Berat Buzhala e paska quajtur Rexhep Qosjen „mut si njeri“ dhe kontributin e tij si shkrimtar e publicist, gjithashtu „mut.“ Ky mendim fyes dhe i shprehur publikisht përbën dhunë verbale. Ai nuk pasqyron realisht figurën e Qosjes, por më shumë drojën e Buzhalës nga rizgjedhja e Albin Kurtit. Sigurisht i ka arsyet e veta.
Më 27 janar, në orën 12:05, Rexhep Qosja paska shkruar motivet se pse ai do ta votonte Albin Kurtin. Dy orë më vonë, 14:05, Buzhala i pezmatuar, i trishtuar dhe i tmerruar paska shkruar:
„Me falni ne shprehje, por Rexhep Qosja si karakter eshte nje cope muti, kurse leteresia e tij eshte gjithashtu nje cope muti.“
Ndoshta ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por sidoqoftë, Buzhala i lejon vetes të ofendojë Qosjen, por jo Qosjes të mendojë dhe të shkruajë. Nga ana tjetër, përdorimi i fyerjeve nga një gazetar bie ndesh me parimet etike të profesionit, të cilat kërkojnë respekt dhe paanësi. Duke pasur parasysh se shkrimi i tij përmban fyerje të drejtpërdrejta dhe përçmuese, mund të ketë baza ligjore për gjobë apo ndëshkim.
Nëse Prokuroria nuk ka reaguar, shumë njerëz mund ta shohin këtë si një arsye të fortë për të votuar Albin Kurtin. Kjo për faktin se opozita nuk duket se premton një shtet ligjor, por përqendrohet kryesisht te investimet dhe rritja e pagave, duke lënë në hije forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit.
Qosja ka të drejtë të shprehë preferencat e veta, ashtu siç bën edhe Buzhala, por ky i fundit mendon se çfarë i lejohet atij, nuk duhet t’i lejohet Qosjes. Pse mendon e beson ai kështu, nuk e di, por ai, nëpërmjet dhunës verbale, paska kërkuar ndalimin e mendimit të lirë, natyrisht për të tjerët, jo për ofendimet e tij. Megjithatë, me këtë qasje, ai vetëm sa ndikon në votimin e Kurtit. Në të njëjtën mënyrë, edhe Baton Haxhiu, pa dashje, po e ndihmon Kurtin.
Ata dy po e ndihmojnë Kurtin, sepse po shpalosin një urrejtje patologjike dhe një trishtim, që e bëjnë më të fuqishëm imazhin e Kurtit dhe ndikojnë negativisht në zhvillimet politike. Kjo qasje e tyre, e cila përqendrohet në sulme shumë emocionale, tejet agresive, jo vetëm që e forcon pozitën e Kurtit, por po polarizon edhe shoqërinë. Jo pak njerëz mund të zgjedhin ta mbështesin Kurtin pikërisht sepse ata dy janë kundër tij—madje me një pasion të madh. Të pakontrolluar.
Berat Buzhala, në fakt, nuk e paska sharë Rexhep Qosjen, por më shumë paska rrëfyer për vetveten. Një ditë do të pendohet. Sidoqoftë, në një vend ku sistemi prokurorial dhe gjyqësor nuk funksionon siç duhet, duket se çdo gjë është e lejueshme, edhe publikisht, dhe njerëzit mund të veprojnë pa pasur frikë nga pasoja ligjore.
Fjalën e ka gazetari, shkrimtari dhe historiani italian Indro Montanelli:
„Po ne jemi përherë të paguar pak, sepse ky zanat nuk bëhet për lekë. Përkundrazi, në rast se takoni një gazetar të pasur, mos e besoni. Gazetaria nuk të shpien në pasurim, mund të të çojë në mirëqenie, për hir të së vërtetës. Unë nuk ankohem, kam aq sa më mjafton, madje edhe më shumë për të jetuar mirë. Por, një gazetar i pasur është një gazetar të cilit i vjen erë e keqe, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera. Një gazetar që keqpërdor zanatin – kërkoj falje nga prokurorja Maddalena – do ta pushkatoja.
Shpresoj se pendohet Buzhala dhe jep një shembull të një gazetari dinjitoz…
Bota sot
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen