Në Kuvendin e LDK-së u konstatua se dorëheqja e padëshiruar është e padëshirueshme dhe se do t’ishte shumë poshtëruese për kryetarin shumë ambicioz në dorëheqje.
Grupi i parë mendoi se refuzimi ishte i drejtë,
sepse ajo u ofrua me kusht që të mos pranohej.
Grupi i dytë e dëshiroi,
por humbi si Abdixhiku në zgjedhjet nacionale.
Kështu, kryetari, edhe pse fajtor, fitoi.
Kjo ishte një strategji e re politike: nëse humb zgjedhjet, ofro dorëheqjen dhe përçaj partinë në dy grupe!
Sidoqoftë 136 që nuk pajtohen me kryetarin janë shumë më të rrezikshëm sesa 164 që e refuzuan dorëheqjen e padëshiruar, por të ofruar. LDK do të vlojë!
Grupi i parë tha vet me vete:
Ti nuk e meriton pajtimin tonë për dorëheqjen.
Grupi i dytë mendoi vet me vete:
Ti nuk e meriton besimin tonë.
54.67% është më e madhe se 51.10%, dhe rezulton se Abdixhiku ka fituar më shumë se Kurti, pa pasur nevojë të fitojë në zgjedhjet nacionale.
Nëse dikush fiton 13% në një degë të LDK-së, mund kualifikohet për president të vendit. Nëse një tjetër merr 18%, si në shkurt LDK, duhet të shpallet kryetari i Bordit të Paqes.
Meqenëse ka fituar në Kuvendin e LDK-së, tani Abdixhiku do të përpiqet ta pengojë rizgjedhjen e Vjosa Osmanit,
sepse peshën e vet nuk e mat me zgjedhjet nacionale,
por me 54% të Kuvendit: i motivuar nga egoizmi i theksuar, protagonizmi dhe një dëshirë e pakontrollueshme për t’i imponuar bindjet e veta.
Bashkëpunimin, kompromisin dhe veprimin që matet realisht me vota i konsideron poshtërim. Ai do të sillet si fitues pa fitore dhe, i dehur nga një shumicë e brendshme, do të shfaqet arrogant, i mbyllur dhe thellësisht jokooperues jashtë.
Shpëtoi Abdixhiku, shpëtoi kryesia; tani është me rëndësi të reformohet partia dhe të përjashtohen ata 136 që mund ta minojnë partinë nga brenda… sepse problemi nuk është humbja, por ata që besojnë se nuk ishte fitore…
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen