15.03.2025

Lindja ime

Kur u linda
Qau nëna
Qava, mirëpo edhe unë
Qamë së bashku

Ajo nga gëzimi e lehtësimi

Unë sepse duhej
Dhe më shtrëngoi lehtë




Babi nuk ishte aty

Kur u linda
Atë ditë nuk ishte në shtëpi


Për t'i shtrënguar dorën nënës
Fshirë djersët
Për ta qetësuar
Për t´i dhënë guxim
Për ta marrë foshnjën në dorë i dyti


Në kohën kur u linda unë
Nëna nuk ishte bashkëshortja e babit
As shoqja e tij
As e dashur
Ajo ishte
E paemër
“Mëri” ose “hej ti”
Askushi

Ajo bënte jetë anonime
Shërbente ditë e natë
Natë e ditë shërbëtore
Në botën e burrave parakë
Ku edhe përbuzja
Edhe nënshtrimi
Edhe shfrytëzimi ishin të njëmendtë!
Të prekshëm…

Në kohën kur u linda unë
Martesa e tyre
Nuk ishte dashuri
Takimi i parë në krevat, ora njëzetë e një
Në orën njëzetë e një e pesë: seks
Ndërzimi i detyrueshëm...

Në kohën kur u linda unë
Gratë nuk lindnin
Ato pillnin
Me skllavërimin jetësor
Dhe nënshtrim tërësor
Ndaj burrit
Dhe fëmijëve

Ato përparonin ca
Dhe, kështu
Në fund, ato nuk cofnin
Por vdisnin
Mirëpo, varroseshin më thellë se burrat

Në kohën kur u linda unë
Prindërit nuk i bënin fëmijët vetë
Perëndia ua dërgonte
Nëpër kopshte, ara, livadhe e lëndina...
Edhe pse çdo natë qartë dëgjohej zhurma e kazanëve

Në kopsht apo ara
Merrnin foshnjën
Që kishte ardhur pa dëshirën e tyre
Dhe mbushnin shtëpinë
Me perime e kafshë:
Kryekungull
Kastravec
Hundëspec
Kaçirubë
Varet se ku kishin gjetur foshnjën
Ndonjë edhe në stallë: si gomarin për shembull


Në rast të shkurorëzimit

Ajo nuk shkurorëzohej

Por lëshohej,

Si kafsha në kullosë


Në kohën kur u linda unë
Mësonim gjashtë mësime për gjashtë vjet
Xhelozinë dhe inatin
Smirën dhe krenarinë
diskriminimin dhe hakmarrjen!
Në vitin e shtatë ia nisnim shkollës...

Në kohën kur u linda unë
Dashurinë nuk e mësonim
Ajo ishte turp dhe kurvëri!
Dhe krim!
Urrejtja dhe vrasja në lule të ballit: 

Burrëri dhe nder!


Nga Hijedritat e jetës

Poezi

2010-2017


Mbi librin ka shkruar shkrimtari Thanas Jorgji


Si këngë


Keine Kommentare: