15.09.2023

Lobistët publikë të Serbisë

Titulli i shkrimit te IPG Journal: 

Ndërtimi i një ure në kampin e djathtë -

Serbia dëshiron të lustrojë imazhin e saj në Perëndim me një ofensivë sharmi - dhe po mbështetet në të djathtën populiste në SHBA dhe Europë. Shkruan: Lily Lynch, Beograd 

(Lily Lynch është shkrimatre bashkëthemeluese dhe kryeredaktore e revistës Balkanist). 

"Që nga marshimi rus në Ukrainë, Ambasada e SHBA-së në Beograd konkurron me Rusinë për simpatitë e Serbisë.

...

Sipas anketës, gati 60 për qind e popullsisë serbe refuzon bashkëpunimin me SHBA-të.

...


Ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkojnë të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre me Serbinë, Beogradi po shpenzon para për të pastruar imazhin e tij në anën tjetër të Atlantikut. 


Javët e fundit, qeveria serbe ka rekrutuar një numër lobistësh të mirë-vendosur për të përfaqësuar interesat e saj në Shtetet e Bashkuara. Emrat dhe prejardhja e lobistëve të punësuar tregojnë se Serbia po ndjek një qasje të shumëanshme: Vendi dëshiron të ndryshojë perceptimin e publikut, të kryejë punë të synuar në media dhe të ndikojë tek vendimmarrësit.


Kohët e fundit, megjithatë, ka filluar një ofensivë sharmi. Ambasada e SHBA-së në Serbi po përpiqet të forcojë marrëdhëniet me Vuçiqin, edhe pse ai sundon si autokrat  me dekada dhe ka një të kaluar të errët politike. Vuçiq ishte Ministër i Informacionit i Serbisë nën presidentin e atëhershëm jugosllav Slobodan Millosheviç në fund të viteve 1990.


Amerikanët kanë përshtypjen se Vuçiq është i gatshëm të bëjë pothuajse gjithçka për të ruajtur pushtetin e tij dhe është gjithashtu i hapur ndaj masave jopopullore të sugjeruara nga Perëndimi - madje edhe për çështjen e Kosovës.

Ata gjithashtu e shohin atë si mjaft autokratik për të frenuar forcat rebele brenda së djathtës ekstreme serbe dhe mjaftë të fuqishëm për të ndalur liderin haptazi pro-rus të Republikës Srpska, Milorad Dodik, të cilit  në mënyrë periodike i bie ndërmend  fantazma e shkëputjes nga Bosnja -Hercegovina."


Në fund të korrikut, qeveria serbe angazhoi kompaninë New York  PR KARV Communications. Muajin e kaluar, një numër i “agjentëve të huaj të regjistruar” që punonin për Serbinë iu shtuan bazës së të dhënave të kërkuara nga Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së. 


Ky ligj parashikon që personat që përfaqësojnë interesa të huaja duhet ta shpallin publikisht këtë. Individët e sapo regjistruar, të cilët të gjithë punojnë me KARV Communications, pritet të “ndihmojnë në mbështetjen dhe komunikimin e iniciativave të ndryshme të politikave të Qeverisë së Republikës së Serbisë përmes komunikimit me median dhe kontaktimit me grupet përkatëse në Shtetet e Bashkuara”.


Një nga prurjet e reja është Alana Abramson, e diplomuar në Columbia Journalism School dhe së fundmi producente për CNN. 

Ajo raportonte dikur nga Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi për Time. Mund të supozojmë se tani e tutje ajo do t'i përdorë kontaktet e saj të shumta në media dhe politikë për të përfaqësuar interesat e qeverisë serbe. 


Gjithashtu u rekrutua Adrian Karatnycky,  një anëtar i lartë jorezident në Qendrën Eurasia të Këshillit Atlantik, i cili shkruan rregullisht për revistat Foreign Policy dhe Foreign Affairs dhe më parë drejtoi organizatën joqeveritare Freedom House. 

Karatnycky ka punuar prej kohësh si lobist për qeveritë me integritet të dyshimtë dhe është përkatësisht i diskutueshëm - disa vite më parë firma e tij këshilluese Myrmidon Group punoi për Dodik në Republika Srpska.


Disa nga lobistët e sapo regjistruar të Serbisë mund të jenë pak më të njohur për publikun në Ballkan. Gordon Bardos dikur ishte zëvendësdrejtor i Institutit Harriman në Universitetin e Kolumbisë. Ai pohon se vendet ballkanike me shumicë myslimane janë çerdhe të dhunës islamike. 

Në vitin 2021, në një artikull opinioni për revistën National Interest, Bardos akuzoi qeverinë amerikane për “mbështetje të vazhdueshme të aktorëve më të këqij në Ballkan” – nga të cilët Vuçiç nuk është qartë një prej tyre në sytë e Bardos.


Serbia ka punësuar prej kohësh lobistë dhe konsulentë të huaj të profilit të lartë: firmën britanike PR Bell-Pottinger, ish-ministrin e jashtëm italian Franco Frattini, ish-kancelarin austriak Alfred Gusenbauer, ish-kryeministrin e Britanisë Tony Blair dhe Cherie Blair, ish-ambasadorin e SHBA-së në Serbi dhe Mali i Zi Bill Montgomery dhe ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut Rudy Giuliani


Këto  personalitete i japin Vuçiqit dhe Partisë së tij Progresive Serbe besueshmërinë që ata dëshirojnë në skenën botërore dhe një narrativë që i rehabiliton ata - pa pasur nevojë për asnjë dëmshpërblim.


Një video e shkurtër e një filmi të quajtur Heroes of Halyard u publikua së fundmi. Filmi tashmë kontrovers është financuar direkt dhe indirekt nga qeveria serbe dhe është filmi ideal propagandistik, sidomos në kohën kur Serbia dhe SHBA po ngrohen sërish me njëra-tjetrën. Halyard tregon historinë e një operacioni shpëtimi të Luftës së Dytë Botërore, në të cilin çetnikët serbë ndihmuan në evakuimin e avionëve amerikanë të rrëzuar nga territoret e pushtuara nga gjermanët. Historia përmbush funksione të rëndësishme: nxjerr në pah një moment pozitiv në historinë e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së dhe sugjeron një qëndrim vlerësues ndaj SHBA-së; ai zbut rolin e çetnikëve, të cilët bashkëpunuan me nazistët, por portretizohen si heronj, dhe injoron partizanët që ishin heronjtë e vërtetë dhe në fund i mundën nazistët. Me antikomunizmin e tij, filmi duket i përshtatur për një audiencë nacionaliste (por miqësore me Perëndimin) në Serbi dhe për një audiencë konservatore në SHBA."


Ky është një publikim i përbashkët i Social Europe dhe IPG Journal

IPG Journal, Friedrich-Ebert-Stiftung


Shkrimi i plotë gjermanisht  Brückenschlag ins rechte Lager


Nga anglishtja në gjermanisht Christine Hardung

Nga gjermanishtja Lis Bukuroca


Në origjinal: Exchanging glances: Serbia seduces illiberal America 


PS.

Tani kuptohet pse Perëndimi ka ndryshuar qëndrimin! Pyetja që shtrohet në fund është kjo: Cilët politikanë, cilat personalitete shqiptare janë lobistë të Serbisë?

Keine Kommentare: