03.07.2023

Ballkani i Hapur nuk u mbyll, e braktisi Edi Rama, Bota sot, drini us, prqasje com,

Duket se ai Ballkan paska qenë i projektuar si karrem për Serbinë:për ta zbutur, për ta kthyer nga Perëndimi dhe për t’ia bërë më të lehtë realitetin e Kosovës. Pra, një humbje territoriale t’i zëvendësohej me një treg më të madh. Ideja paska qenë që demokracitë liberale të mashtrojnë një ultra-nacionalist me treg. Paskan shpresuar. Paska qenë ide dhe provë interesante, edhe pse ai projekt shpesh herë është kritikuar si Jugosllavia e Re, si hegjemoni serbe, si Botë Serbe etj. 

Me 30.07.2021 pata shkruar një vështrim me këtë titull: “Para tregut të përbashkët duhet pajtimi” publikuar te “Bota sot”, “përqasje” dhe “drini”. Me 01.08.21 vështrimin e dytë: “Unioni Ballkanik për inat të BE-së”, Bota sot, përqasje, drini, flasshqip. Citat nga ky artikull: Sot Vuçiqi ka shkruar te gazeta serbe „Politika“ një artikull me titull „Ballkani i hapur, hap historik për regjionin.“

A u mbyll Ballkani i Pahapur? Edi Rama nuk e ka mbyllur atë Ballkan, por e braktisi. Pse? Ndoshta pse lirimin e policëve, Vuçiqi nuk ia atribuoi atij, por Orbanit. Rama disa herë ka mbështetur Vuçiqin në tubime ndërkombëtare. Sigurisht, ka pritur një mirënjohje nga ai, dhe ajo pritshmëri ka qenë logjike, kur shihet qëndrimi i tij ndaj Kurtit, që pak dallon nga ai i Vuçiqit ose fare.


"Ballkani i Pahapur” nuk ishte menduar si projekt për ta mbështetur Procesin e Berlinit, sepse asnjë proces nuk ka nevojë për një patericë-proces, i cili do të shpërndante përgjegjësinë, do t’i humbte transparencën, do t’i ngatërronte kompetencat dhe do ta kishte penguar ndërtimin e të parit. Çfarë tha kryetari i Maqedonisë së Veriut në vitin 2021? Gazeta Shqip, 15.12.21. "Kurti pret Pendarovskin / Presidenti maqedonas: 'Ballkani i Hapur' të mos zëvendësojë Procesin e Berlinit,” Pra ishin dy projekte konkurruese. Këtë do ta deklarojë edhe Vuçiqi më poshtë.

Nuk bëhet mbyllja e një projekti në atë mënyrë dhe para publikut, natyrisht nëse nuk bëhet në shenjë revolte ose zhgënjimi. Sikur të ishte mbyllur ai projekt sepse paska përfunduar arsyen e ekzistencës, atëherë në një takim të tre themeluesit (Rama, Kovaçevski dhe Vuçiqi), do të deklaronin se kanë arritur këto suksese, këto rezultate dhe tani kalohet në Procesin e Berlinit. Dhe, këta dy të fundit nuk ia kanë shkruar ende epitafin, madje kryetari serb nuk beson se Rama e ka bërë. Përveç kësaj, Merkel kurrë nuk ka deklaruar se "Open Ballkans" është ndihmëse e Procesit të Berlinit.


Çfarë deklaronte Edi Rama me 02.04.23: “Në fund të majit, takimi i radhës për ‘Open Balkan’”. E Vuçiqi? Edhe ai: “…takimi Open Balkan do të mbahet në fund të majit 2023” Çfarë thotë Vuçiqi katër ditë më vonë për “Ballkanin e Hapur”: "Është një ide e jashtëzakonshme" do të doja të bashkohej edhe Mali i Zi,” 06.04.23

Një ditë më vonë, më 07.04.23, kryetari serb ishte i ftuar në TV RTS ku deklaron: "Nuk e kuptoj pse nuk do të jenë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”  Sarajeva”…


Domethënë, pak më shumë se para dy muajve, Vuçiqi dëshironte përfshirjen edhe të Bosnjës, edhe të Malit të Zi. E çfarë ka ndodhur paksa këtyre dy muajve që bëjnë të panevojshëm ekzistencën e atij Ballkani? 


Asgjë pozitive: asnjë marrëveshje e re, asnjë anëtarësim i ri, por shumë telashe, mobilizim i ushtrisë, kërcënim ndaj Kosovës, rrahje të ushtarëve të KFOR-it për spital, akuzime ndaj Kosovës nga të gjithë dhe nga të gjitha anët, heshtje ndaj kriminalitetit serb në veri: tolerim i tyre në shkelje të ligjit, si askund në botë, në mospagimin e rrymës, si askund në botë, në mospagimin e tatimeve, si askund në botë, në mospagimin e shërbimeve tjera komunale, si askund në botë, pastaj edhe hyrje në territorin e Kosovës dhe kidnapim të policëve. 


Rrahja e ushtarëve të KFOR-it mezi përmendej. Vuçiqi që komandonte kriminelët, nuk akuzohej nga askush! Por çfarë tha kryetari serb kur mori vesh se Edi Rama e mbylli Ballkanin e Pahapur? Citat nga PINK, kanal në shërbim të autokratit serb:


"Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se Ballkani i Hapur është një ide autoktone e popujve të Ballkanit dhe se ai nuk beson se kryeministri shqiptar Edi Rama mund të thotë se Ballkani i Hapur ka përfunduar misionin e tij dhe se është koha që të "shkrihet" në procesin e Berlinit.


"Nuk jam i sigurt nëse pikërisht ai ka thënë këtë, por shpresoj të ketë mundësi ta shoh së shpejti. Ballkani i Hapur është një ide autoktone e popujve të Ballkanit, serbë, shqiptarë, maqedonas, por ka mbështetje edhe nga një pjesë e konsiderueshme e boshnjakëve dhe njerëzve në Mal të Zi, që nuk janë serbë", tha Vuçiq.

Ai tha se e njoh shumë mirë Ramën dhe se ishte pothuajse e pamundur që ai të thoshte diçka të tillë.

"Unë gjithmonë do të mendoj se ideja jonë, jo e imponuar nga jashtë, do të jetë më e mirë, pavarësisht nga përmbajtja e dëshirave tona. Kjo është shprehje e dëshirave, pritjeve dhe marrëdhënieve tona…”, përfundoi Vuçiq.

Nga deklaratat e kryetarit serb shihet se Rama e braktisi, por nuk e mbylli Ballkanin e Hapur, pasi Maqedonia e Veriut dhe Serbia ende ende gjenden brenda.


Edhe një fjalë për folklorizmin se Thaçin e ka vëlla, kurse Kurtin mik. Në kohën e Thaçit pati lulëzuar korrupsioni, radikalizmi fetar, dobësimi i shkollave, i fakulteteve, nepotizmi, kriminaliteti dhe vjedhja e shtetit deri në palcë. Madje Erdogani burgoste njerëz si në Anadoll. Ju e definoni Thaçin si vëlla, jo në mënyrë biologjike, por nga veprimtaria. Deri tani nuk u besoja njerëzve që thoshin se ju jeni pjesë integrale e korrupsionit. Tani i besoj pohimit tuaj. Tani e kuptoj edhe pse e quanit vëlla Erdoganit dhe pse mbroni një kriminel politrop si Vuçiqi.


Në anën tjetër, nuk është e vërtetë se Kurtin e konsideroni mik, pasi miqve nuk u vihen sanksione, (siç nuk i vini Vuçiqit), siç e bëtë me anulimin e takimit të dy qeverive. Mik është shprehje kurtuazie! Me armiqtë anulohen takimet, jo me miqtë! Tregoni të vërtetën popullit se Ballkani i Hapur nuk u mbyll, por e braktisët nga kokëfortësia e Vuçiqit, që ju abuzoi dhe shndërroi në avokat të Serbisë  si Grenellin ose si ambasadorin rus në Beograd. Gishtin në kokë!

Keine Kommentare: