09.01.2026

Kush e meriton të bëhet kryetar i Kosovës? Bota sot

Presidenca është një institucion shumë i rëndësishëm, që kërkon profil diplomatik dhe aftësi për të ruajtur dhe ndërtuar aleanca të reja politike.

Kandidaturat duhet të vlerësohen në bazë të meritës vetjake, përgatitjes profesionale, institucionale dhe mundësisë për ndikim ndërkombëtar, por jo si shpërblim apo si pasojë e kompromisit me opozitën.

Ukë Rugova nuk ka ndonjë kontribut. Askush nuk duhet të fitojë për meritat e babait. Ai nuk ka asnjë ndikim, as brenda, as jashtë. Kosova i është mirënjohëse babait të tij, jo fëmijëve të tij.

Një fëmijë i Ajnshtajnit nuk mund të bëhet profesor në një fakultet vetëm sepse babai i tij ishte gjenial. Ukë Rugova nuk ka profil të vetin diplomatik. Vjosa Osmani, po.

E dyta, Murat Jashari. Natyrisht, familja Jashari ka dhënë tepër shumë për Kosovën. Ai meriton mirënjohje dhe vlerësime për kontributin e familjes, të përhershme. Por në rrethana të ndërlikuara ndërkombëtare, Kosova ka nevojë për një personalitet të njohur dhe të dëshmuar në diplomaci. Presidentja e ka.

Për politikën ndërkombëtare, Murat Jashari është i panjohur dhe nuk mund të kontribuojë për Kosovën, veçanërisht jo në kohë krize si kjo, kur shteti duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet me Serbinë. Domethënë, Kosova do të dobësohej jashtë për mirënjohjen e merituar brenda.

Pra, edhe pse meritat e familjes janë të pakrahasueshme, nuk është koha që ai të marrë presidencën. Do të vijë një kohë tjetër. Pas Trumpit ndoshta. Ai mund të presë. Kosova jo.

E treta, Vjosa Osmani. Nëse nuk e zgjedhim Vjosa Osmanin për presidente, atëherë veprojmë kundër interesave të Kosovës. Arsyeja është e thjeshtë: ajo ka njohje dhe pranim ndërkombëtar, si dhe kontakte të drejtpërdrejta me udhëheqësit perëndimorë, përfshirë presidentin Trump. Tani dhe në vitet e ardhshme, ky do të jetë faktori kryesor.

Për të bashkëpunuar me kryetarin amerikan, është e rëndësishme që Kosova të ketë një personalitet të njohur dhe të respektuar në skenën ndërkombëtare, të pranuar nga Trumpi, jo një si Zelenski, për të cilin ka pak ose fare respekt.

Largimi i Vjosës është i njëjtë si kur hiqet Lionel Mesi nga loja për arsye burokratike dhe të pritet fitore. Do të humbë skuadra. Pa Vjosën, do të humbë Kosova.

A e dinë mirë anglishten personat e propozuar? A kanë studiuar në SHBA? A kanë doktoruar atje? I do Trumpi? A kanë profil diplomatik? Jo, nuk kanë. A e ka Vjosa? Po, e ka. Madje përmendet edhe Hamza. Kjo është tallje me shtetin dhe institucionet.

Ata që kundërshtojnë Vjosën do të kuptohen si njerëz që janë kundër partneritetit me Amerikën dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me Trumpin.

Për të mirën e Kosovës, Vjosa Osmani duhet të zgjidhet dhe të mbështetet nga të gjithë, veçanërisht nga LDK-ja, nëse dëshiron t’u dërgojë votuesve mesazhin se është shkëputur nga komanda e Mustafës dhe po rindërton profilin e vet, të cilin e kishte shkrirë brenda PDK-së.

Kush e refuzon Vjosën, e dëshiron shkëputjen e lidhjes direkte me Trumpin. Kjo do të thotë të kesh një celular të ri pa WLAN. Në çaste vendimtare, si ky i zgjedhjes së presidentes, dëshmojmë sa dhe si e duam shtetin e Kosovës: për interesa klanore apo për Kosovën.

Vjosa është diplomatja më e mirë që kemi për këtë pozitë. Nëse ti bën një propozim tjetër, a do të pranoje të operoheshe në zemër nga djali i kardiologut, i cili është gazetar?

Nëse jo, atëherë mos rreziko as me Kosovën. Kuptoje çastin historik dhe ule bishtin. Pusho edhe me lehjen. Nuk i duhet askujt.

Kriza botërore dhe Trumpi e bëjnë të logjikshëm krahasimin me doktorin e zemrës. Vjosa i ka raportet më të mira me Trumpin se sa shumë kryetarë tjerë të Ballkanit apo botës.

Defaktorizimi i presidencës me një njeri anonim do të thotë që Kosova të zbresë nën nivelin e Serbisë.

Kjo zgjedhje është provë e pjekurisë politike. Interesi i shtetit kërkon profesionalizëm dhe përfaqësim dinjitoz. Për këto arsye, Vjosa Osmani mbetet zgjedhja më e arsyeshme për presidente të Kosovës; përndryshe, dobësohet pozicioni ndërkombëtar i Kosovës. Mos e bëj. Mos e bëni!

Gjersa po shkruaj për këtë gjendje paradoksale dhe irracionale, m’u kujtua perandori i madh romak dhe djali i tij, Komodi.

Mark Aureli ishte njëri nga perandorët më të mençur që ka pasur Perandoria Romake. Për të ruajtur vazhdimësinë e dinastisë, tri vjet para vdekjes, në vitin 177 pas Krishtit, ai e emëroi djalin e vet bashkë-perandor. Roma e pranoi, duke besuar te aftësitë e atit.

Rezultati? Sipas historianëve, me Komodin nis rënia e Perandorisë Romake: korrupsioni, humbja e autoritetit, destabilizimi i brendshëm dhe dobësimi i institucioneve ishin rezultat i tij. Në fund, çmimin nuk e pagoi familja e Aurelit, por shteti. Roma.

Ne, duke mos e zgjedhur Vjosën, praktikisht do të dobësonim pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe, tërthorazi, do të ndihmonim Serbinë. Mos e bëni!

Në fund, uroj dhe shpresoj se Trumpi nuk e lejon auto-agresionin dhe vetë-sabotimin tonë.

Imazhi me IA Gemini

Keine Kommentare: