Filozofi gjerman Richard David Precht, kur flet për lirinë e mendimit, shpesh përdor një togfjalësh për shoqërinë gjermane: kostoja sociale. Me këtë ai nënkupton çmimin që individi paguan kur shpreh një mendim që del jashtë normave sociale, politike apo morale.
‚Kosto sociale‘ konsiderohet kur një personalitet publik shpreh një mendim që nënkutphet si shumë radikal, ekstrem apo që i afrohet mendimit fashist. Pasojat mund të jenë humbja e vendit të punës, stigmatizimi publik, përjashtimi nga hapësira mediatike dhe zhdukja nga debati publik. Edhe korrupsioni, dhuna ndaj grave, urrejtja ndaj tyre, droga e dukuri të ngjashme kriminale ndikojnë në koston sociale.
Ata njerëz nuk lexohen më, nuk ftohen në televizione dhe nuk kanë më hapësirë për të shkruar në gazeta. Pikërisht këtë e quan Precht kosto sociale. Nuk është një ndëshkim gjithmonë ligjor, por thellësisht shoqëror. Publiku gjerman reagon dhe ua dorëzon faturën.
Por a funksionon kostoja sociale te ne? Jo, fare.
Ne nuk e njohim atë dukuri kundrejt politikanëve dhe gazetarëve; vetëm në jetën private. Kur dikush na prek privatisht në nder, largohemi prej tij. Por jo kur dikush na shan publikisht në televizion, apo kur e vjedh shtetin tonë.
Jo vetëm që kostoja sociale mungon ndaj personaliteteve publike, por shpesh përkthehet në përfitim. Për shembull, kur një profesor universitar përfshihet në skandale etike apo seksuale, si mesazhe me studente, abuzim të pozitës, notë për seks, ai jo vetëm që nuk izolohet shoqërisht, por shpesh ftohet edhe më shumë në studio televizive për të dhënë “analiza” si intelektual.
Edhe kur mendimet e tij janë të shkëputura, pa koherencë, apo të reduktuara në një urrejtje patologjike ndaj një figure politike, ai vazhdon të ketë hapësirë publike. Dhe shet dije e moral.
Këtu nuk kemi kosto sociale, por shndërrimin e saj në paradoks. Skandali shndërrohet në kapital mediatik. Ai paraqitet si njeri i dijshëm, edhe pse moralisht dhe profesionalisht është mediokër.
E njëjta logjikë vlen edhe për disa gazetarë të ashtuquajtur “hibridë”, të cilët dominojnë skenën mediatike me gjuhë vulgare dhe dhunë verbale e fizike. Para pak vitesh, me zell e fanatizëm, ata luftonin për themelimin e Gjykata Speciale, duke e etiketuar Hashim Thaçin si një nga kriminelët kryesorë.
Sot, po këta individë, në televizione, me plot pasion luftojnë kundër Gjykatës, pa asnjë pendesë për kontributin e tyre publik apo anonim, përfshirë edhe letrat e dërguara në Hagë. Pa kërkimfalje! Fituan dje me klikime, fitojnë sot me klikime. Madje jo vetëm ata, por edhe ata që e arsyetuan themelimin e saj dhe e shpjeguan si “pastrim”, sot do të dilnin në protesta kundër saj, si Edi Rama e Isa Mustafa.
As për ta nuk ka kosto sociale. Ka vetëm amnezi dhe deficit moral. Madje as Edi Rama, me zëvendësen nën akuzë, nuk ndien pothuajse asnjë pasojë.
Sa për krahasim të sjelljeve kulturore: ish-presidenti gjerman Christian Wulff (2010–2012) u detyrua të japë dorëheqje për një aferë me rreth 700 euro. Ai u akuzua se kishte pranuar favore, përfshirë pagesën e një qëndrimi në hotel dhe shpenzime të tjera, gjatë kohës kur ishte ministër i landit Saksonia e Ulët.
Kur prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit për ta hetuar çështjen, në shkurt të vitit 2012, Wulff dha dorëheqjen. Në vitin 2014 ai u shpall i pafajshëm për akuzën e përfitimit të padrejtë. Kjo ishte kostoja sociale.
Autori dhe gazetari gjerman Thomas Wieczorek (1952–2013) ka shkruar në vitin 2009 librin ‚Die verblödete Republik‘, që mund të përkthehet si ‚Republika e budallepsur’ ose në përkthim të lirë, ‚Republika e shpëlarë mendërisht‘.
Libri flet për keqinformimin e qëllimshëm, përmes thjeshtësimit ekstrem të lajmeve, sensacionalizmit dhe manipulimit emocional politik e publik. Mjafton të shikohen titujt në YouTube: “Ballkani u fundos”, “Serbia u barrikadua”, “Mori fund Serbia”, e të ngjashëm.
Në atë libër autori analizon banalizimin e opinionit publik, gjersa çështjet e rëndësishme mbulohen nga spektakli dhe skandalet.
Atë e kam lexuar rreth vitit 2012, aty autori shpreh këtë mendim (parafrazim): nëse shkruhet “Qeni kafshoi njeriun”, e lexojnë pak veta. Nëse shkruhet “Njeriu kafshoi qenin”, atëherë do të lexohet gati nga të gjithë.
Këtu lidhemi drejtpërdrejt me mendimin e Umberto Eco-s, i cili paralajmëronte se interneti u ka dhënë zë masave mediokre dhe injorante, duke i ngritur në piedestal dhe duke i lejuar të dominojnë opinionin publik. Te ne, madje edhe atë shkencor.
Ironia më e madhe është se, në vend që të sanksionohen njerëzit që rrahin, ofendojnë apo dhunojnë gratë e tyre, pas disa ditësh i shohim përsëri në televizione. Ata nuk paguajnë asnjë kosto sociale. Përkundrazi, fitojnë klikime, shikueshmëri dhe të ardhura nga reklamat. Publiku, me çdo klikim dhe shpërndarje, shndërrohet në agjent publiciteti për dhunën dhe vulgaritetin e tyre.
Kjo gjendje është e trishtueshme dhe flet për një vetëdije shumë të ulët shoqërore të lexuesve dhe telespektatorëve shqiptarë. Prandaj votojmë masivisht politikanë të korruptuar, që kanë vjedhur hapur, kanë blerë tokë për 50 euro një njëqind metra katrorë dhe e kanë shitur për pesë mijë, e pastaj dalin në media për të mbajtur leksione morale.
Çfarë mesazhi i dërgohet brezit të ri?
Bëhu politikan apo gazetar i pafytyrë. Edhe nëse nuk e flet shqipen, bëhesh. Mund ta blesh diplomën. Vidh sa të mundesh. Gënje sa të mundesh. Ji sa më vulgar në studio televizive që videoja të bëhet virale. Përdor dhunë verbale e fizike, sepse kjo ta garanton ftesën e radhës në debatet televizive. Pastaj pendohu dhe fiton përsëri klikime. Njerëzit e konsiderojnë burrëri edhe pendimin, ndërkohë që si me aktin e parë, ashtu edhe me të dytin, synimi është i njëjtë: mbetja në qendër të vëmendjes dhe përfitimi.
Kështu populli është stërvitur të konsumojë amoralitet dhe nuk i dënon, por i shpërblen.
Në këtë mënyrë rinia privohet nga shëmbëlltyrat e vërteta, nga modelet që duhet të ndjekë, dhe bombardohet me modele të rreme. Me këto “shëmbëlltyra fake” shkatërrohet edukata, morali dhe, në fund, vetë e ardhmja e fëmijëve tanë.
Ato sjellje nuk janë të rastit. Në psikologjinë e personalitetit përshkruhet përmes konceptit të triadës së errët, të cilën e shpjegon dr. Annalisa Barbier, hulumtuese e neuropsikologjisë dhe docente universitare në Romë. Triada e errët nuk është diagnozë psikiatrike, por një konstrukt psikologjik që përfshin forma subklinike të narcizmit, psikopatisë dhe makiavelizmit.
Individët me tipare të triadës së errët shfaqin prirje për manipulim dhe instrumentalizim të të tjerëve, mashtrim, ftohtësi emocionale, mungesë empatie dhe vetëdije morale të dobët, mungesë të brerjes së ndërgjegjes dhe frikës, kërkim të emocioneve të forta, impulsivitet, ndjenjë madhështie dhe të së drejtës absolute, etje për pushtet dhe dominim, vëmendje të tepruar ndaj pamjes fizike, inteligjencë të mprehtë, si dhe prirje për agresivitet dhe armiqësim.
Shoqëritë pa ndjeshmëri për kosto sociale jo vetëm që nuk i frenojnë ato sjellje, por shpesh i shpërblejnë ato. Pikërisht aty, triada e errët pushon së qeni vetëm një koncept psikologjik dhe shndërrohet në problem shoqëror e politik.
Kaq!
Triada e errët, çfarë është dhe pse bën jehonë? (I)
https://letersi-perkthime-artikuj.blogspot.com/2018/10/triada-e-erret-ne-pune-rrjet-dhe.html
Triada e errët në punë, rrjet dhe dashuri (2)
https://letersi-perkthime-artikuj.blogspot.com/2018/10/triada-e-erret-ne-pune-rrjet-dhe.html
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen