03.03.2024

Përgjigje profesorit Emil Lafe

Shumë i nderuar profesor, 

gjuha shqipe mbijeton nëse populli nuk emigron. Pritshmëritë tjera janë dëshira fisnike, por jo mundësi reale. Sipas sociologëve në brezin katër më së largu asimilohemi të gjithë. Këtu kanë bërë përjashtim vetëm hebrenjtë, sepse judaizmi është fe dhe komb njëkohësisht. Kjo ka ndikuar në ruajtjen e identitetit.


E kuptoj shumë mirë zhgënjimin dhe thirrjen Tuaj te Gazeta Dita dhe pikërisht ajo më shtyri të bëj këtë refleksion të shkurtër për identitetin. Profesor, fëmijëve tanë në mërgim u mungojnë:

rrethi social, (familja, gjyshi, gjyshja, shoqëria etj.),

rrethi etnik, (kombi),

ngrehina nacionale (shteti),

gati në tërësi edhe rrethi kulturor shqiptar. 


Mungon edhe NËNA, sepse ajo punon dhe dërgohen lekë në atdhe. Dërgohen në Kosovë diku 1.22 miliard euro gjatë një viti dhe pastaj Kosova e zë vendin e parë me turistë në Shqipëri. Dhe, ata që dërgojnë, gjersa flijohen për të ndihmuar në atdhe, duhet të kapërdijnë lloj-lloj ofendimesh ndaj fëmijëve të tyre pse nuk e flasin shqipen si duhet.


Do t'ishte çudi nëse nuk e flasin gjuhën e vendit ku jetojnë, por jo gjuhën e vendit ku nuk  jetojnë. Kritikat janë aq të drejta, si kur qortohen shqiptarët në atdhe, pse nuk e flasin gjermanishte apo anglishten.


Shahen dhe përbuzen jo vetëm fëmijët, por dhe mërgimtarët në përgjithësi, aty ku të ashtuquajturit intelektual, e flasin gjuhën thua se nuk kanë qenë kurrë  në shkollë. Fëmijët në Perëndim nuk janë mësuar të shohin në tv nivele injorantësh, dhunë verbale dhe piskama si në një bar të pijanecëve. 


Jashtë Shqipërisë dominohemi nga njerëz të tillë, edhe nëpër shkolla e fakultete, pastaj, për ta ngritur veten, me përbuzje mundohen ta zvogëlojnë diasporën duke e sharë. Se ata e gjoja e flitkan më mirë shqipen se fëmijët tanë! Duke jetuar në atdhe sharlatanët! 


Edhe martesat e vajzave që po bëhen me djem nga atdheu, nga trysnia e prindërve, po rrënohen për shkak të dallimeve kulturore. Njeriu nuk martohet për patriotizëm, por për dashuri. Edukata patriarkale nuk e mëson dashurinë, por posedimin e njeriut. Kjo është arsyeja e shkurorëzimeve të shpeshta.


Në Perëndim, i dashur profesor Lafe, si pasojë, fëmija mbi 90% të kohës i nënshtrohet socializimit të vendit ku jeton. Për shembull në kopshtin e fëmijëve, në shkollë, loja me shokë jashtë dhe pak orë në ditë me prindërit kur të kthehen ata nga puna. Nëse nuk janë të rraskapitur…


Brezi i parë mund ta mësojë pak, i dyti aspak, sepse socializmi i fëmijëve tanë jashtë, u mungojnë rrethanat elementare për ruajtjen e identitetit. Me shekuj është dëshmuar se tretja bëhet aty ku një popull dominohet nga kultura tjetër. Ka qindra shembuj të tillë.


Mënyra e vetme për ta ruajtur gjuhën shqipe është mosbraktisja e atdheut. Për ta kuptuar këtë, mjafton të flitet me një shqiptar në ShBA; i brezit të dytë, të tretë, apo të katërt. Thuhet se diku çdo i gjashti amerikan ka origjinë gjermane! E flasin gjuhën? Jo, pjesa dërmuese jo! Po përmend vetëm Donald Trumpin!


Shkurt, në Perëndim do të asimiloheni të gjithë për t'i shpëtuar ata në atdhe me identiteti shqiptar. 

Ne kemi dashur gati të gjithë të kthehemi. Nuk kemi ku. Po e braktisni edhe ju. Nuk keni ku të rrini. Dhe, ndoshta në atdheun tonë, që ju e keni ende, e që ne kemi humbur, do të bëheni edhe ju pakicë. 


Kjo mund të lexohet në migrimet drejtë Shqipërisë së vogël dhe daljet jashtë saj. Pra, unë mendoj se është më urgjente të luftohet braktisja e vendit dhe mbushja e tij. Fëmijët tanë nga dashuria ndaj nesh, do ta duan atdheun tonë edhe nëse kanë humbur identitetin kulturor. Ashtu si e bëjnë arbëreshët e Italisë, të  Argjentinës etj. Apo shqiptarët e Amerikës, si Joseph J. DioGuardi, që ka kontribuar më shumë se mijëra veta që e flasin shqipen. Apo Bill Clinton, që nuk e flet fare.


Popujt edhe të varfër nuk braktisin vendin, nëse kanë shtet ligjor. Ndjenja e pasigurisë zbraz atdheun. Kjo ndodh kudo në botë.


I dashur profesor Lafe, më vjen keq, por nga përvoja ime mbi 35 vjeçare në mërgim, nuk kam asnjë mundësi të them se do të bëhet më mirë. Nuk do të bëhet, por vit pas viti edhe më keq. Ajo çfarë duhet të bëjë sot elita intelektuale në Shqipëri e Kosovë, është të angazhohet për të parandaluar migrimin. Kjo na shpëton. Diçka tjetër do të jetë vetëm dëshirë e madhe, por jo mundësi. 


Pranoni ju lutem fëmijët tanë ashtu si janë, jo ashtu si dëshironi të jenë, përndryshe pas vdekjes sonë, ata nuk do të kenë ku të kthehen as për vizita. Do ta ndiejnë refuzimin, mospranimin dhe përbuzjen. Do ta përjetojnë si racizëm! Këtë nuk e meritojnë se nuk kanë asnjë faj. Ata nuk kanë vendosur vetë se ku duhet të linden. Për migrimin e madh kemi faj të gjithë nga pak dhe asnjë nuk mund të shëlbohet...

03.03.2024


I nderuar z. Lis Bukuroca!


Ju falënderoj shumë për shkrimin tuaj lidhur me ruajtjen e gjuhës shqipe në mërgatë me shkas nga një bisedë imja në televizionin “Dritare” (pjesërisht e botuar në disa gazeta). Kam pasur rast t’i vërej edhe vetë ato që përshkruani ju, prandaj ju kuptoj fort mirë. Por këto rrethana nuk duhet të çojnë në një zvjerdhje shpirtërore ndaj gjuhës amtare e as në një përtaci mendore në të mësuarit e saj. Prandaj unë prapë ngul këmbë se kryesorja është të mos mungojë vullneti dhe të mos mpihet dëshira e prindërve për t’u lënë fëmijëve një pasuri dhe një vlerë kulturore dhe morale siç është gjuha shqipe. 

Unë jam kundër pajtimit me idenë se për shkaqe objektive ruajtja e gjuhës është e pamundur dhe përpjekja e kotë. Në ruajtjen e gjuhës krahas rrethanave objektive, që nuk varen nga ne, peshon shumë ana subjektive, d.m.th. dëshira, vullneti, ndjenja kombëtare dhe qytetare. Një gjuhë më shumë është një armë më shumë në luftën për jetën. Se, siç thoshin romakët, jeta është luftë, nuk është shesh me lule (vivere militare est).

Prindi ka shumë raste e mundësi t’i mësojë fëmijës pak nga pak gjuhën amtare. Nëse prindi ia vë vetes si synim që fëmijët e tij të mësojnë sado pak gjuhën asmtare dhe kujdeset që të ketë në shtëpi ndonjë abetare shqip dhe libra të thjeshtë, sipas moshave, me vizatime për mësimin e gjuhës, pjesën tjetër të punës e mbaron kureshtja e fëmijës. 

Shembullit të vajzës marokene në SHBA që, duke u martuar në një familje shqiptare mësoi vetë shqip dhe u flet shqip fëmijëve, do t’i shtoj edhe një tjetër. Një albanologe bullgare, që ka mësuar shqipen në Universitetin e Tiranës, kur kishte dalë në pension dhe u vendos në Bazel të Zvicrës (në fillim të viteve ’90), u bë mësuese e gjuhës shqipe për gra zvicerane të martuara me shqiptarë. 

Natyrisht këto gra mund të flisnin në gjuhën e vet (gjermanisht a frëngjisht) me bashkëshortët, por ato gjenin kohë për të ndjekur vullnetarisht një kurs të gjuhës shqipe me qëllim që të njihnin më mirë mjedisin shqiptar ku kishin hyrë, për të mos mbetur të huaja për rrethin familjar e shoqëror të bashkëshortëve të tyre dhe për kulturën shqiptare. Kjo sjellje e tyrja (ashtu si ajo e vajzës marokene) pasqyron një mendësi tjetër, të ndryshme nga jona. 

Le të kemi parasysh pra këta shembuj të mirë, tërheqës, domethënës, shembuj që të trimërojnë, që largojnë ndjenjën e plogështisë.

Përzemërsisht
Emil Lafe

Keine Kommentare: