19.03.2024

Një komb asimilohet kur gratë e tij dorëzohen




Dua të falënderoj për ftesën edhe një herë zonjën Iliriana Loxha Basha, zonjën Mulla dhe bashkëpunëtorët. Ishte një përvojë e mrekullueshme, të cilën as që kisha mund ta marrë me mend.

Zoti Isa Myzyraj, me vlerësimin e tij më bëri të ndihem shumë i nderuar. Nuk e njihja. E falënderoj nga zemra. Gëzohem që e njoha. atë festë pashë atë që e mendoja, e gjeta atë që e besoja për gruan.
Ato luftojnë kundër dhunës, kundër vrasjes së grave, diskriminimit, racizmit, kundër ngacmimeve seksuale, kundër mizogjinisë, gjinofobisë, homofobisë dhe, ato nuk luftojnë me armë, me piskama, me traumatizime, por
me poezi,
me teatër,
me debate,
me këngë,
me dashuri.
Përdorimi i artit dhe kulturës për të ndërgjegjësuar shoqërinë janë akte sublime par exellence! Kështu luftojnë zonjat tona.
Dhe, me lekët e fituar nga shtija e biletave, por edhe me ndihmat e sponsorëve, ato gra ndanë SHTATË bursa për shtatë studente. Vepra madhështore, fisnike!
Ne jemi sot shqiptarë sepse identitetin tonë e kanë shpëtuar gratë shqiptare.
Kombet që janë asimiluar, që kanë humbur gjuhën e vet, janë asimiluar sepse nuk qenë dorëzuar vetëm burrat. Kur gratë dorëzohen, në shtëpi flitet gjuha e atij që ka pushtuar vendin. E dëshmojnë shumë popuj të romanizuar, ku nga latinishtja vulgare, u krijuan gjuhë të reja. Ka edhe dhjetëra shembuj tjerë nëpër botë. Shqipja mbijetoi, sepse nuk u dorëzuan gratë. Duhet respekt dhe mirënjohje. Përkulje me falënderim!
Me këtë nuk dua të them se të jesh shqiptar është përparësi, apo nder, sepse përparësi është vetëm kur njeriu është Njeri. Njeri që respekton dinjitetin e Njeriut. Lirinë dhe barazinë e grave dhe të vajzave.
Me atë desha vetëm të nënvizoj një fakt dhe një kontribut të madh të grave tona: RUAJTJEN E GJUHËS.
Ps. Për të zbuluar atë rezistencë të suksesshme të gruas shqiptare më ndihmoi një fjalë e urtë e indianëve çejenë të Amerikës, e cila thotë: "Një popull nuk është i pushtuar deri kur zemrat e grave të tij të jenë të forta." 

Gratë tona nuk janë dorëzuar kurrë. Burrat shpesh kanë synuar ndryshimin e identitetit apo gjuhës. Për pozita, për lekë, prandaj ne mburremi sot me origjinën e tyre, por jo me veprimtaritë e tyre për shtetet e huaja, shpesh për pushtuesit tanë.
Gratë tona edhe sot  luftojnë për ta bërë këtë botë më të mirë. Një shoqëri është e lumtur kur barazia gjinore dhe respekti për dinjitetin e njeriut janë parime themelore.
Falënderoj përzemërsisht të gjithë të pranishmit…













Keine Kommentare: