Disa miq të mi shpesh acarohen nga orientimi seksual i njerëzve tjerë, veçanërisht të atyre që i përkasin një pakice. Sipas statistikave, nga 3 deri në 10% e burrave janë homoseksualë, ndërsa për gratë kjo shifër është 2-4%.
Unë nuk e kuptoj se si dikush mund të shqetësohet nga prirjet seksual të tjetrit, nga mënyra se si ai ndihet dhe kë pëlqen.
Ndonjëherë shoh një grua shumë të bukur me një burrë shumë të shëmtuar. Sa herë më ndodh kjo, më kujtohen fjalët e një gruaje nga familja ime. Kur e patën pyetur se si mund ta donte burrin e saj – të vogël, pak të shëndoshë, me kokë të madhe dhe pa ndonjë simpatí të veçantë, i cili mund të vihej në vresht për t‘i trishtuar zogjët– ajo qe përgjigjur:
“Nëse e kshyrni me sytë e mi, do ta shihni se asht si ni aktor i Hollivudit!”
Në dhomë patën shpërthyer të qeshurat nga ata që nuk mund ta pranonin këndvështrimin e saj ose e konsideronin atë si një të „qorrume”.
Aftësia ime nuk është të vlerësoj simpatinë e burrave, por të grave. Tek çdo grua mund të gjej diçka interesante, të bukur, magjepsëse. Tek burrat nuk e kam të njëjtën aftësi apo ndjeshmëri, sepse mënyra ime e perceptimit dhe e vlerësimit është e orientuar drejt bukurisë së grave.
Nuk e kam zgjedhur unë këtë prirje – është thjesht mënyra se si funksionoj dhe nuk mund ta ndryshoj.
Ashtu siç unë ndiej kështu për gratë, mund të ketë një grua që vlerëson bukurinë e grave, por jo të burrave. Mund të ketë edhe një burrë që e shikon një burrë tjetër si tërheqës. Dhe kjo është krejt normale. Bota është e bukur dhe e mirë pikërisht sepse ne duhet të pranojmë të tjerët ashtu siç janë.
Për çfarë arsyeje duhet të shqetësohem për dashuritë e tjerëve? Ajo që ka rëndësi për shoqërinë është kontributi i tij, jo cilin njeri e dashuron. Dashuria është liri e njeriut!
Ajo që më shqetëson dhe më trondit më shumë është kur njerëzit dëmtojnë shoqërinë – kur lëndojnë të tjerët, kur vrasin, kur dhunojnë, kur vjedhin apo shkatërrojnë. Si dhe racizmi, mizogjinia, homofobia, ekstremizmi fetar dhe ai politik! Këto janë perversione sociale, veprime që duhen dënuar dhe përbëjnë një problem real, jo fakti se kush me kë ka një marrëdhënie, bazuar në ndjeshmërinë e tij personale. Bazuar në dashurinë e tij. Në mes të rriturve.
Jeta private e dikujt tjetër nuk është dhe nuk duhet të jetë çështje shqetësimi për shoqërinë, sepse nuk dëmton askënd. Dhe, nëse dikush mendon se ka të drejtë të vendosë për orientimin seksual të tjetrit, atëherë, me të njëjtën logjikë, shoqëria duhet të vendosë me kë martohet ai.
Nuk është e drejtë një burrë “i shëmtuar” të ketë një grua të bukur. Sa herë më shfaqet ky mendim, më kujtohen fjalët e së afërmes, të cilat i pata dëgjuar kur isha me moshës 10 dhe 12 vjeçare.
Studimet tregojnë se homofobët shpesh nuk ndihen të sigurt në orientimin e tyre seksual dhe kanë frikë se mund të ndikohen. Kjo pasiguri i shtyn të shfaqin refuzim dhe agresion ekstrem. Homoseksualiteti nuk është sëmundje ngjitëse. Nuk është sëmundje! Nëse beson të kundërtën, atëherë, si burrë, provo të puthësh një burrë!
Kush urren, është i marrë peng nga ai që ai e urren dhe mendon se me urrejtje përfiton.

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen