17.07.2025

Gjyshi hajn i pulave, djali hajdut, nipi politikan, Bota sot

Gjyshi i Besnikut, Qamil Hovi, ishte një hajdut i vogël me profesion. Ai ishte i specializuar në vjedhjen e pulave, dhe herë pas here edhe të ndonjë qengji, për ndonjë festë. Sa herë që i hahej mishi, dilte shëtitje nëpër fshat. Nëse shihte ndonjë pulë të trullosur që ishte shkëputur nga tufa, e gjuante me një thikë, e fuste në strajcë dhe nisej drejt shtëpisë.

Në shtëpi, askush nuk e pyeste ku e kishte marrë. E konsideronin punë. Qysh në rininë e hershme, djalit ia mësoi profesionin e lirë. Se marrja e tillë ishte vepër burrërore, njerëzore dhe se kërkonte shumë dije, guxim dhe shkathtësi.

Kështu jetonte, por edhe nga copat e malit dhe lëndinat e zaptuara, të cilave u vinte një gardh dhe më pas i shiste. Thoshte se ishin toka të askujt, prandaj i shiste për të mos mbetur djerrina për milingonat dhe kafshët e egra. Kur një nëpunës e pyeti për dokumentin e pronësisë, ai tha se katragjyshi i tij e kishte blerë diku rreth vitit 1844, por defteri ishte humbur. Sidoqoftë, pasi ia kishte futur dorën në xhep, nëpunësi kishte thënë: “Nuk është e moralshme të shkojmë te varret dhe ta marrim në pyetje atë. Ai e meriton paqen e përhershme!”


Qamili kurrë nuk u kap me pulë në dorë. Ishte njeri i nderuar nga të gjithë në malësi. Në çdo tubim, ai fliste me zell kundër vjedhjes së pulave dhe kishte bërë disa propozime se si të kapeshin keqbërësit. Dy veta të mjerë përfunduan në shtrat, pasi u rrahën dhe në fund pranuan një vjedhjet që nuk i kishin kryer. Qamili i shante dhe i mallkonte hajnat me fjalët më të rënda. Të gjithë e duartrokisnin, dhe shihej qartë se kishte shumë talent për politikë.


Me kalimin e viteve, shumë fshatarë zbritën në qytet dhe numri i pulave u zvogëlua ndjeshëm. Në fund, vendosi edhe ai të braktiste malësinë dhe të shpërngulej në qytet. Por atje, aktiviteti i tij ishte e pamundur për t’u ushtruar. Nuk kishte pula, as kotece. As qengja. Vezë nuk vidhte, se i vinte turp. Ndihej i degraduar profesionalisht.


– Bir, koha e pulave ka kaluar – i tha një ditë djalit, që sapo kishte mbaruar gjimnazin.

– Zanati im ka cofur. Në qytet nuk ka më shpezë, dhe për ty duhet një specializim tjetër, por disi si i imi. – Këtu duhet të jesh modern – vazhdoi ai. – Të specializohesh në marrjen e portofolave. Kjo është strategjia e re e detyrës sonë! Vishesh bukur, sillesh mirë, me një parfum të mirë – dhe ushtron mjeshtërinë e re. Na duhen para për dasmën tënde.


Besniku e dëgjoi me vëmendje, dhe së bashku ia nisën stërvitjes. Si të vidhet nga xhepi i pasmë, si nga xhepi i xhaketës, si nga ndonjë shportë e plakave në treg. Ushtronin çdo ditë nga disa orë dhe pas tre muajve e thirri djalin.

– Urime, dil dhe puno! Tani dora jote futet në xhep si flutur lehtë dhe tërhiqet si pupla në rënie. Urime. Jam krenar me ty.


I ati, megjithatë, ia ndaloi rreptësisht vjedhjen nga njerëzit e rinj dhe të fuqishëm.

– Vitin e parë – i tha – do t’u marrësh portofolat vetëm atyre mbi 70 vjeç.
– Po si t’i dalloj? – e ndërpreu Besniku.
– E kupton nga ecja – ia ktheu i ati. – Ecin sikur kanë një thes në shpinë. Ngadalë. Duke menduar për të kaluarën dhe duke pasur frikë nga vdekja. Nëse nuk je i sigurt, pyeti. Po s’të tregoi, thuaji: “Po dukesh si 50!” – dhe nga gëzimi ai vetë ta thotë moshën. Ti aty e përqafon, e shtrëngon, e uron – dhe në atë moment, ia nxjerr portofolin.


– Pas një viti, ata mbi 60. Nëse nuk kapesh, kalon në shkallën e dytë. Atëherë je magjistër i profesionit tënd. Pas tre vitesh, bir Besnik i dashur, do të jesh doktor. Kompetent për të gjithë. Për çdo këshillë, më ke mua pranë…


– A nuk është mëkat? – pyeti Besniku.
– Jo, biri im, nuk është mëkat – ia ktheu i ati. – Ti nuk merr vendime se kujt ia merr. Ky është një vendim i fatit. Njerëzit shfaqen vetvetiu pranë teje – ose ti pranë tyre.

Në këtë botë, biri im, “ose vjedh, ose të vjedhin.” Arsyeja që ti i merr lekët dikujt – i tha me zë të qetë – është se ai, dikur në jetë, ka dëmtuar dikë tjetër. Ti vetëm zbaton drejtësinë. Nuk je ti që vendos. Ti je thjesht... ekzekutues i fatit. E pastaj, mëkat është vetëm nëse zihesh.


Arsyetimi ishte shumë i “logjikshëm”, dhe Besniku e pranoi pa vërejtje e pa asnjë pyetje shtesë. Dhe, i bindur dhe plot zell, u bë mjeshtër, magjistër dhe doktor në fushën e tij. Në mes të turmave merrte disa portofola pa e vënë re askush.


Aty nga mosha dyzetvjeçare, Besniku u punësua në një ndërmarrje ndërtimi – jo për të punuar, por i nevojitej material ndërtimi. U bë mik i ngushtë i drejtorit, dhe pas një muaji natën filloi bartja: drurët, çimentoja, dritaret, e çdo material tjetër që duhej. Ndërmarrja ishte e shtetit, “e popullit” quhej atëherë, dhe askush nuk shqetësohej.


Kështu, dalëngadalë, vila e Besnikut ngrihej në pjesën e epërme të qytetit. Arsyeja pse e ndërtoi në breg ishte se ndihej më i pushtetshëm dhe e shihte qytetin në pëllëmbë të dorës. Kur Besniku u bë 47 vjeç, e thirri djalin e vet, Yllir Hovin, dhe i tha:


– Dëgjo, biri im. Gjyshi ishte specialist i pulave. Unë e zgjerova veprimtarinë, por ti duhet ta ndryshosh fushëveprimin. Koha ka ndryshuar dhe në demokraci duhet diçka e re. Ne nuk mund të vazhdojmë kështu përgjithmonë. Tani, ti studio pak – pak me libra, pak me lekë – dhe merr një diplomë fakulteti. Më së miri, drejtësinë. Kështu, specializohesh në marrje moderne – pa lënë gjurmë.


Ashtu dhe u bë. Ylliri u diplomua, gati si gjeni, një vit para kohe dhe punoi disa vite si avokat. Më vonë, u anëtarësua në një parti politike, pas këmbënguljes së atit, që tashmë kishte nevojë për njerëz me pushtet. Dhe mbi të gjitha: licencën për të vjedhur: imunitetin!


Ia vizatoi me laps një trekëndësh. E quajti „Trekëndëshi i suksesit”: në majë vendosi kryetarin e partisë, majtas shefin e Prokurorisë, e djathtas të Gjykatës dhe horizontalisht disa koka që duhej ta mbështesnin.

– Si të krijohen raporte të qëndrueshme me ta? – e pyeti Ylliri.

– E thjeshtë – i tha ai, pasi heshti një copë herë.
– Tash e tutje, 20% të fitimit ua shpërndan atyre të treve. Ata kanë nevojë.
Kryetarin e trajton me respekt të plotë. Flet vetëm pozitivisht për të. E trajton si zot. Komplimentet e tua ndaj tij… e bëjnë atë skllavin tënd! Ti bëhesh person publik, sepse sot kjo është në modë. Është mënyra e vetme për t’u pasuruar, ashtu siç e meriton familja jonë fisnike. Sot, biri im, specializimi më i madh është të vjedhësh… duke aprovuar ligjet dhe duke i njohur.


Vetëm maskarai analfabet, primitiv vjedh pa pasur pushtet. Në politikë nuk të kontrollon askush, sepse ke trekëndëshin që lufton për ty! Bazën që e ke te trekëndëshi, çdo muaj e qeras apo disa herë në muaj, ata janë  këlyshët tu. Ushqeji! Ata do të lehin për të mbrojtur ty në rast nevoje. Me investime, shndërrohen në këlysh edhe Gjykata dhe Prokuroria. Kështu do të jesh zyrtarisht i paprekshëm. Si shenjtor. 


E sheh si u bënë milionerë disa gazetarë që paguhen nga Serbia? Afroju edhe atyre! Serbia paguan mirë.


Dhe, një gjë mos harro kurrë: publikisht lufto kundër vjedhjes dhe korrupsionit! E bënte edhe gjyshi yt nëpër ndeja dhe ka funksionuar shumë mirë. Vjedhacakët duhet luftuar me ashpërsi të madhe, sepse, nëse shumë veta rrëmbejnë, nuk mbetet gjë për neve. Kush të sulmon, shpalle tradhtar dhe vjedhës! 


Djali e falënderoi të atin, bëri disa shënime dhe – ashtu siç ishte udhëzuar – nisi karrierën. Në “Trekëndëshin e suksesit” të atit shtoi edhe disa këlyshë të rinj. Për të përsosur detyrën, frekuentoi një kurs gjashtëmujor në Napoli dhe një tjetër të avancuar po aq të gjatë në Palermo.


Pas tri viteve u bë deputet. Jo vetëm deputet, por deputet i pasur. Në fushën e tij u bë më i suksesshëm se gjyshi dhe i ati. Ndërtoi një hotel me pesë yje dhe njëqind e një dhoma. Lejen e ndërtimit e mori duke i futur dorën në xhep nëpunësit. Sot është një milioner i madh, i lidhur ngushtë me mjeshtër, magjistra dhe doktorë – specialistë të kultivimit të kanabisit, tregtisë së kokainës, ekspertë të heroinës dhe arkitektë të dezinfektimit të parave.


Kur u akuzua për shpëlarje parash, erdhi çasti i këlyshëve. Gjykata e tha këtë në fund: “Akuza hidhet poshtë si tendencioze dhe e pabazë. Nuk kuptoj çfarë të keqe ka, nëse deputeti i nderuar i pastron lekët – sepse nuk i pëlqejnë paratë e ndyta. Të pista.”


Miku i tij, Iliri, ishte akuzuar për korrupsion – madje me video. Por edhe për të, Gjykata vendosi pafajësi me këtë arsyetim: “Videoja nuk mund të merret si provë, sepse i akuzuari nuk e dinte se po xhirohej. Sikur ta dinte, do të ishte veshur më bukur dhe do të fliste më mirë.”


Rasti tjetër ishte kur miku i mikut të tij, nga Viçi Doli, u akuzua për vrasjen e katër vetëve. Por prokuroria refuzoi hetimet me arsyetimin se “ata nuk kishin vdekur nga vrasja – sepse fati ishte i tillë; edhe sikur të mos ishin vrarë, do të kishin vdekur atë ditë, në atë çast, para Kryeministrisë. Fundja, nuk është mirë të traumatizohet i gjalli për të vdekurin,” kishte deklaruar prokurori në fund.


Sot, Yllir Hovi ka vila, prona, makina, biznese, hotele; gjithçka që i duhet një politikani të ndershëm për të punuar dhe për të jetuar mirë. Familja e tij jeton në luks. Të brendshmet për nusen kushtojnë deri në 700 euro – por janë prej atyre që ndërsejnë emocionet e Yllirit. Sipas tij, taket e larta firmato dhe fustani i shkurtër firmato i japin atij shumë stabilitet emocional, sepse ia bëjnë të qartë epërsinë e tij morale ndaj të tjerëve. Nga ajo gjendje revolucionare, plot energji, përfituaka shumë edhe populli. Dhe gjyshi, po të ishte gjallë, do të thoshte: E trashëgoi nipi talentin tim politik. Këtë nuk e kisha ëndërruar as kur isha ulur mbi gomar. 


Sigurisht, kur ai e vështron nga bota tjetër me teleskop, thotë:
– Eh… unë paskam qenë shumë ordiner. Pa parti politike, pa treshen, nuk bëhet njeriu kurrë si nipi im, Ylliri. Ky është krenaria e fisit dhe e origjinës sonë – shkurt, e kombit tonë. Shpresoj që edhe ai t’ia mësojë djalit të vet, Fisnikut, këtë mjeshtëri.


P.S. Yllir Hovi sapo ka përfunduar librin me titull:

Triada e suksesit

Nëntitull: Doracak për pasurim të shpejtë dhe prodhimin e këlyshëve – vaksinimi i tyre, imuniteti yt.

...

Imazhet janë sajuar me Copilot


Lis Bukuroca


Keine Kommentare: