17.08.2021

Hyrje në terr


një ditë i ishte tekur zotit
dhe ishte rrekur

të krijojë vetveten

pak më vonë

kishte krijuar hapësirën

dhe në krye të saj 

edhe fronin

ku do të ulej si perandor


më vonë kishte ndërtuar kohën

pastaj materien

qelizat e kështu me radhë

dhe 

ai auto-zot

i vetë-ndërtuar 

i vetëshpallur 

kishte vendosur të falë jetë pa ia kërkuar njeri

dhe 

kur t’i teket

t’ua marrë frymën pa e lutur njeri:

duke ua nxjerrë shpirtin nga ngryka

me dhunë


(ki mendjen, 

nuk ia nxjerr shpirtin dreqi, 

por zoti)


pastaj

atij zoti

i paska pëlqyer vrasja e njerëzve

edhe e fëmijëve

për shembull me tërmete 

apo me vërshime

me luftëra

dhe 

krejt ato tmerre 

i paska paraparë ai

ua paska shkruar para lindjes në lule të ballit

sepse ai krijuaka njerëz qëllimisht me të meta

vetëm për të kremtuar në ferr Festën e Skarës

ku i pjekka njerëzit 

apo Festën e Kazanit

ku i zieka si gullash

si njeriu që për Festën e Lamës

zien e pjek kafshët


(jo djalli, 

mos harro, 

zoti)


mirëpo pse përnjëmend e shpikën zotin


një ditë i ishte tekur njeriut

dhe ishte rrekur

të shpikë mënyrën më të thjeshtë

për ta përdorur njeriun 

sa më lehtë

për ta përgjumur

sa më mirë

për ta shfrytëzuar

sa më shumë


pak më vonë

ai kishte ngritur pallatin e zotit për vete

dhe në krye 

kishte vënë kolltukun

ku ishte ulur

nga kishte vështruar kokëlartë e krenar 

mashtrimin e vet

si zot


dhe 

aty e tutje

zoti kishte ngelur vetëm si dëshirë

si ide

njerëzit që rrëfyen përralla për të

do të mbijetojnë si fakt


kështu

në çdo „Shtëpi të zotit“

do të gjendet një zot mashtrues

që do kënaqet 

me rezultatin

dhe që do të fitojë 

nga pasojat e veta


Nga përmbledhja e pabotuar me poezi „Kush ia ndaloi zotit pendimin?

----------------------------------------

Poezi nga Lis Bukuroca:

Hijedritat e jetës

Shtatë parimet e dashurisë


Imazhi i gjeneruar me ideogram 

Keine Kommentare: