08.01.2026

E nderuar Gjykatë, Bota sot

— A keni diçka tjetër për të shtuar, i nderuar prokuror?
— Jo, kaq kisha unë.
— Fjalën e ka mbrojtja. Zoti avokat, ju e keni radhën.

E nderuar gjykatë, mbrojtja e kundërshton në tërësi aktakuzën e paraqitur nga Prokuroria. Ju lutem, më lejoni t’i paraqes argumentet në mënyrë të qartë. Prokuroria ka sjellë paragjykime, por asnjë provë materiale të besueshme.

Është e vërtetë se klienti im është i shkujdesur, por këtë dalldi ia kanë ushqyer edhe ndjekësit e tij në rrjetet sociale. Atij i rritet imazhi nga klikimet, nga vizitat, dhe kjo i ka mundësuar praninë e përhershme si analist universal në debate televizive në Kosovë dhe Shqipëri. 

Prej tyre edhe fiton. Me rëndësi është të klikohet. Me rëndësi është të gjejë mënyrë si të prekë emocionet e shikuesit apo lexuesit. Edhe me fjalë vulgare. Sepse ai fiton nga miqtë dhe nga kundërshtarët. I rritet vlera publike si kur e shajnë, ashtu edhe kur e lavdërojnë. Me rëndësi është të flitet për të. 


Kështu ai gjendet vazhdimisht në qendër të vëmendjes dhe ndjekësit presin me padurim mendimin e klientit tim. Pastaj, shtresat që e ndjekin janë njerëz që nuk duan të mendojnë vetë, ose nuk munden, dhe kështu i marrin idetë e gatshme dhe i shpërndajnë tutje.


— Mirëpo Prokuroria solli disa, t’i quamë prova, se ai është në shërbim të Serbisë…


— Po, i pashë. Mirëpo ju lutem: kur një njeri e do Perandorinë Osmane? Kjo nuk është haram, thënë në gjuhën popullore. Kur kemi njerëz që e duan Perandorinë pas më shumë se një shekulli, është normale t’i kemi edhe të Jugosllavisë, e nderuar Gjykatë.


— Por Prokuroria pretendon se mendimet e tij janë vazhdimisht në favor të Serbisë. Se edhe gjatë dy sulmeve terroriste, ai, pas tyre, e nënkuptonte Qeverinë…


— Ju kuptoj shumë mirë. Këto janë bindje të Prokurorisë, jo fakte. Klienti im ka ushtruar profesionin e tij si gazetar dhe komentator publik. Ai ka të drejtë të analizojë, të kritikojë dhe të komentojë ngjarjet politike. Kjo është pjesë e lirisë së tij profesionale dhe kushtetuese. 


Por as adhurimi i Serbisë nuk është vepër penale. Është liri dhe altruizëm. Nëse ai e do Serbinë, kjo do të thotë se e do pajtimin me fqinjin, dhe kjo është vepër pozitive për kombin dhe për Ballkanin. Vepër humane me vlerë universale. Domethënë, ai lufton urrejtjen dhe destabilizimin. Shprehja e opinionit politik nuk mund të kriminalizohet.


— Në rregull, po talljen me armatimin e Kosovës si e shpjegoni?


— Sa i përket qëndrimeve të tij kundër armatimit, klienti im ka shprehur një mendim pacifist. Ky është qëndrim politik, jo vepër penale. Të qenit kundër armatimit nuk është as tradhti, as cenim i sigurisë, por një pikëpamje e ligjshme. Klienti im e do paqen. Armatimi, kudo qoftë, është parapërgatitje për vrasje. 


Klienti im nuk e do vrasjen. Të askujt. Ato akuza të pabaza i solli prokurori, por kjo bën pjesë te liritë dhe të drejtat e njeriut. Prandaj edhe ka bërë apel të falen krimet Serbisë, sepse si thoshte Buda, urrejtja nuk shuhet kurë me urrejtje. Në anën tjetër liria e mendimit garantohet nga Kushtetuta me nenin 38, e shprehjes me nenin 40. 


Ne nuk mund të shpërfillim ligjet dhe të zvogëlojmë liritë vetëm pse dikujt nuk i pëlqejnë, apo pse mund të jenë në favor të ndonjë shteti.


— Si e shpjegoni atëherë mendimin e prokurorit se në investimin e tij ka ndihmuar Serbia apo Rusia?


— Është e thjeshtë, e nderuar Gjykatë. Mungesa e faturave nuk është provë e financimit të jashtëm, sidomos duke pasur parasysh realitetin ekonomik të vendit tonë dhe mendësinë e popullit, ku transaksionet shpesh kryhen në dorë. Cash. 


Klienti im thotë se ka marrë hua nga shokët e tij. Provat se ndonjë shtet ka investuar në median e tij nuk janë bindëse. Ishin kopje. Por edhe sikur të kishte, investimi nuk është i ndaluar. Madje pasurojnë Kosovën dhe pakësojnë pasurinë në vendin e investitorit. 


Ato ndihmojnë në shuarjen e konflikteve eventuale duke sjellë një ligjërim tjetër, jo nacionalist, siç e bëjnë qeveritarët e tanishëm me origjinë enveriste dhe komuniste.


— Po si e shpjegoni që klienti juaj, para arrestimit të kryetarit, në shumë debate kërkonte arrestimin e tij, e quante kriminel, ndërsa sot lufton për lirimin e tij?


— E nderuar gjykatë, këtë e shpjegova pak më parë. Ai punon si gazetar, më shumë si influencer. Influencaria prodhon një rrëfim që synon t’i imponohet opinionit publik dhe të dëgjohet fjala e tij. E do publiku. E thërrasin në debate televizive. 


Në atë çast ai sjell argumente se dikush duhet burgosur. Kur i duhet. Pasi të burgoset, për të mbetur në qendër të vëmendjes, ai kritikon gjykatën, gjen arsye të tjera. Kur përfiton. Kjo është pjesë e veprimtarisë së tij influencereske: prodhimi i lajmit, kundërlajmit, dhe ndjekësit presin pikërisht lajme të tilla. Për fat të keq, Prokuroria i vlerësoi këto si amoralitet. 


Zoti gjykatës, ai nuk paguhet për moral. Ai nuk është predikues. As hoxhë, as prift, as pop.


— Si e arsyetoni pasurinë e tij për kaq pak vite?


— E nderuar gjykatë, pas luftës kemi krijuar, ta quajmë kushtimisht, një elitë të pasur. Në mes tyre edhe njerëz nga sistemi i drejtësisë. E ka mundësuar Kosova, atdheu jonë i dashur. Jo vetëm klienti im, por edhe shumë të tjerë janë pasuruar. E kemi zvogëluar varfërinë. 


Ata njerëz i duhen kombit, shtetit dhe ekonomisë sonë, sepse krijojnë vende pune. Janë shtylla kurrizore e ekonomisë së vendit. Nëse ato mjete shpërndahen në popull, siç bën qeveria me “vitra”, ato zhduken dhe nuk i ndihmojnë askujt. Kur njerëzit e ndershëm, altruistët, i marrin ato para, bie papunësia dhe fëmijët nuk marrin “vitra”, por prindi i tyre fiton vend pune. 


Kjo është më mirë sesa t’u jepen njerëzve ndihma sociale apo t’u jepen 13 paga kur nuk punojnë as 11 muaj. Ky sistem është komunist, stalinist dhe kundër elitës sonë. I dëshiruar nga diktatori. Neve nuk na duhet një sistem drejtësie që kriminalizon njerëzit më të mirë të shoqërisë. Një Qeveri e mirë duhet të ketë njerëz të pasur rreth vetes.


— I nderuar avokat, pse shumica e mediave, rreth 90%, janë kundër Albin Kurtit?


— Sa i përket pretendimit se shumica e mediave janë kundër Kurtit, është çështje politike, jo juridike. Mediat janë të pavarura dhe kanë të drejtë të kritikojnë, madje edhe të thërrasin në rrëzimin e tij. Ose paketimin e Kryeministrit si të Maduros nga Trumpi. 


Kanë të drejtë. Liri mendimi. Kjo është thelbësore për demokracinë. Qeveritë e mëparshme kanë mbështetur media të ndryshme. Kurti nuk e bën. Duhet kuptuar edhe gazepin emocional të një influenceri: ai nuk e do fare një njeri dhe pikërisht ai është kryeministër edhe i tij. Kjo është gati-gati dhunë psikologjike… 


— Pse aq shumë urrejtje ka klienti juaj ndaj kryeministrit, madje edhe më shumë se opozita?


— Qeveria, si e majtë ekstremiste, nacionaliste, komuniste, kundër njerëzve më të mirë dhe më të pasur të Kosovës, ka dorëzuar rreth 250 kallëzime gjoja për keqpërdorime. Aty mendoj se përfshihen edhe disa media. Ato, mirëpo, duhet duhet të prodhojnë lajme, të jenë të pranishme, të shfaqen si ekspertë për çdo temë, për çdo ngjarje, të ushqejnë dhe të provokojnë kureshtjen e popullit. 


Duhet të informojnë pse ndodh diçka në Korenë Veriore, pse diçka në Venezuelë, pse ndizet një diskotekë në Zvicër, apo pse Kina bën stërvitje pranë surratit të Tajvanit. Ne duhet të jemi krenarë që kemi njerëz të tillë, me dije universale, jo si në vende të tjera që dërgojnë njerëz në katër anët e botës dhe paratë jashtë vendit. 


Ose që në debate ftojnë profesorë fakulteti: një ekspert për SHBA-në, një për Venezuelën, një tjetër për Korenë. Kurse tanët i dinë të gjitha. 


Dhe dija e madhe nuk mund ta dëmtojë shtetin tonë, përkundrazi. Ne duhet të jemi krenarë me këta që i kemi dhe ta thërrasim popullin t’i ndjekë edhe më shumë… Diktatori, i kërcënon ata. E pastaj, sikur të mos kishin aq shumë inteligjencë, nuk do të ishin bërë aq të pasur.


— Ju faleminderit, zoti avokat. Zoti prokuror, fjalën e keni.


— Pa u ndalur te ligjet edhe një herë, kërkoj sekuestrimin e çdo pasurie: kontove bankare brenda dhe jashtë vendit, si dhe të shtëpisë. Provat materiale i kam dorëzuar dhe kërkoj pesë vite burg pa mundësi shkurtimi. Kaq!


— Zoti mbrojtës?

— Kërkoj hedhjen e aktakuzës në tërësi, si të pabazë, dhe lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi të klientit tim. Po ashtu, qëndrimi në burg t’i dëmshpërblehet nga arka e shtetit.


— Ju faleminderit! I akuzuar, a keni diçka të shtoni?

— Jo, asnjë llaf! Hah, po e nderuar gjykatë, dua me thonë vetëm çeto: djali jem dhe djali jot shkojnë në ni shkollë. Desha të them se puna jeme është në shërbim të atdheut, sigurisë sociale, lokale. Ma shumë nuk kom.


Ju faleminderit. Do të tërhiqemi për përgatitjen e vendimit. Pas një ore do të jemi përsëri në sallë. Pushim.

Ngrihuni në këmbë ju lutem!


V E N D I M


I pandehuri C.C.

LIROHET NGA TË GJITHA AKUZAT, sepse nuk provohet se ka kryer ndonjë vepër penale.


A R S Y E T I M

1. Veprimtaria në shërbim të shteteve të huaja

Prokuroria nuk paraqiti prova materiale bindëse, pos disa kopjeve. 


2. Nënkuptimi i Qeverisë për akte terroriste

Nuk u paraqit asnjë deklaratë e drejtpërdrejtë që përmbush elementet e veprës penale, por video që akuzuari i konsideroi si video-montazhe. 


3. Financimi i jashtëm

Nuk u provua asnjë transfer bankar apo investim shtetëror. Pos disa kopjeve që nuk mund të lexohen mirë. Mungesa e faturave përbën realitet ekonomik vendor, jo provën penale.


4. Ndryshimi i qëndrimeve politike

Ndryshimi i mendimeve është i zakonshëm në profesionin e gazetarisë dhe inflencerisë dhe nuk përbën shkelje ligjore.


5. Pasuria

Prokuroria nuk provoi lidhje ndërmjet pasurisë dhe veprimtarisë së paligjshme. Të ardhurat nga media dhe platformat digjitale janë të ligjshme. Shteti nuk ka asnjë interes të varfëroj pjesëtarë të popullit e të rrisë migrimin.


Uluni!


PËRFUNDIM


Në mungesë të provave për ekzistimin e veprës penale dhe duke respektuar liritë kushtetuese të mendimit, shprehjes dhe dashurisë ndaj vendit fqinj, Gjykata vendos lirimin e të pandehurit, ndërsa koha e kaluar në paraburgim do të dëmshpërblehet nga arka e shtetit. 


Prokuroria mund të ankohet brenda 15 ditëve në Gjykatën e Apelit. Këtu përfundon seanca. Ikni!

Keine Kommentare: