17.09.2025

Gjykimi dhe pasojat për Kosovën dhe UÇK-në. Bota sot

Deklarata e James Rubin-it, se 95% e krimeve i ka kryer Serbia, mund të ketë efekt në media dhe të prodhojë ndjenja krenarie, por në gjykatë vlejnë vetëm provat individuale, jo përqindjet. Madje, edhe një përqindje e vogël e krimeve të provuara mjafton për të dënuar disa veta.

(E them nga përvoja ime 25-vjeçare si përkthyes gjykate në Gjermani.)

Në atë deklaratë, që në shikim të parë duket pozitive, nënkuptohet se 5% e krimeve mund t’i ketë kryer UÇK-ja. Pikërisht kjo i intereson gjykatës; prokuroria, sigurisht, do ta marrë parasysh si argument kundër të akuzuarve. Nuk dua të them se Rubin e tha me qëllim për të dëmtuar, por në gjykatë shpesh njerëzit, pa dashje, gabojnë.

Ai e zbriti Thaçin nga kali, ku kishte hipur vetë si numri një, por edhe ajo “rrëshqitje drejt tokës” nuk do të jetë domosdoshmërisht bindëse për gjykatën. Sepse kjo do të nënkuptonte se SHBA kishte zgjedhur dikë nga periferia, në vend të shefit të tij, Adem Demaçit, apo zëvendësit të këtij të fundit, Albin Kurtit.

Sidoqoftë, trupi gjykues nuk merret me “përqindje”, por me çdo të akuzuar veç e veç, sipas asaj që është dëshmuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Në gjykatë kanë dëshmuar 75 dëshmitarë të mbrojtur, ndër ta edhe për vrasjet e veprimtarëve të LDK-së. Disa dëshmi mjaftojnë që një ose disa të akuzuar të mbeten në burg.

Uroj që të mos rezultojë se Thaçi qëndron prapa tyre. Gjithmonë kam menduar se pas vrasjeve mund të qëndronte UDB-ja. Bota Sot citon shkrimtarin dhe historianin Jusuf Buxhovi, sipas të cilit, që nga hyrja e NATO-s në Kosovë, janë vrarë 106 aktivistë të LDK-së, 116 pjesëtarë të UÇK-së – përfshirë disa komandantë – si dhe rreth 400 qytetarë nga pakicat.

Nuk jam as me zotin, as me njeriun. Jam me Kosovën; por kuptoj dhembjen e atyre familjeve që vuajnë për vëllezërit ose prindërit e vrarë. Jo për policët apo ushtarët serb, sepse ata pa luftë nuk largoheshin. Liria nga pushtuesi nuk mund të arrihej ndryshe.

Por nuk duhet të më vrasë dikush që ta kuptoj dhembjen e tjetrit. Njeriu duhet të jetë i zbrazur në shpirt dhe në tru  për të adhuruar vrasësin e dikujt. Lexoj herë pas here rrëfime të familjeve shqiptare të traumatizuara, që vuajnë për të vetët dhe që e akuzojnë Thaçin. Sigurisht, disa prej tyre kanë dëshmuar edhe në Hagë.

Sidoqoftë, disa herë e kam dëgjuar në gjykatë që thuhej: “Mendojmë se jeni fajtor; por, për fat të mirë tuajin, prokuroria nuk ia doli ta dëshmojë me prova.”

Nëse rezulton se Thaçi qëndron pas ndonjë vrasjeje, nuk dëmtohet vetëm imazhi i tij personal, por edhe ai i UÇK-së dhe i gjithë Kosovës. Dhe nëse, me vendim gjyqësor, vleërsohet se UÇK-ja ka qenë një NPK (Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale), siç thuhet në aktakuzë, atëherë akuza e ardhshme logjikisht mund të drejtohet edhe ndaj ushtarakëve të NATO-s që e mbështetën atë.

Kjo do të ishte fitorja më e madhe e Serbisë pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Pse ndodhi kjo? Sepse politikanët tanë të ligës së tretë po luanin në ligën botërore. Ata nuk mblodhën material dokumentues kundër Serbisë, ndërsa Serbia mblodhi kundër tyre. Dhe themeluan gjykatën për të burgosur vetveten. Një politikan me dinjitet nuk vepron kurrë kështu; ai dorëhiqet.

Keine Kommentare: