete Bajramin, Doarsa Kicën ose Lutfi Hazirin. Zgjidhni! Përndryshe, 15 votat tona nuk ia japim askujt.

Ne nuk pranojmë nënshtrim. Të parin na e bëri populli; tani duam ringritje dhe rikthim të nderit. Për ne nuk është domosdoshmëri shteti, por partia.

Sepse pa partinë tonë nuk do të ketë as shtet. Për këtë duhet të jemi të qartë. Kryetari ynë i nderit, Isa Mustafa, e ka thënë: populli nuk vendos, por partitë.

Nëse jo, atëherë zgjedhje të reja në prill, jo verës, kur kthehen mercenarët. Kaq kisha unë, Lumiri, lideri më i madh në historinë e LDK-së.

Ne, si PDK, mendojmë si motra jonë e vogël, por kemi gjithashtu dy propozime tona: Ganimete Musliun ose Sami Lusthtakun. Këta të dy i plotësojnë të gjitha kushtet diplomatike, politike dhe intelektuale për kryetar të paanshëm të republikës.

Nëse ata nuk pranohen, kemi në rezervë Memli Krasniqin, i cili do të jetë edhe kryetari më i mirë reper në botë. Të tjerët nuk dinë të këndojnë. Ai po.

Nëse nuk pajtoheni, për ne është më e rëndësishme partia, jo shteti, sepse pa ne nuk ka pasur dhe nuk do të ketë shtet.

Zgjedhjet eventuale i duam në prill dhe jo verës, kur kthehen analfabetët e diasporës, sepse ata nuk e marrin vesh diplomacinë dhe politikën në përgjithësi.

Ne si AAK kemi vetëm një propozim. Nuk pajtohemi me asnjë tjetër. Legjenda jonë Ramush Haradinaj i plotëson të gjitha kushtet: heroike, pasurore dhe intelektuale.

Ka guxim. Nuk tutet. Bën kompromise, si me Çakrorrin. Specialist për zgjidhjen e konflikteve me fqinjët. Përndryshe, 6 votat tona nuk ia japim askujt.

Nëse nuk pajtoheni, duam zgjedhje të reja. Jo verës. Kur kthehen injorantët nga diaspora. Kur të fitojmë ne, do t’ua ndalojmë atyre të drejtën e votës me automatizëm.

Unë, Albin Kurti, ju drejtohem në emër të koalicionit që fitoi 51,11 për qind. Ne nuk mburremi me të kaluarën, por me të tashmen që kemi ndërmend ta ndërtojmë. Ju mburremi me Rugovën apo me kontributin në luftë.

Edhe ne mburremi me to. Por nuk do të lejojmë kurrë që kontributi i djeshëm të përdoret si licencë për ta vjedhur Kosovën pas luftës. Kurrë. Ajo do t’u merret të gjithëve për ta shpëtuar heroizmin e tyre. Dinjitetin e tyre për të hyrë në histori të dezinfektuar. Jo si hibridë.

Ju po gaboni sot, por këtë gabim motra e vogël dhe vëllai i madh do ta kuptojnë në vitin 2036, ashtu siç e kuptuan pas dhjetë viteve edhe themelimin e Gjykatës së Posaçme. Në vitin 2035 do ta kuptoni gabimin pse nuk e votuat Albulena Haxhiun. Po ashtu, në vitin 2035 do ta kuptoni pse nuk e votuat qeverinë Konjufca.

Propozimi ynë i parë dhe i fundit është presidentja Vjosa Osmani. Sepse e meriton dhe sepse ka pranueshmëri në botë. Ajo është diplomate dhe intelektuale e madhe dhe më e mira që kemi sot.

Nëse ju nuk pajtoheni, atëherë në vitin 2036 do ta kuptoni gabimin. Pse? Sepse pas mospajtimit tuaj, Albulena Haxhiu, si kryetare e Kuvendit, do ta ushtrojë detyrën e kryetares së shtetit deri në përfundimin e zgjedhjeve.

Meqë zonja Haxhiu nuk ka asgjë kundër „mercenarëve“, „analfabetëve“ dhe „injorantëve“ të mërgatës, ajo është e bindur se të gjithë kanë të drejtë të votojnë.

Dhe duhet ta bëjnë. Prandaj zgjedhjet do të mbahen në korrik, kur familjet bashkohen. Deri atëherë, populli ynë do ta kuptojë se na duhen së paku 80 deputetë për të ngritur dhe përforcuar shtetin ligjor.

Përndryshe, 57 votat tona nuk ia japim kurrë atyre që ju i kandidoni.

Ne nuk jemi shkalla juaj dhe nuk ju ngremë lart, kur populli ju zbriti poshtë, aty ku e meritoni. Unë nuk mund t’ju bëj fitues pas zgjedhjeve, kur populli ju bëri humbës me vota. Me zgjedhje.

Bota sot
#follower

Imazhi me Copilot

Keine Kommentare: