10.02.2026

Pse 45 vjet burg?

Në Hagë, Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi dënim deri në 45 vjet burg për secilin të akuzuar. Kjo kërkesë shkaktoi shumë reagime, pasi ligji i kësaj gjykate parashikon një dënim maksimal prej 25 vjetësh.

Pse ndodhi kjo?
Prokuroria kërkoi 45 vjet duke llogaritur dënime për vepra të ndryshme penale, të cilat ajo i konsideron të provuara, dhe për secilën ka kërkuar dënim të veçantë.
Këto dënime janë përmbledhur në një kërkesë të vetme, e cila në total arrin në 45 vjet. Kjo është një kërkesë për dënim tërësor dhe është praktikë që njihet në procedura të tilla.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se një dënim i tillë mund të shqiptohet nga Gjykata.

Fakt është se askush nuk mund të dënohet me më shumë se 25 vjet burg. Liderët e UÇK-së kanë kaluar më shumë se pesë vjet në paraburgim. Kjo do të merret parasysh në çdo vendim përfundimtar. Domethënë se dënimi, nëse do të ketë, do të ishte më pak se 20 vjet. Kufiri ligjor prej 25 vjetësh nuk mund të tejkalohet.

Gjykata nuk është e detyruar ta pranojë kërkesën e prokurorisë. Ajo do të vendosë për secilin të akuzuar veç e veç, duke u bazuar në rolin që ka pasur, përgjegjësinë individuale dhe provat e paraqitura gjatë procesit. Tani pët tani, prokuroria i trajton të gjithë të akuzuarit si pjesë e një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale.”

Vendimtare në këtë fazë mbeten provat konkrete. Pa prova të qarta dhe të besueshme, gjykata nuk mund të shqiptojë dënime të rënda. Prandaj, kërkesa e prokurorisë për 45 vjet duhet parë si trysni psikologjike, dhe jo si një parashikim i vendimit përfundimtar.

E pastaj, vendimi përfundimtar merret nga Gjykata e Apelit. Natyrisht nëse ndihet nevoja për ankesë!

Keine Kommentare: