14.06.2025

Me kolegen

– Ah, sot në YouTube pashë disa video me hotele të mrekullueshme në Shqipëri! – më tha kolegia gjermane.
– Po, – ia ktheva unë, – ka shumë hotele të bukura: shumica janë të reja dhe me pamje nga deti.

– Kanë investuar edhe nga jashtë, apo jo?
– Sigurisht, – i thashë. – Shqiptarë nga brenda, shqiptarë nga diaspora… dhe, natyrisht, edhe nga jashtë… 

– Mirë, po s’besoj të jenë të gjitha aq të pastra… Ka ndonjë shpëlarje parash aty, apo jo? Lexova diku…

– Po, natyrisht! – i buzëqesha. – Neve shqiptarëve nuk na pëlqejnë paratë e pista. Sa i marrim, i lajmë, i shpërlajmë… madje i dezinfektojmë! Më mirë se çarçafët e hoteleve!

– Vërtet?! – më pa me vështrimin e një gjermaneje që sapo e dëgjoi provën se edhe pastrimi i parave, qenka një profesion.

E kemi ves pastërtinë, sidomos kur bëhet fjalë për para. Një fjalë e urtë e lashtë shqiptare thotë: „Pastërtia është gjysma e biznesit!“ Nëse ndonjë kartëmonedhë është e rrudhur, me ndonjë njollë, e lajmë, e shpërlajmë dhe e hekurosim me kujdes. Pastaj e fusim në ndonjë sirtar, të pastër, që të duken të reja sipas standardeve europiane.

Ajo mbeti duke më parë me një lloj hutimi të përzier me dyshim. Unë u nisa të dal, dhe me një buzëqeshje të lehtë shtova:

– Fundjavë të qetë, e dashur kolege! E kur të shkosh në Shqipëri, mos harro të marrësh me vete çdo kartëmonedhë të dyshimtë. Nga respekti për mikeshën, i shpërlajmë falas…

Sepse fjala e urtë shqiptare thotë: “Lavatriçja e shqiptarit – është për bosin ( dikur thuhej për zotin) dhe për mikun...“, jo për neve!

Keine Kommentare: