Një poezi e kishte shkruar miku im Isa Bytyqi të cilën e publikoi te përkthimi im i parë me ngushëllime nga italishtja, po e sjell sepse na jep një këshillë si duhet të shprehet njeriu ato ditë zie. Pas poezisë keni edhe disa ngushëllime të përkthyer nga frëngjishtja dhe gjermanishtja. Isha vetë kureshtar për të parë dallimet apo ngjashmëritë. Në fund mendimi im është ky: njeriu ndien dhembjen kudo njëlloj. Ndryshon vetëm forma e përshkrimit të emocioneve.
Isa Bytyqi’21
Pesha e fjalës
me fjalë t’thata
mos më ngushllo
dhembjen me ma shtue
veç nji fjalë
qi t’del nga zemra
mue ma thuej
ose shuej
heshtjen ndaje me mue
e për g’zime
thuej çka t’duesh
fjalët
peshë nuk kanë fort
nuk kam kohë
me i ndigjue
Këtu e tutje nga frëngjishtja:
Fjalët nuk do të mund të bëjnë asgjë. Megjithatë, besoni në mbështetjen tonë të dashur në këtë sprovë të tmerrshme.
Duke marrë pjesë në dhimbjen tuaj, ju shprehim ngushëllimet tona të sinqerta.
Unë ndaj dhimbjen tuaj në këtë kohë zie. Ngushëllimet e mia për ju dhe familjen tuaj.
„Varri i vërtetë i të vdekurve është zemra e të gjallëve.“ (Jean Cocteau)
Ne jemi me gjithë zemër me ty në këtë sprovë. Me shumë dashuri.
Me shumë emocion morëm vesh këtë lajm të hidhur. Mendimet tona janë me ty.
Ne marrim pjesë në dhimbjen tënde në këto momente të vështira.
Shpirti i saj pushoftë në paqe dhe zemra jote e gjettë dritën sa më shpejt. Është më e mira që mund të të uroj në këto çaste tragjike.
Asgjë nuk do të jetë e njëjtë tani e tutje, por ne do të jemi gjithmonë pranë teje. Mendimet tona janë me ty.
Të dërgojmë këtë mesazh për të të kujtuar praninë tonë në këtë periudhë të errët. Ne të dërgojmë gjithë dashurinë dhe mbështetjen tonë. Forcë dhe guxim.
Mendimet tona të ngrohta janë me ty në këtë sprovë të dhimbshme. Ngushëllime.
Me shumë emocion mësova për pikëllimin që të godet kaq mizorisht dhe i bashkëngjitem pikëllimit tënd. Miqësisht.
Unë dua të bashkohem me të gjithë ata që marrin pjesë në pikëllimin tënd. Të lutem prano ngushëllimet e mia të sinqerta dhe beso në mbështetjen time të pakursyer.
Hidhërimi ynë nuk është asgjë në krahasim me sprovën që po kalon. Të gjithë jemi me ty me gjithë zemër.
Jemi thellësisht të prekur nga pikëllimi që të goditi. Prano gjithë miqësinë dhe dashurinë tonë.
Vdekja e një personi të dashur është gjithmonë një moment tragjik. Unë kuptoj dhimbjen tënde të madhe. Ngushëllimet e mia të sinqerta.
Humbja e dikujt që e duam është një provë e tmerrshme, por dija se ti ishe pjesë e jetës së atij personi fantastik, shpresojmë të të japë pak forcë. Ngushëllimet e mia.
„Jetohet dy herë: herën e parë në realitet, herën e dytë në kujtesë.“ (Honoré de Balzac)
Këtu e më poshtë nga gjermanishtja:
Ngushëllimet e mia të sinqerta.
Unë e ndiej dhembjen tënde.
Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për humbjen e rëndë.
Ne vajtojmë me ty dhe familjen tënde.
Në këto çaste të vështira të uroj shumë forcë, paqe, qetësi dhe njerëz të dashur rreth teje.
Ju shprehim ngushëllimet tona të gjithëve.
Unë vetëm mund të marr me mend sa e madhe është dhimbja jote dhe sa i thellë është pikëllimi yt.
Na vjen keq për humbjen tënde dhe shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për ty dhe familjen tënde.
Mendimet tona janë te ti në këto çaste të vështira të ndarjes dhe të zisë.
Pa fjalë, mund të të përcjellë vetëm ngushëllimet e mia të sinqerta.
Të uroj ty dhe familjes tënde nga thellësia e zemrës sime që të keni forcën e nevojshme për të parë me besim dhe shpresë në të ardhmen, pavarësisht humbjes që është kaq e dhimbshme për ju.
Shpresoj që pikëllimi yt së shpejti të bëhet një kujtim i dashur.
Me dhimbje mësuam për humbjen e dhimbshme në familjen tënde dhe dëshiroj t'ju shpreh ngushëllimet e mia.
Gjatë këtyre ditëve të vështira, ji i sigurt se nuk je i vetmuar në këtë pikëllim. Përqafime.
Ne vajtojmë mikun tonë të sinqertë dhe të vërtetë.
* Në fotografinë lartë është Bukuroca e Keçe, vendi ku jam lindur, (rritur në Kumanovë): Malësia e Preshevës. Ka njerëz që mendojnë se "e Keçe" vjen nga turqishtja, por është gabim. Në turqishte KEÇI paska kuptimin e dhisë, por në gjuhën shqipe, në Luginë, rrallëkush e di se si quhet dhia turqisht. E as që ka ekzistuar ndonjë pakicë turkqishtfolëse. Bukuroca e Keçe quhet e "keçe", sepse ekziston edhe fshati shumë më i madh, i cili quhet gjithashtu Bukurocë (e Fushës), që dikur është quajtur edhe Bukuroca e Mirë, në krahasim me të "Keçen" në Malësi. Sikur të ishte nga turqishtja, atëherë do të quhej Bukuroca e Keçit, apo Bukuroca e Keçave, por jo me një mbiemër cilësor në shqip, "e keçe". Tani si emër vendbanimi në google shfaqet si Bukuroca e Malit, por jo "mal" i serbishtes, por mal, pyll i shqipes!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen