Aleksandar Vuçiqi përuron autostrada, rrugë të reja ose ura. Ai përuron ndërtesa publike dhe pallate: godina qeveritare, spitale, shkolla apo institucione kulturore.
Hekurudha, stacione transporti, stadiume, qendra sportive dhe komplekse rekreative. Para kamerave, krekoset me përurimin e ndonjë fabrike, të ndonjë zone industriale dhe, gati në çdo intervistë, përmend armatimin që ka blerë ose që do të blejë. Por kritikon vazhdimisht marrëveshjen Kosovë–Shqipëri–Kroaci dhe armatimin e Kosovës.
Kryetari serb del në televizion dhe mediat sociale 2–3 herë në ditë. Flet për çdo gjë dhe për çdo temë që ekziston.
Shpesh prezanton programe ekonomike dhe ndonjëherë përmend edhe filozofin gjerman Kantin. Ursula von der Leyen, sipas tij, është e mirë. Por dy deputetë të Parlamentit Europian i quan “llum”, „shkumë“, sepse morën pjesë në protestat studentore. Se do të përgjigjen para ligjit.
Çdo ndërtim në Serbi përdoret nga Vuçiq për të dëshmuar “meritat” e tij. Një herë kur bëhet plani, pastaj kur firmoset projekti dhe herën e katërt kur përfundohet ai. Përfundimin e paralajmëron ndonjë muaj më herët, herën e tretë.
Ai është kudo ku hapet diçka e re, sikur të ishte investitor kryesor: edhe për hotele.
Nuk ka ministra, kryetarë bashkish apo zëvendës, që përurojnë diçka. Kur dalin së bashku, ministrat kanë frikë dhe ose lëkundin kokat në shenjë pajtimi gjersa ai flet, ose rrinë si të shtangur në një ceremoni varrimi. Nëse ndonjë merr fjalën, nuk e lejon të flasë më shumë se dy minuta. Ai ndërhyn menjëherë dhe tjetri tërhiqet kokulur.
Kryetari serb flet në emër të ministrit të Brendshëm, të Ekonomisë, Tregtisë, Turizmit, të Kryetares së Kuvendit, të kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm. Në Serbi, pak kush i di emrat e ministrave. Vuçiqi përfaqëson krejt sistemin politik, madje edhe kryetarët e bashkive. Edhe kur ato investojnë, ai i bën përurimet.
Ai beson se kush është kundër tij, është kundër Serbisë. Serbia është vetëm ai. Se vetëm ai i shërben Serbisë dhe se Serbia duhet t’i shërbejë atij. Armiqtë e tij, për të cilët flet gati në çdo intervistë, janë po ata të viteve ’90: shqiptarët, kroatët, boshnjakët dhe Perëndimi.
Qeveria, ministrat dhe kryetarja e Kuvendit janë vetëm formalë. Sistemi është i centralizuar dhe mediat kryesore nën kontrollin e tij, diku 90%. Në çdo aktivitet shfaqet si despot i pazëvendësueshëm. Pa të, Serbia – sipas tij – fundoset. Nëse rrëzohet ai, shembet kështjella kriminale. Ministrat e ruajnë atë për të shpëtuar veten nga ndjekja penale. Vuçiqi i mbron ata, për të shpëtuar veten.
Mediat e lira raportojnë për korrupsion të madh. Sot Serbia ka 33.000 milionerë dhe 44 miliarderë, ndërsa popullsia emigron për shkak të mungesës së shtetit ligjor. Kritikuesi më i madh i kësaj autokracie është Nenad Çanak.
Ai sulmon prokurorët, duke thënë se paguhen nga Perëndimi, pa sjellë fakte.
Paguhen mirë edhe studentët sipas tij. Ngrihet në mes të intervistës dhe vizaton në dërrasën e zezë për t’i treguar rrugët apo përqindjet e përparimit ekonomik. Pastaj, me sy të përlotur, thotë se Serbia po sulmohet dhe se ajo do të fitojë kundër “terroristëve” që protestojnë. Me sy të përlotur shan opozitën dhe, me sy të përlotur dhe fytyrëskuqur, i lut „terroristët“ për dialog e debat.
Gjatë intervistës, nga ekrani djathtas, ua lexon ligjet prokurorëve dhe gjyqtarëve. I pakënaqur me arrestime dhe burgosje, më pas i kërcënon.
Paralajmëron se në protestat e ardhshme mund të ketë edhe të vrarë. Thërret popullin të dalë në rrugë për ta mbrojtur “viktimën” – veten e tij – dhe për të luftuar armikun e jashtëm dhe të brendshëm, sipas tij, që po sulmon policët dhe po dëmton ekonominë serbe.
Opozitën e quan kriminale, të korruptuar dhe tradhtare. Studentët i quan “llum”, idiotë, terroristë, të manipuluar e të paguar – pa sjellë asnjë provë. Pas një apo dy minutash, i fton në debat, duke thënë se nuk ka frikë nga askush.
Fajtorët, sipas tij, janë gjithmonë jashtë: Kosova, Kroacia, Perëndimi. Në intervistën e fundit tha se terroristët po sillen sikur i ka urdhëruar Albin Kurti. Deklaron se Serbia është e fortë. Se po të kishte pasur këtë ushtri që ka sot, në vitin 1999, nuk do ta kishte humbur luftën. Se sot askush nuk mund ta mposhtë Serbinë.
Gati në çdo intervistë përmend marrëveshjen mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Ndërkohë, armatoset dhe premton: “Më 20 shtator do të shihni armatimin që kemi.”
Në Kinë u përpoq të tregonte se ishte po aq i rëndësishëm sa Xi Jinping, Putini dhe Narendra Modi. Në aeroport e pritën dy zyrtare anonime kineze. Në fotografinë e përbashkët shihej në fund, i vetmuar. Portalet e tij e ndryshuan me inteligjencë artificiale dhe e vendosën kryetarin në rreshtin e parë. Ku atij i pëlqen.
Sa i përket takimit me Putinin, tha se biseduan një orë e gjysmë. Gazetarët raportuan se takimi zgjati vetëm disa minuta – në thelb, një shtrëngim duarsh. Një minutë e gjysmë.
Ndërkohë, Europa, që kritikon autokracinë e Hungarisë, po e zhvillon dhe ndihmon autokracinë e Serbisë. I bën koncesione të mëdha, edhe në raport me Kosovën, vetëm që të mos e humbasë litiumin. Në të njëjtën kohë, e lufton ndërtimin e shtetit ligjor në Kosovë, por mbyll sytë para autokracisë totale në Serbi.
Kosova ka ende sanksione, Serbia jo, edhe pas përpjekjes terroriste për ta pushtuar një pjesë të saj…

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen