27.07.2025

Gazove edhe ti Albin

Të kesh nevojë për votat e opozitës dhe të kandidosh 54 herë të njëjtin emër, duke shpresuar çdo herë se do të zgjidhet, tregon se diçka nuk është në rregull as me ty. Ose se nuk ke një kandidat tjetër dinjitoz në radhët e VV-së.

Ajo sjellje është njerëzore, por jo normale.
Është politike, por jo diplomatike.
Është kokëfortësi, por jo urtësi!

Një “zgjidhje” në këtë rast mund të arrihej vetëm përmes shantazhit ose blerjes së deputetëve, siç vepronin dikur padrinot e Prontos.

Nëse një kandidat nuk votohet pesë herë radhazi, çdo kandidim tjetër, çdo mbledhje tjetër pa asnjë ndryshim në rrethanat paraprake që kanë sjellë barrikadim gomaresk, është përdhosje dhe degradim i Kuvendit; një qëndrim përçmues ndaj shtetit, shpërfillje e realitetit gjeopolitik dhe një poshtërim historik i popullit dhe i vetë shtetit!

Ti dhe liderët opozitarë nuk ndiheshit në tempullin e ligjvënies – në Kuvend – por në një fushëbetejë, ku armiqtë synojnë të mposhtin dhe të asgjësojnë njëri-tjetrin, duke pritur duartrokitje nga militantët.

Ata nuk të shohin si kundërshtar, por si tradhtar, pra, si armik të Kosovës. Më armik se Vuçiqi. Logjike, sepse ti ua rrezikon pasurinë e vjedhur. Vuçiqi, jo.

Ti, nga ana tjetër, nuk i sheh si kundërshtarë politikë, por si kukulla të përkohshme të Thaçit, Veselit dhe Mustafës – si mbrojtës të hajdutëve të rrëzuar nga pushteti. Çfarë edhe në fakt janë.

Ti e di shumë mirë se si janë sjellë prokurorët dhe gjykatësit me padronët e vet. Në shenjë mirënjohjeje për pozitat e privilegjuara, u garantonin atyre licencë për të vjedhur Kosovën – dhe për ta zvogëluar atë në të gjitha sferat: politike, ekonomike, ligjore e shoqërore.

Ju dërguat 250 kallëzime penale te këlyshët e Prontos dhe shpresuat se do të kishte ngritje aktakuzash. Mirë që e keni bërë – por gjykime nuk do të ketë nga ata që anuluan aktakuzën ndaj terroristit Radoiçiq.

Ti, Albin, dëshiroje poshtërimin e tyre; ata ëndërrojnë mënjanimin tënd. Me ta jemi mësuar, me ty jemi zhgënjyer. Ju po prisni vota nga ata që i kërcënoni me sekuestrim të pasurisë së vjedhur! Por s’ka pasur kurrë në histori hajdut që me votë të ndihmojë dorëzimin e plaçkës.

Thaçi tha: “Kam bërë gabime.” Po imagjino: cila ndërmarrje e mban në punë dikë që bën aq shumë gabime? Askund në sektorin privat nuk paguhet punëtori për gabime serike: ai përjashtohet.

Pse? Sepse askush prej jush nuk beson se është shërbëtor i popullit, por tutor, gazdë – pronar i tij. Pronar i “hajvanatit” që nuk nxori as dhjetë veta nga vetja për të protestuar para Kuvendit.

Militantë kudo, tufa – por askund njerëz të lirë, të pavarur, që dinë të mendojnë politikisht dhe drejt, për të mirën e përgjithshme.

Ju, liderët e partive – të gjithë – popullin e Kosovës e konsideroni hajvanat. Ndryshe, nuk do t’i kishit ofruar 54 herë të njëjtin episod, pa asnjë ndryshim, pa asnjë përmbajtje të re. Thjesht, një përsëritje serike. Pa asnjë perspektivë.


Një ditë, Albin, do të pendohesh, ashtu si Thaçi. Por, as nga pendimi i tij dhe as nga i yti, populli nuk përfiton. Përkundrazi – populli po paguan dëmtimin e shtetit.

Sikur të kishit dinjitet dhe sedër, ti dhe deputetët e zgjedhur, për këta 6–7 muaj do t’ia kishit kthyer pagat shtetit. Sepse nuk i meritonit.

Sepse Kuvendin e keni shndërruar në një shtëpi publike – në “Pufin” e Kosovës.

Në një “qendër masazhi”, siç quhen disa lokale në Kosovë, ku herë pas here vdes ndonjë burrë nga përdorimi i viagrës – gjersa plaka e pret në shtëpi.


Albin, nga një burrë shteti pritet sjellje diplomatike – jo vetëm kokëfortësi.

Sepse kokëfortësia dhe inati janë shenja të paaftësisë, të inferioritetit, dhe mungesës së urtësisë – cilësi që opozita nuk i ka, por që dëshmove se mungojnë edhe te ti.

Të mungon fleksibiliteti.

Ata e dëmtonin Kosovën me vjedhje, korrupsion, zvogëlim të territorit dhe krijimin e një republike serbe brenda saj. Ti po e dëmton me kokëfortësi – duke e izoluar.


Të duash shtetin do të thotë të mos e dëmtosh atdheun. Të mos e keqpërdorësh për qëllime personale apo partiake. Sepse shteti qëndron mbi interesat partiake. Ti e bëre. Më saktë – edhe ti.

Prej teje nuk pritej. Me ta jemi mësuar – me ty jemi zhgënjyer.
Ti ishe shpresa – ata ishin zhgënjimi.
Ti ishe parimi – ata ishin karriera.
Ti ishe zgjidhja – ata ishin pasurimi dhe degradimi i shtetit në një shtet fisnor, në një kakokraci. Edhe kjo fjalë, sigurisht, me origjinë pellazge – domethënë: “shtet kakë”!

Por tani, ti je bërë si ata – vetëm se me arsyetime, me shpjegime e interpretime të tjera.


Dhe nuk besoj se nga një drejtësi e kapur mund të presësh drejtësi. Ti nuk ke pasur opozitë. Opozita jote reale kanë qenë Prokuroria dhe Gjykatat. Këto dyja që janë kukulla të partive opozitare dhe rrënues të shtetit ligjor.

Prandaj popullit nuk i intereson më shteti – por vetëm emigrimi.


Po emigrohet si në kohën e Serbisë, tash e 25 vjet.
Motivet janë të tjera – por ikja është e njëjtë.
Edhe zbrazja e Kosovës, po ashtu.
Edhe varfëria, gjithashtu.
Edhe krekosjet partiake, në të njëjtën mënyrë.

Ai që të kritikon kur gabon, të do. Ai që të mbështet në gabim, dëshiron fundosjen tënde. E dimë se je i drejtë, por nuk mund të jetë krejt bota gabim, e vetëm ti në rrugë të drejtë. Votuesi më mirë dëshiron pak vjedhje dhe më shumë mirëkuptim me Ramën dhe Perëndimin. Më shumë përparim dhe paqe me Serbinë. Nga të korruptuari nuk pritej zgjidhje, por nga ti, po.

Gazove edhe ti, Albin. Për fat të keq të Kosovës. 


2.

Duket se intervista e Hashim Thaçit ishte një njoftim për një rikthim të mundshëm – ndoshta si një figurë që mund t’i nevojitet Trump-it. Në minutën 105 Hashim Thaçi tha, citat: "Askush nuk mund t’i mashtrojë mekanizmat ndërkombëtarë – ata kontrollojnë si tokën, ashtu edhe qiellin e Kosovës." 


Këtu aludon në shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, dhe thotë, citat."Në mediat ndërkombëtare dhe në qendrat vendimmarrëse, u ngrit dilema nëse ishte akt sabotazhi nga Serbia apo një veprim elektoral lokal.“


Pastaj, në minutën 106 apo 107, pyeti duke kritikuar qeverinë e Kosovës dhe duke e bërë atë fajtore, por jo Serbinë. Nuk i quajti as terrorist, citat:


"Si ndodhi që u shfaqën mbi 80 persona të uniformuar dhe të armatosur, dhjetëra kilometra në brendësi të territorit të Kosovës? Si u lejua largimi i tyre i qetë, në mes të ditës, si të ishin kryengritës të lirisë dhe jo sulmues të shtetit? Si erdhi deri te kjo ngjarje?“


Komandant, meqenëse Bashkësia Ndërkombëtare kontrolluaka tokën dhe qiellin, si është e mundur që nuk kapi kurrë një serb të armatosur? Dhe, meqenëse e ka për detyrë ruajtjen e kufirit, si lejoi ikjen e terroristëve?


Në kohën e tënde e të Mustafës, Veriu praktikisht ishte Serbi dhe funksiononte me ligje e administratë serbe, apo pa to fare, por administrata serbe ekzistonte në tërë Kosovën.


Sot, veriu është praktikisht Kosovë, por pa serbë të integruar. As kjo nuk është mirë. Në kohën e tënde komandant, ata ishin të integruar në sistemin e Serbisë  dhe të gjithë e dimë se duhet të rikthehen në administratën e Kosovës, por është fakt se ata janë larguar vetë, nuk i ka larguar Qeveria. I ka larguar me urdhër Vuçiqi, si i ka urdhëruar edhe sulmet.


Fitorja e Kurtit me mbi 50% nuk ishte vetëm meritë e tij – ishte kryesisht dhurata e juaj.
E jotja, e Mustafës, e Ramushit, e Limajt. E Klanit Pronto.

Ajo nuk ishte një fitore normale, por një revoltë popullore kundër jush – atyre që me prokurorë dhe gjykatës blenë imunitetin. Për këtë arsye u krijua Gjykata Speciale. Sepse për Perëndimin, Kosova nuk kishte prokurori e gjykata funksionale.

Tha se kishte gabuar, por nuk përmendi askund që shteti i Kosovës e paguante, ndërkohë që ai e dëmtonte: qoftë në administratë, në arsim, prokurori, gjykata, në ndërtimin e shtetit, Çakorrin, Asociacionin, veteranët, mbi 10.000 agjentë të udbës aktivë në Kosovë, dy a tre të zbuluar, okupimi i veriut, oligarkët, shitja e tokës me disa euro hektarin,  e shumë të tjera…


Edhe Kurtin do ta përqafojnë ndërkombëtarët, nëse firmos çdo gjë që i hidhet në tavolinë. Por ai nuk është i gatshëm ta bëjë këtë. Prandaj, mundësia tjetër është që ai të rrëzohet – dhe në vend të tij të firmosë Ramush Haradinaj apo Memli Krasniqi. Këta e bëjnë. Ose nëse kthehet vetë Thaçi.

Kosova ka vetëm dy mundësi: ose Republikë Serbe brenda vetes, ose ndryshim kufiri.


Në fjalim, Thaçi u përpoq të paraqitej si viktimë e vendimeve që vetë i ka marrë, dhe të fitojë empati e simpati si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj. Ai bëri një lloj “flirti” diplomatik me Trumpin dhe Serbinë, ndërsa akuzoi Qeverinë e Kosovës duke përmendur, sipas tij, dyshime që paska lexuar për inskenime terroriste me qëllime elektorale.


Krejt fjalimi i tij ishte një përzierje mes viktimizimit, flirtit ndaj Perëndimit dhe akuzave të nënkuptuara ndaj Kurtit. Madje, sulmin në Bajë nuk e quajti as terrorist. 


Gjatë kohës që e dëgjoja, po mendoja me vete: a thua këtë fjalim e ka shkruar Grenelli apo vetë Thaçi? Një mik më tha se sigurisht Baton Haxhiu. “E mundur,” mendova. 


Në fund një mendim të Jakup Krasniqit: 

Jakup Krasnqiqi : “Ata kanë qenë në armiqësi me Adem Jasharin" 

Gazetari: „Kush kta?“

Jakup Krasniqi: Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli…“ 

https://www.facebook.com/share/v/1Avjq2HFvm/?mibextid=wwXIfr

Imazhet me Copilot

Lis Bukuroca

Keine Kommentare: