Edi Rama i përgatiti Kurtit një poshtërim publik, ndërkohë që qeveria e këtij të fundit ka paguar 30 milionë euro për avokatë në Hagë.
Edi, mirëpo, e ka treguar dashurinë shumë më të madhe ndaj Thaçit se Albini – me fjalime dhe vizitë, ndërsa Kurti respektin e dëshmoi vetëm me miliona. Mjerim.
Edhe me kundërshtimin e themelimit të gjykatës nga Thaçi kundër Thaçit, por meqë Rama e dashuronte më shumë se ai vetveten, pat thënë me plot emocione: “Plotësojani dëshirën komandantit!”
Financimin e avokatëve e pat kundërshtuar me peticion Adriatik Kelmendi, bashkë me 23 veta të tjerë. Titulli: “Jo me taksat tona!” Ai ishte në krye të listës, numri NJË – dhe, meqë tani paguhet nga Klan Kosova, befasisht e pllakosi një dhembje tepër e madhe.
Shumë therrëse; edhe ky shkoi në Hagë për të shprehur dhimbjen, por jo pendimin, mu si edhe Rama.
Adriatiku bërtiti atje ku duhej:
“Ky popull di të reagojë si duhet, kur duhet!”
Dhe e kundërshtoi Hashim Thaçin me këtë pohim “Protestë për drejtësi për krerët e UÇK-së!” – çka Thaçi e ka mohuar.
Në fakt, ai e denoncoi Thaçin dhe, njëkohësisht, i shërbeu prokurorisë. Turma e duartrokiti. Hajvanati!
Soji i tillë nuk pendohet, sepse nuk beson kurrë se gabon; për të, fajtorë janë gjithmonë të tjerët. Kështu ata fitojnë kur kërkojnë themelimin e gjykatës, dhe fitojnë përsëri kur kërkojnë mbylljen e saj.
Por ja ironia:
Në fund të skenës, Edi mbeti lakuriq – jo si burrështetas, por si aktor që harroi kostumin në garderobë dhe u shfaq si në plazhin e Francës. Cullak. Si një statujë mermeri e Michelangelos.
Dhe kështu, kryeministri shqiptar që e do tepër shumë Thaçin, i mbuloi protestuesit me hijen e koordinimit me Vuçiqin, Grenellin, Haxhiun, Shehollin, Zekën dhe krejt orkestrën mediatike të Sërbisë. Vuçiqi nuk e kundërshtoi protestën. Domethënë e ka mirëpritur.
Sidoqoftë, Ramës, i cili do ta kishte shtangur edhe Machiavellin, iu shkoq maska mu në Kuvend, dhe pa të nuk mund të dilte në shesh për të mbajtur një fjalim plot flakë e zjarr. Biri i internacionales patriot!
Kështu është në Absurdistanet shqiptare: dikush ndihmon me vepra, dikush me pallavra, por ai i pallavrave është i bindur se ka kontribuar në dy drejtim me shumë dhembshuri. Me shumë dashuri.
Madje, në protestë, Rama nuk lejoi as ministrat, as anëtarësinë e PS-së, por mirë që nuk ia ndaloi pjesëmarrjen Skënderbeut.
Ka mundur edhe ta mbulojë.
Së paku këtu meriton mirënjohje.
Imazhi me Idiogram

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen