Mërgimtari ua heq paratë fëmijëve të vet, për t‘ia dërguar prindërve të vet! (Pakicë janë ata që fitojnë aq shumë, sa të mos e ndiejnë se po heqin nga ajo që të tjerët ua falin fëmijëve, për të ndihmuar startin e tyre në jetë.)
Në atdhe do t’ia kritikojnë fëmijët për gjuhën! Kush? Ata që në atdhe, në shkolla shqipe, një fjali nuk dinë të shkruajnë pa gabime. Madje as arsimtarët e profesorët e tyre!
Ai do të asimilojë fëmijët e vet, për të ndihmuar prindërit dhe fëmijët e prindërve të vet, që (mund të) asimilohen edhe në atdhe!
Ai investon të tashmen e vet, për ta ndihmuar të kaluarën dhe për ta humbur të ardhmen nacionale, te fëmijët! (Sipas sociologëve, më së largëti në brezin e katër, asimilohemi të gjithë.)
Mërgimtari do të paragjykohet dhe qortohet nga fëmijët, por edhe nga prindërit!
Me të nuk do të jenë të kënaqur as fëmijët, as prindërit! Kur të përpiqet t’u pëlqejë prindërve, nuk do t’u pëlqejë më fëmijëve dhe anasjelltas!
Ai do të sillet e mbështillet në dy kultura, por në asnjërën nuk do të ndalet nga frika se do të paragjykohet!
Ai është urë që thyhet në dysh, sepse flijohet për të kaluarën, për prindërit dhe për ardhmen, për fëmijët!
Fëmijët do t‘i thonë se po dërgon shumë lekë, prindërit se po dërgon shumë pak!
Ai nuk do të ndihmojë vetëm të moshuarit dhe të sëmurët, por edhe të shëndoshët, që nuk duan të punojnë as tokën e vet. Pse? Sepse nuk paska llogari! Natyrisht se jo, sepse ai ka llogari dhe ftyrë të jetojë nga paratë e huaja!
Ndihmë po, por për të ecur para, jo për të dremitur dhe për të jetuar nga djersa e tjetrit! Nga financimi i përtacisë, dëmtohet një komb.
Mërgimtari dëshiron fëmijët të ndihen krenarë me të, por shpesh, nuk do të ndihen as fëmijët, as prindërit! Duke u përpjekur për t’i kënaqur të gjithë, para e prapa vetes, nuk do të ketë kohë për kënaqur vetveten! Të sigurt e ka vetëm sakrifikimin…
Do të përpiqet të tregohet i lumtur, por dëshpërimi i gjendet në palcë dhe shpesh e lë pa gjumë.
Për humbjen e atdheut i akuzon shpesh të gjithë, por rrallëherë vetveten.
Për ta bërë prindin krenar, apo për të mashtruar vetveten se do të kthehet, do të ndërtojë shtëpi në atdhe ku disa javë në vit nuk do të paguajë qira, por do të paguajë 12 muaj në mërgim!
Në fillim qante kur braktiste atdheun, tani shpesh gëzohet që po ikën! Atje kërkon shtetin dhe nuk e gjen, jashtë vendit nuk e kërkon, por praninë e tij e ndien kudo!
Ai kur del nga shtëpia, nuk e di si kthehet dhe a kthehet i gjallë.
Mund edhe të humbë jetën në kthim e sipër. Njerëzit do të qajnë kur ai niset, por edhe kur të kthehet, nëse mund të kthehet!
Çdo mërgim është edhe pak vdekje!
Çdo vdekje në kthim e sipër është vdekje e shumëfishtë!
Jeta jashtë atdheut nuk është vetëm jetë, por një njëpasnjëshmëri e vdekjeve të vogla që përsëriten vazhdimisht, orë e çast.
Të kthehet nuk ka ku të kthehet, të rrijë, nuk ka ku të rrijë. I mbetet të shtiret i lumtur, të shtiret i pasur, të shtiret mirë, edhe pse ai e di se ndihet keq!
Në fund, ai do të tmerrohet duke parë se në Kosovë, një shumë bukur e madhe e asaj që dërgon ai, më shumë se një milion euro në ditë, do të investohen në ekonominë e Serbisë, (e cila e dëboi), por patriotët atje, do të acarohen, zjarr e flakë, pse Bregoviçi do të këndojë në Korçë, gjersa ekonomisë serbe i garantojnë mijëra vende të punës.
Ata që duan t’i japin goditjet e fundit, pas Millosheviqit, duhet t’ia kritikojnë fëmijët, t’ia shajnë, kështu nesër ata nuk do të kthehen më, sepse nuk do të ndihen të mirëseardhur: nuk do të ndihen në vendin e vet, rrjedhimisht, nuk do të ndihen pjesë e asaj shoqërie!
Në ShBA diku 45 milionë qytetarë amerikanë janë me origjinë gjermane, por shumica absolute nuk e flet më gjermanishten!
----------------------------------------
Ngjyrat e dashurisë, roman vetëm për lexues të moshës madhore
Die Asylbewerber, komedi gjermanisht
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen