🔧 Sharr Latani, mekanik, albanolog i famshëm dhe ekspert i pakonkurruencë, ka bërë një tjetër zbulim epokal që tronditi botën akademike! Pas analizave të thelluara në punëtorinë e tij, ai ka zbuluar se fjala "karrierë" është 100% pellazge dhe proto-shqipe.
Zoti Sharr Latani shpjegon etimologjinë e fjalës "karrierë" kështu:
"Fjala ‘karrierë’ vjen nga shqipja e lashtë dhe do të thotë: ‘specit i vjen era’. Domethënë: ai ngrihet lart, dhe duke u ngritur, lodhet, djersitet dhe kundërmon! Era e keqe është një tipar i përbashkët i të gjithë karrieristëve edhe sot, gjë që dëshmon edhe faktin semantik të kësaj fjale me origjinë shqipe.
Në gjuhët e tjera që rrjedhin nga shqipja, si greqishtja e lashtë dhe latinishtja, kjo fjalë nuk ka asnjë kuptim – një dëshmi më shumë e epërsisë së shqipes si gjuha nonë e qytetërimit botëror!“ Ato fakte shkencore dhe tronditëse i tha ndërsa ndërronte vajin e makinës së një "akademyku" – siç i quan ai me shumë "respekt" akademikët.
„Akademyku“ i pafat kishte mbetur në mes të rrugës, pikërisht para protestuesve në Tiranë, që po luftonin për shtet ligjor kundër një Prokurorie Terroriste, që quhet ASPAK (Mëshirë) dhe e cila arreston vetëm politikanët e pafajshëm. Albanologu i famshëm vazhdon me argumentimin e tij linguistik dhe historik:
"Kjo fjalë është krijuar në Elbasan, sepse – dhe këtu vjen shpërthimi i madh – para 12,000 vjetëve, elbasanasit quheshin ‘Qelbasanas’!1 Ishin përtacë dhe urrenin dushin!“ Kjo hipotezë e guximshme ka shkaktuar jo pak tronditje në qarqet akademike, ndërsa miku i tij, Injor Anti, kamerier, por albanolog rezervë, ka propozuar që t’i ndërtohet një përmendore Sharrit në oborrin e Akademisë, me një arsyetim të thellë shkencor dhe kombëtar:
"Kështu Akademia mund të zgjohet, të shqipëtarizohet dhe të pellazgjizohet! Të shohin surratin e tij sa herë të futen apo të dalin jashtë! Ose të ecin kokën ulur! Siç e meritojnë!“ Sharr Latani, i njohur për betejën e tij patriotike dhe heroike kundër Akademisë së Shkencave, i emocionuar nga mirënjohja e Injorit, shtoi me ton triumfues:
"Përparësia ime e madhe është se unë i njoh edhe motorët me djegie të brendshme, ndërsa ata – në shërbim të Serbisë dhe Rusisë – mezi ndezin një fije shkrepëse!"
🛠 Zbulimi epokal ka bërë xhiron në rrjete sociale, ndërsa ekspertët ende përpiqen të zbulojnë nëse fjala "akademyk" vjen nga shqipja e lashtë apo është një defekt i motorit historik të mykur, të cilin e kemi zbuluar ne, por na e kanë vjedhur gjermanët! 🚗
Të diele të këndshme nga APL
Akademia e Patriotëve të Lashtë!
Imazhi gjeneruar me ChatGPT

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen