07.10.2022

Histeria gjatë grevës

Duke kërkuar paga pa punuar, ata i dërguan një mesazh shumë të keq nxënësve: 

„Edhe ju mund t’i fiton notat pa mësuar!" Kur e bëjnë intelektualët, pse jo fëmijët?

Ata po kërkonin më shumë lekë për vete, duke dëmtuar nxënësit e vet. 


Kudo në vendet demokratike në greva del pakica, apo aq sa mund të zhdëmtojë Sindikata, që nxjerr njerëzit në rrugë. Shumica punon. Zakonisht greva bëhet nëpër sheshe me pankarta dhe me kërkesa, ku edhe mbahen fjalimet. Ata që nuk punojnë, nëse nuk janë anëtarë të sindikatës, atëherë i humbin orët e punës apo ditën. Kjo është logjike sepse asnjë punëdhënës nuk mund të paguajë dremitjen e punëtorëve në shtëpi. Sikur të bëhej, grevat do të përsëriteshin disa herë në vit. Pse jo kur dikush e paguan shtrirjen time?!

Ka raste kur greva bëhet para bashkisë, në oborr të ndërmarrjes, të fabrikës, në rrugë etj, por qëndrimi në shtëpi dhe lufta në facebook, nuk mund të vlerësohen si grevë, por vetëm si bojkotim, si refuzim i punës. Për të mos ndodhur kjo, atëherë ata shkojnë dhe lajmërohen te vendi i punës dhe më vonë çlajmërohen. 

Në Kosovë në një gjendje histerie liderët e opozitës bënin thirrje për ta shkelur ligjin: Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj. Asnjëri nuk kërkonte kompensimin e orëve. Të jepeshin paratë thjeshtë në këmbim të votave. Kjo ishte kërkesa e tyre. 


Ligjin për të mos paguar grevistët e paska aprovuar Qeveria e Thaçit në vitin 2012. Shkeljen e ligjit dhe injorimin e shtetit, nuk e kërkuan vetëm ata tre kryetarë të partive, por edhe deputetë, gazetarë dhe intelektualë! Dhe, gazuan. Disa prej tyre kanë jetuar jashtë, apo kanë punuar dhe e dinë mirë se u ndien të detyruar të gënjejnë, nga frika e shkëputjes nga tufa.


Nuk është çudi pse mbahet një anë, por trishtimi është se ata pa asnjë hezitim kërkonin veprime kundërligjore, thirrje për të bërë Qeveria vepra penale. A është kjo normale? Jo, kudo ku ka shtet ligjor, vetëdije shtetërore, ata tre liderë do të rrëzoheshin nga anëtarësia! 

Ata njerëz kur të marrin pushtetin, nuk do të luftojnë as vjedhjet e politikanëve, sepse për ta ligji është vetëm formalitet dhe kur ngulin këmbë të shpërfillet për të tjerët, pse mos ta anashkalojnë ligjin për përfitime të veta?!

Manipulimi. Gati të gjitha portalet publikuan ligjin për grevat të vitit 2010, por jo versionin në fuqi, të plotësuar të vitit 2012. Mosdija për ligjin e ri mund t’u falet nxënësve, por jo atyre që dalin në grevë. 


E kurrë jo as kryesisë së Sindikatës. Ajo e di shumë mirë se aty shkruan në mënyrë eksplicite se grevisti nuk merr pagë! Se duke qëndruar në shtëpi dhe duke dëmtuar nxënësin, nuk mund të shpërblehet. 


Nëse Sindikata nuk e di, atëherë do të duhej ta dinte, jo të tallej me arsimtarët dhe t’i përplaste në një aventurë ku pastaj çaraveshen: herë për turshi, herë për kredi, herë për fëmijë…

Meqenëse kryesia e sindikatës duhej ta dinte, atëherë ajo është tallur me arsimtarët dhe injorancën e vet, ua ka imponuar atyre dhe ka abuzuar me ta. Greva mund të bëhej një herë në javë, njëherë në një qytet, njëherë në një tjetër, me një numër të kufizuar të arsimtarëve, por jo një muaj të tërë me gati të gjithë. 

Pse ndodhi kjo? Kjo ndodhi sepse kërkesat e Jasharajt ishin arrogante, (në vend të 30%, sindikata duhej të kërkonte dy apo tri herë nga 10%). Mënyra e komunikimit të tij ishte shantazhuese, e dhunshme dhe sabotuese.

Si reaguan arsimtarët? Njëra thoshte se ka blerë lule për klasën, domethënë se ka para sa të investojë edhe në shkollë, tjetri se u dënuan fëmijët e tij me uri, por derisa rrinte në shtëpi, nuk i kujtohej familja, tjetra qahej se po ofendoheshin sakrifikuesit e mëdhenj, që kanë punuar në vitet e 90 falas (përmendte ata që sot janë në pension) tjetri vetingu ne arsim është poshtërim. Ne jemi duke bërë punë të shkëlqyer.


Orët u humbura nuk do të kompensohen. 

Veting në arsim nuk pranojmë.

I duam 30% më shumë pagë, përndryshe greva vazhdon. 

Jashari nuk po sillej si udhëheqës i një sindikate, por si një pronar i 22.000 arsimtarëve.


Nuk do të citohen arsimtarët sepse niveli i gjuhës së tyre është për keqardhja, mu edhe si gjuha shqipe e profesorit të gjuhës shqipe Rrahman Jasharit! Katastrofë!!! Imazhi dhe shëmbëlltyra perfekte e arsimit të rrënuar!


Kush kërkon rezultat më të mirë në shkolla? Kush premtoi rezultate më të mira në shkolla? Askush!!! U kërkuan vetëm paga më të larta! Ndoshta të gjithë janë të kënaqur me suksesin! Te gjithë tallen me arsimin, të gjithë dinë nivelin shumë të dobët të arsimit në përgjithësi, por arsimtarët shpesh fajësojnë nxënësit. 

A duhet rritur pagat? Duhet vendosur prioritete: pagat urgjentisht duhet rritur punëtoreve të shëndetësisë, para se të mbete Kosova pa asnjë mjekë, pa infermiere, infermierë dhe të detyrohen të mjekohen jashtë apo t’u drejtohen për shërim klerikëve. 

Pas tyre duhet ta ketë radhën administrata, gjykata, prokuroria, policia me rroga dinjitoze për të mbajtur vertikalisht shtetin. Pason arsimi, por qeveria duhet të obligojë arsimtarët të frekuentojnë seminare për të përditësuar dijen nga pedagogjia dhe didaktika moderne, edhe atë së paku disa javë në vit, së paku disa herë në vit.


LIBRA NGA LIS BUKUROCA TEK AMAZON


LIBRA TE LULU


Keine Kommentare: