Fragment nga libri:
Burri me mendje të kolonializuar nga paragjykimet, nuk është i lirë.
Është pronar, që ushtron tutori mbi skllevërit e vet.
Ai zgjedh edhe nusen për djalin, dhe burrin për bijën.
Martesa me vendim të huaj siguron seks, por në të shumtën e rasteve, jo dashuri.
Ndërhyrja në martesë, është dhunë psikike sepse zhbën vullnetin e lirë të djemve dhe bijave.
Me zhbërjen e tij, dëshmohet papjekuria e djalit, ose e bijës për martesë.
Duke iu nënshtruar vullnetit të huaj, dëshmohet paaftësia mendore, ose pezullimi i saj.
Mungesa e rebelimit, është tregues i depersonalizimit.
Personi i depersonalizuar është lodër e huaj.
Ai zbaton dëshirat e despotit, ai nuk mendon vet.
Të mosmenduarit, shndërron njeriun në vegël, pasivizon trurin e tij.
I depersonalizuari martohet pa dashuri.
Mungesa e dashurisë krijon distancë emocionale në mes të martuarve.
Distanca shndërron në normë dominimin e burrit mbi gruan.
Me dominimin e saj, seksi është nevojë trupore për burrin, shpesh detyrim dhe nënshtrim për gruan.
Nata e parë e martesës është traumë.
Ata njoftohen pas seksit.
Seksi pa dashuri dhe pa vendim vetjak, është përdhunim dhe çnderim, sepse dërgohen dy veta të panjohur në krevat!
Ato akte me mungesë tërësore të empatisë, vështrohen si burrëri.
Burrëria e tij peshohet me trysninë ndaj gruas, jo me lumturimin e familjes.
Burrat që shtypin në shtëpi, jashtë janë tuca, me shumë komplekse, shpesh edhe anonim të shkrirë në masë.
Trysnia është e përhershme, ose sporadike, por shoqëruar me cenim të përhershëm të dinjitetit.
PS. Neve nuk na patën mësuar në shtëpi t'i duam gratë, por t'i duam burrat dhe t'i nënshtrojmë gratë. Natyrisht jo të gjithëve, por shumicën, po!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen