28.09.2023

Meritat e fitores ose pse duhet dorëheqja e Laborresko-së

Ata që nuk mund të vjedhin më, ata që kanë frikë se do t’u sekuestrohet plaçka, ata që nga urrejtja nuk mund të shohin më qartë dhe ata që ndihen të detyruar nga paga e qeverisë serbe, suksesin e Qeverisë Kurti në shkapërderdhjen e bandës terroriste ia atribuojnë vetëm policisë, thua ti se policia e Kosovës është Shoqatë e Pavarur Joqeveritare dhe thua se nuk ka as Ministër, as Kryeministër.

Nëse nuk do t’i ishte shpartalluar grupi terrorist, si u dërrmua, do ta kishin akuzuar Kurtin: të parët për hajni, të dytët për mashtrues, të tretët do ta kishin quajtur injorant të verbër dhe të katërtët, tradhëtar në shërbim të Serbisë.

Mirëpo, mos të ekzaltohemi shumë: kjo ishte një fitore madhështore, por episodike dhe procesi serioz sapo ka nisur.  Nënshkrimet e mëparshme u kanë shërbyer karrierave të Thaçit, Mustafës e Ramushit, por e kanë dëmtuar Kosovën.


Pa largimin e Lajçakut, Escobarit, Borreliut dhe Hillit, Kosova vështirë se mund të fitojë. 


Ata katër duke shpallur Kurtin vazhdimisht fajtor, edhe pse nuk ishte, trimëruan Vuçiqin për ta provuar copëtimin me luftë. 

Vuçiq u tha në OKB se nga Rusia nuk distancohet kurrë dhe nuk do ta njihte Kosovën kurrë. Këtu duhej të përfundonin negociatat dhe mu aty të nisnin sanksionet kundër Rusisë së vogël, mu si ndaj Rusisë së madhe dhe për disa javë, problemi në Ballkan do t’ishte zgjidhur përgjithmonë.


Me çështjen Bosnjës u mor Clintoni, Tugjman dhe Millosheviqi. Problemi me Serbinë nuk mund të zgjidhet me zëvendës të zëvendësve, d.m.th. të luhet politikë me lojtar rezervë, jo me kryetarë.  Lajçak, Borrel, Hill e Escobar nuk kanë asnjë pushtet, pos shantazheve dhe kërcënimeve, jo kundër Serbisë, por vetëm ndaj Kosovës. Turp, madje edhe sanksione, por jo ndaj shtetit që dërgon terroristë. 


Nuk është në interesin e asaj skuadre  zgjidhja e problemit, por lazdrimet  dhe udhëtimet poshtë e lartë, si dhe krijimin e rrethanave për të shpërthyer lufta në Veri të Kosovës. Ju kujtohet kërkesat për largimin e policisë nga Veriu?

Ata kërkojnë tash e disa muaj largimin e policës së Kosovës, kështu u mundësua kontrabandimi i armëve. Me dashje apo dashje, me dije apo pa dije, kjo nuk dihet, por tërheqjen e policisë e quanim shtensionim! Nëse ata ndërmjetësues shtegtarë nuk përjashtohen, atëherë ata shpërblehen, si edhe sulmi terrorist.


Ps: Vuçiqi pardje kërkoi që Veriun ta marrë nën kontroll, KFOR. Sot e kërkon këtë Edi Rama


*Shkronjat nismëtare të Lajçak, Borrel, Escobar...

Keine Kommentare: