Disa komentues mendojnë: jo. Këto interpretime shpijnë drejt një fenomeni, të cilit psikoanalisti Carl Gustav Jung deshi t’i jepte vlerën shkencore duke e quajtur: “Sinkroniciteti.”
Elisabeth Mardorf: "Shumë herët pata vënë re se kishte gjëra që më bënin të mendoja: 'Uaa, çfarë rastësie!’ – dhe aty mendoja: ‘Kjo domethënë diçka!’ Njëherë u zgjova në mes të natës, si e elektrizuar dhe e dija: diçka po ndodhte me shoqen time, diçka shumë e tmerrshme, dhe u brengosa shumë për të. Në atë kohë, si studente, nuk kishte telefon, kështu menjëherë të nesërmen i shkrova asaj. Disa ditë më vonë, në një letër ajo më shkruante se kishte pasur atë natë një aksident, se kishte qenë në gjendje të rëndë fizike, dhe se tani po ndihej pak më mirë.
Shumë njerëz kanë përjetuar diçka të ngjashme si Elisabeth Mardorf atë natë. Dhe nuk janë të sigurt: A është rastësi kur dy njerëz në të njëjtin çast mendojnë në njëri-tjetrin– apo pikërisht në çastin kur një të afërmi i ndodh diçka. A është rastësi – apo ekziston ndonjë fuqi më e lartë në veprim që po i tërheq fijet dhe po bën që gjërat të ndodhin në të njëjtën kohë?
Sado të ndryshme të jenë përgjigjet – për Elisabeth Mardorf ishte e qartë:
Ishte diçka që, për mua, tani e ndieja si: "Kjo nuk është thjesht një rastësi.“
Elisabeth Mardorf në fakt mund të ndihej e kënaqur me një përgjigje fetare të zakonshme – sepse ajo studionte teologji katolike. "Gjithçka ishte në duart e zotit", dhe kjo 'gjithçka është në duart e zotit' nuk ishte aq e lehtë për mua për ta kuptuar."
Breza të tërë teologësh dhe filozofësh janë përpjekur të përshkruajnë rastësitë dhe t'i integrojnë ato në një sistem mendimi. Dalin pyetje të vështira:
A e ka paracaktuar perëndia tashmë gjithçka që do të ndodhë?
A ekziston vërtet rastësia – pra, a mund të ndodhë diçka pa qenë e planifikuar apo e papritur? Që nga lashtësia, dijetarët janë marrë me këtë pyetje. Por nuk kanë arritur te ndonjë përgjigje të pranuar nga të gjithë.
“Kudo sundon rastësia. Lëre grepin e varur; atëherë kur e beson më së paku, peshku do të tundet në grep.”
Kështu e përshkroi poeti romak Ovid përvojën e përditshme të jetës 2000 vjet më parë. Në mendimin antik, rastësitë gjenden në një “rezon, arsye botërore” – në një parim rregullues që, megjithatë, lë hapësirë për të papriturën.
Në të njëjtën kohë, ajo hedh poshtë traditën hebreje-kristiane. Në Dhiatën e Re, Jezusi i Nazaretit thekson se asgjë nuk ndodh pa ndërhyrjen e Perëndisë.
“As një harabel nuk bie në tokë pa vullnetin e zotit.”
Edhe teologët mesjetarë ishin të këtij mendimi. Ata theksonin: rastësia është rezultat i vullnetit absolut, por të paprekshëm, të zotit. Martin Luteri ankohej: “Sa shumë njerëz ka që mendojnë se gjithçka ndodh rastësisht dhe nuk e dinë ose nuk besojnë se e u vjen nga zoti!”
Ajo që njerëzve u duket si rastësi, sipas shpjegimeve teologjike nëpër shekuj deri në ditët e sotme, në fund të fundit është fati i caktuar nga zoti. Albert Einsteini, fizikani i njohur, është autor i shprehjes së famshme:
“Nuk do ta besoj kurrë se zoti luan zare me botën.”
A vlen kjo edhe për rastësinë që përjetoi Elisabeth Mardorf? Ajo kishte menduar për shoqen e saj që gjendej larg pikërisht në të njëjtën kohë kur ajo kishte pësuar një fatkeqësi në komunikacion! A ishte dora e zotit në lojë kur ajo mendoi për shoqen e saj? A e kishte shqetësuar ai Elisabeth Mardorfin me qëllim që ajo të kujdesej për shoqen e saj?
Por ajo nuk u mjaftua me atë përgjigje fetare, prandaj ndryshoi degën e studimit – duke shpresuar se psikologjia do t’i jepte përgjigje më të qarta. Ajo punoi për vite me radhë në qendra kishtare për këshillim, ndihmoi njerëz në vështirësi shpirtërore dhe sot punon në një ordinancë private.
"Arsyeja pse fillova të merrem me këtë si psikoterapiste ishte sepse gjithnjë e më shumë njerëz më tregonin për gjëra të çuditshme që po përjetonin, apo njerëzit shqetësoheshin sepse ëndërronin diçka që i bënte të ndiheshin sikur kishte një kuptim më të madh. Të tjerët kuptonin se diçka që kishin ëndërruar, më vonë u kishte ndodhur. Ose gjatë terapisë, shfaqeshin simbole, ngjyra apo tema të përsëritura – shpesh rreth vdekjes apo ndryshimeve në jetë ose karrierë.”
Sado të pashpjegueshme që ishin rastësitë, ato ishin të dobishme në kapërcimin e krizave me të cilat përballeshin këta njerëz. Kjo përvojë hodhi dritë të re mbi fenomenin e rastësive. Se a ishin të parapërgatitur nga perëndi apo jo, u la lënë në plan të dytë. E rëndësishme ishte domethënia që njerëzit u jepnin atyre. Shumë psikologë ia bëjnë vetes dhe pacientëve të tyre këtë pyetje.
Ata i qasen gjithashtu psikiatrit Carl Gustav Jung, njërit prej themeluesve të psikoterapisë. Jungu nuk dëgjoi vetëm historitë e rastësishme të pacientëve të tij. Ai vetë pati edhe disa përvoja të mahnitshme.
Në një moment vendimtar të trajtimit të saj, një paciente e re kishte parë një ëndërr në të cilën pranonte një brumbull të artë si dhuratë.
Unë isha i ulur - gjersa më rrëfente - me shpinën nga dritarja e mbyllur. Papritur dëgjova një zhurmë pas meje, diçka po trokiste ngadalë në dritare. U ktheva dhe pashë një insekt në fluturim që po godiste dritaren nga jashtë. Unë hapa dritaren dhe e kapa në fluturim. Ishte analogjia më e afërt me një brumbulli të artë që gjerësitë tona gjeografike mund të sillnin, domethënë brumbullin e trëndafilit, i cili me sa duket ishte ndier i detyruar, në kundërshtim me shprehitë e tij, të hynte në një dhomë të errët pikërisht në atë çast.
E prekur thellë nga kjo përvojë, pacientja shpërthen në vaj. Terapia e saj mori një shtysë të re. Dhe Carl Gustav Jung përfshiu në procesin e tij të të menduarit mundësinë që çdo rastësi mund të ketë kuptimin e vet; që ndodhin në të njëjtën kohë gjëra që në shikim të parë nuk kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën, por në shikim të dytë kanë pak a shumë të bëjnë me njëra-tjetrën. Si shkencëtar, ai shpiku termin e tij për të.
“Unë përdor termin sinkronicitet për të përshkruar përputhjen kohore të dy ose më shumë ngjarjeve që nuk janë të lidhura me shkakësi, por që kanë kuptim të ngjashëm.”
C. G. Jung ishte i bindur se sinkronicitetet janë rastësi kuptimplote. Ato i ndihmojnë njerëzit të ecin përpara në rrugën e tyre ose në situatën e tyre të jetës; si brumbulli që trokiti në dritare të dhomës së terapisë; si paniku i përnatshëm i Elisabeth Mardorf, i cili i kujtonte gjendjen e shoqes së saj.
(Ju kujtohet pak minuta para se të dilte tymit i bardhë pranë oxhakut të Kapelës Sistine, Vatikan, u shfaq një zog i vogël pulëbardhe. Pranë tij ishin edhe dy të tjerë.) LB
Megjithatë, kishte një gjë që as C. G. Jung nuk mund ta shpjegonte. A shkaktohen sinkronicitetet nga një fuqi më e lartë apo janë rastësi të vërteta? Me fjalë të tjera: A kanë ato një kuptim të tyren – apo vetëm kuptimin që njerëzit u atribuojnë atyre?
Këto pyetje nxisin një sërë spekulimesh. Shumë prej tyre punësohen nga ekspertë të vetëshpallur të rastësishëm që gjejnë një audiencë të hapur në qarqet ezoterike. Sinkronitetet përshkruhen si "klikime të mausit në rendin kozmik" ose interpretohen si rastësi të kryera nga engjëjt mbrojtës. Atje, bëhet referencë për lidhje gjoja delikate që lidhin botët e shpirtit dhe materies. Të gjitha këto teori të paqarta të rastësisë paraqiten si argumente të dukshme kundër një botëkuptimi mekanistik, sipas të cilit vetëm ajo që mund të shpjegohet racionalisht është reale.
Ndoshta nuk është rastësi që rastësia ruan sekretin e vet. Dhe ndoshta më së miri e pranojnë këtë njerëzit që kuptojnë si teologjinë, ashtu edhe psikologjinë – si Elisabeth Mardorf:
“Sa më shumë që jam marrë me sinkronicitetin, aq më shumë e kuptova se: nuk është detyra jonë të dimë gjithçka. Është e dobishme të vëzhgosh me kujdes, të përpiqesh ta kuptosh. Më e rëndësishme është të pyesësh: çfarë kuptimi ka kjo për jetën time?
Por kam hequr dorë nga përpjekja për të ditur se çfarë mban botën bashkë në thelb. Tani e konsideroj këtë arrogancë. Pra, sa më shumë merrem me këtë temë, aq më modeste dhe më e përulur jam bërë. Nuk jemi të destinuar të dimë të gjitha – është në rregull të jetojmë me një pjesë që mbetet mister.”
⸻
Nga gjermanishtja
Lis Bukuroca
Nga Uwe Birnstein | Deutschlandfunkultur
https://www.deutschlandfunkkultur.de/zufall-fuegung-synchronizitaet-100.html
*1. Që gjoja paracaktohet në mënyrë të pashmangshme, si shpjegim fetar.
Fat që nuk mund t’i iket. Jo nafakë…
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen