27.11.2022

Mos qani nëna

Mos u mërzitni nëna
unë ua konfiskoj lëngatën

si komandant suprem 

ju merreni me vete vetëm krenarinë

unë krejt dhembjen 

Mos qani nëna

unë vajtoj për ata heronj

ju vetëm m’i fshini lotët mua

djemtë tuaj u flijuan për drejtësi 


Mos vështroni ashtu të pikëlluara nëna

unë jam ai që rënkon këtu 

ju festoni

po mënjanojmë edhe fëmijët fashistë

për të mirën e popullit vëlla


Ju keni fat gra

fat se u bëtë nëna heronjsh

ato tjerat atje po qajnë nga turpi 

ja pse lotët tuaj janë lot gëzimi

e lotët e nënave ukrainase

janë lot pendimi:

lot të kurvave


Mos dënesni nëna

mijëra veta vdesin në vit në komunikacion

dhe vdesin kot

thjeshtë në rrugë

ashtu kot

si rrugaçë

pa e denazifikuar vëllanë

si djemtë tuaj nëna


E shihni

është më mirë të vdiset për mëmëdhe

sesa në një fatkeqësie rruge


Nëna shumë të dashura, 

s’lejohet përjetimi i dhembjes

sepse djemtë tuaj kaluan në jetën tjetër

ata nuk vdiqën

ata pas varrimit u rilindën si duhej


Këtë e dëshmon Kirili i Rusisë 

si dje Kirili i Aleksandrisë

që copa-copa

të masakruar 

hodhi në rrugë Hipatinë

filozofen e fundit të lashtësisë


Nëna 

mos filozofoni

mos vini gjë në dyshim

është rrezik

mos i besoni dikujt tjetër

kujtoni Hipatinë

dhe

mijëra veta vdesin në vit nga „Vodka“ nëna

plot jargë e turp

duke u kalamendur rrugicave ruse

flokët shtëllunga

të ndyrë e erërëndë

jo si djemtë tuaj;

ata u vranë

duke kënduar për „Matushka Rasija“**

këtë fat nuk e ka çdo grua

atë fat të madh e kanë vetëm matushkat e zgjedhura nga zoti


E shihni

është më mirë të vdiset për mëmëdhe

sesa me vodkë në dorë nëna


E pastaj, nëna, 

ju heroina ruse

*„e rëndësishme është se ne të gjithë jemi të vdekshëm,

se jemi në duar të perëndisë

dhe një ditë do të largohemi nga kjo botë.

Pyetja është si kemi jetuar!


Djemtë tuaj ia arritën qëllimit!

Ata jetuan.“

dhe u larguan

dhe u varrosën

të buzëqeshur e krenarë


“Unë dua që ju ta dini 

se ne ndajmë këtë dhimbje me ju!”


Nëse dëshironi lekë nëna

na thoni

nëse dëshironi përqafime

kërkojini

nëse dëshiron burra për t’i zëvendësuar ata djem heroikë

mos na kurseni nëna


Gjenerali do të kujdeset personalisht

dhe 

do të shtatznanojë

çdo nënë që e dëshiron

një djalë të ri

me plot mëmëdhedashuri 

me plot patriotizëm

për „Matushka Rasija“


Merreni nga një gotë vodka nëna të heronjëve 

pijeni me një gllënjkë

ju meritoni një fotografi me mua

të buzëqeshura 


Mund edhe të më imagjinoni mbi ju

ose

më ëndërroni secila në mënyrë të vet

si operacion special

më ndieni si burrë mbi ju

apo si dashnor 

si në ato çaste ku i krijuat ata djem

apo

përdormëni në fantazitë tuaj si ju pëlqen juve gra

dhe unë këtë ua lejoj vetëm heroinave

si ju

sepse kjo është kontratë speciale 

që nënat e Rusisë e kanë me mua


Tani po fotografohemi nëna

mos harroni buzëqeshjen

...


25.11.2022 në fotografi diktatori rus me nënat e ushtarëve të rënë në Ukrainë dhe pasojat e "denazifikimit" me metoda fashiste...


Nën thonjëza me shkronja të pjerrëta janë fjalët e Putinit të marra nga revista gjermane „Spiegel“

** Nëna Rusi „Matushka Rasija“


Libra nga Lis Bukuroca te amazon ose te lulu

Keine Kommentare: