Për të udhëtuar nga vendi në vend, duhet edhe pak simpati e ndërsjellë, jo urrejtje publike, siç shihet çdo ditë në media serbe. Para se të formohet një treg i përbashkët duhet ndryshimi, evropianizimi i të menduarit, respekti i ndërsjellë, një synim dhe një cak i përbashkët. Si mund të bashkohen në një treg Serbia e Kosova kur ajo vazhdimisht merr me zhbërjen e shtetësisë së Kosovës?!
Serbia nuk është edhe aq vend i pasur, sa të ndikojë dukshëm në buxhetin shqiptar. Kjo është e para. E dyta, një numër i madh i serbeve kanë paragjykime ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe na urrejnë si komb. Pak prej tyre do t’i kalojnë pushimet në Shqipëri, disa mijëra, por tepër vështirë të arrihen në 100.000.
Serbia nuk ndërton një spital në Luginë për më shumë se 100.000 shqiptarë, por për 100.000 serbet e Kosovës kërkon Asociacion me pushtet ekzekutiv! Dhe, nga viti 2023 do ta ketë edhe portin detar në Shqipëri: si dëmshpërblim për dhunimin e 20.000 vajzave e grave, për dëbimin e 50% të popullsisë, për vrasjen e 13.500 vetave dhe për shkatërrimin e 100.000 shtëpive! Pa u penduar dhe pa kërkuar ndjesë!
Si mund të krijohet një treg i përbashkët kur Serbia ka qëndrime armiqësore ndaj Kosovës? Kur ka pretendime territoriale ndaj saj dhe kur kontrollon Veriun e Kosovës? Si është e mundur të shpërfillet gjendja faktike dhe të mbyllen sytë duke shpresuar se ato nuk janë fakte, por vetëm shpifje! Si mund të shpërfillet Kushtetuta serbe dhe të mendohet se është shkruar thjeshtë në një portal serb!
Të gjitha fragmentet shqiptare të mbetura jashtë Shqipërisë, me përjashtim të Çamërisë, janë pushtuar nga Serbia! Si në Maqedoni, Kosovë, Luginë dhe Mal të Zi. Shqiptarët nuk kanë shkuar atje si emigrantë për të jetuar, por Serbia u pat ardhur në shtëpi dhe i pat copëtuar duke i masakruar!
Mirëpo, a duhet t’i urrejmë për këtë përgjithmonë? Jo! Ne duhet të pajtohemi dhe nuk duhet të mbetemi peng të së kaluarës, por krimineli duhet të pendohet, duhet të kërkojë ndjesë, jo të mburret me krimet e shkaktuara, siç e bën shteti serb!
E pastaj, si të hiqet kufiri me Kosovën, kur për Serbinë Kosova nuk është shtet? Meqenëse nuk është shtet, atëherë kufiri nuk ekziston! Si të hiqet diçka që nuk ekziston?
Ajo kërkon Asociacion si republikë nga Kosova, duke e konsideruar Kosovën krahinë, asociacion të vetin!!! Si mund krahina serbe „Kosovo i Metohija“ t’i dhurojë serbeve Asociacion me pushtet ekzekutiv?
Duhet të jemi pak më serioz dhe t’i zgjedhim problemet si duhet, nga poshtë lartë, jo nga lartë poshtë! Serbia keqtrajton në dhjetëra mënyra qytetarët e Kosovës duke i detyruar t’i heqin edhe targat e makinave, por nga Kosova kërkon heqjen e kufirit!
Kush fiton nga ky treg i nxituar? Serbia! Pak edhe qytetarët e Luginës sepse më lehtë mund të shkojnë në Maqedoni. Edhe Maqedonia mund të fitojë pak, sepse i duhet Serbia si çadër nga presioni që i bën Bullgaria! Për ta vlerësuar më saktë dhe më drejtë, duhen anketa nga do të shiheshin sesa për qind e investitorëve serb do të investonin në Shqipëri dhe sa nga Shqipëria në Serbi. Ose, sa për qind e serbeve do t’i kalonin pushimet në Serbi, sa nga Shqipëria në Serbi!
Ata kur flasin për qarkullimin e kapitalit krijohet përshtypja se miliarderët apo milionerët shqiptarë, serb e maqedonas po vuajnë sepse nuk mund të investojnë aq shumë lekë në vendet e tyre të vogla, prandaj u duhet më shumë hapësirë gjeografike për t’i investuar thasët e tyre!
Nga tregu i njëmendtë përfitojnë të gjitha vendet e Ballkanit, por më shumë shqiptarët dhe serbet. Kjo mund të ndodhë pas pajtimit. Nuk mund të ketë treg të përbashkët me shtetin që të lufton ekzistencën!
--------------------------------
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen